Ndodhen pak km larg rrugës së kombit, por mungesa e investimeve i ka lënë në harrese fshatrat e Mirditës.

Infrastruktura rrugore është shqetësimi kryesor për 1600 banorët e fshatrave Munaz, Rrëja e Velës dhe Rrëja e Zezë.

Segmenti rrugor që i lidh me autostradën me fshatrat është tërësisht i amortizuar, ndërsa lëvizja vështirohet edhe nga rrëshqitja e dherave.

 “7 km, ku janë 1600 banorë që banojnë në këtë vend. Kemi pritur e presim nga shteti sot e kësaj dite ata nuk na marrin në konsideratë. Ne kërkojmë që për këtë rrugë shteti të ketë mëshirë për ne”, shprehet një banor.

“Kryetar i Bashkisë, Ndrec Deda aktuale na ka thënë që kjo ka për të qenë një punë e kryer por asgjë nuk është bërë deri më tani edhe ndonjëherë kur bëhet ndonjë gjë , ndodh vetëm në raste fushatash. Premtimi ka qenë se kjo rrugë do të bëhet me asfalt ” , thotë një banor tjetër.

Problem në këto fshatra mbetet dhe energjia elektrike. Banorët thonë se ndërprerjet e energji janë të vazhdueshme për shkak të amortizimit të rrjetit në të cilin nuk është investuar prej dekadash.

 “Nuk ka energji elektrike. Këtu nuk punojnë frigoriferë, lavatriçe nuk punon asgjë. Kam qenë edhe vetë si kryetar fshati personalisht tek Drejtori i elektrikut, më ka premtuar se do të riparojmë sa kemi mundësi, se telat ka 40 vjet aty që janë shumë të amortizuara. Sa erë fryn erë këputen dhe bien poshtë dhe vetëm me banorët e fshatit dalim e i rregullojmë”, shprehet banori i zonës.

Këta fshatra të Mirditës, me peizazh piktoresk janë një mundësi e mire dhe për zhvillimin e turizmit malor, por mungesa e investimeve jo vetëm pengon turizmin, por ka bërë që banorët të shpërngulen masivisht drejt zonave urbane.