Në këtë zgjedhje kanë kandiduar partitë më të forta nga aspekti i votës, njerëzit më me ndikim nga aspekti i bagazhit dhe ata që janë më pak serioz, që dalin me pantallona të shkurtra e me xhaketa solemne, që shpesh “gjuajnë me çifte në hava”.
Veçantinë e këtyre zgjedhjeve nuk e bëjnë vetëm pjesëmarrja e serbëve të veriut në këtë proces, por më shumë e bëjnë interesant disa segmente të tjera, siç janë heqja e logos së shtetit nga fletëvotimet, pjesëmarrja e “Vetëvendosjes” për herë të parë në zgjedhje lokale, koalicioni i AAK-së me LDD-në, si dhe ndarja në dysh, ose plasaritja e partisë më të homogjenizuar - PDK-së.
Është e natyrshme së pjesëmarrja e serbëve në veri, veçanërisht atyre që kanë sfiduar shtetin e Kosovës, e bën më interesant garën zgjedhore, sidomos pas tensioneve të fundit, vrasjes së një doganieri të EULEX-it, gjuajtjes me bomba dhe kërcënimeve e shantazheve ndërmjet vetë grupeve politike e ekstremiste serbe.
Kur bëhet fjalë për serbët e veriut, shteti i Kosovës ka bërë një varg lëshimesh vetëm që ata të jenë pjesë e procesit kosovar të zgjedhjeve. U është mundësuar votim me postë rreth 40 mijë serbëve, të cilët domosdoshmërisht e përcaktojnë fituesin në zgjedhjet komunale.
Gjithashtu për “hatër” të tyre është hequr logoja e shtetit, pra është hequr shteti nga fletëvotimi. Ndërsa vetëm që serbo-veriorët të mos irritohen, e kanë nxjerrë nga loja KQZ-në, ndërsa nga formacioni rezervë e kanë futur OSBE, organizatë kjo që nuk e njeh Kosovën e pavarur, por që u ka krijuar serbëve favore për votim.
Natyrisht se pjesëmarrja e serbëve është vetëm një episod i telenovelës zgjedhore.
Procesi interesant do të bëhet në qendrat e mëdha, Prishtinë, Gjilan, Prizren, Pejë e Gjakovë.
Në këto qendra, shumica e partitive politike i kanë ricikluar kandidatët që kanë qeverisur komunat, disa nga të cilët po ballafaqohen me drejtësinë për keqpërdorim dhe korrupsion gjatë qeverisjes. Edhe kundërkandidatët e të “ricikluarve” janë të sprovuar në qeverisje, disa në menaxhimin e komunave e disa në Qeverinë e Kosovës.
Në garën për komunat e mëdha, asnjëri nga kandidatët “nuk është ujë për abdes”, siç thonë myslimanët. Secili është përfshirë në ujërat e ndytë dhe pas vetes bart disa “kusure” që nuk i bëjnë atraktivë.
Në zgjedhjet lokale, ndërkaq për herë të parë do ta sprovojë veten edhe lëvizja “Vetëvendosje” e cila me siguri do t’ua bëjë rrëmujë asambletë shumë komunave të Kosovës. Nëse zgjedhjet e parakohshme në Ferizaj e Kaçanik merren si mostër për këto zgjedhje, atëherë “Vetëvendosja” pritet të bëjë sensacion në këto zgjedhje, ndoshta jo me kryetarë komunash, por me asamblistë po.
E veçanta tjetër e kësaj partie është se dy muaj para zgjedhjeve ua ka bërë me dije partive të tjera se “votat do t’i mbrojë” me çdo kusht. “Vetëvendosje” u ka çuar “selam” partive të tjera, se nuk ka më pjesëmarrje me 114 për qind, sikur që ishin në zgjedhjet parlamentare.
Kurse, 3 nëntori do të jetë dita D edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, pasi përplasjeve në disa degë dhe largimit të Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit nga partia. Në këto zgjedhje do të shihet se sa të fortë janë “disidentët” e PDK-së e sa Hashim Thaçi me shokë.
Ndërsa “Partia e Fortë” shihet si “çokollata mbi torte”, duke sjellë pak freski “kull” në proces. Edhe pse “të fortit” nuk po tregojnë muskuj në këto zgjedhje, prapë shumëkush mund t’i shohë si subjekt atraktiv, së paku për humor, dhe mund t’ua japë kokrrat.
Marrë nga "Zëri"