Me vendimin e padrejtë të Konferencës së Ambasadoreve në Londër me 1913, më shumë se gjysma e tokave dhe popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. Kosova dhe trojet shqiptare ne Maqedoni e Sanxhak iu dhanë Serbisë, pjesa tjetër malit te Zi, ndërsa Çamëria iu dha Greqisë. Për shqiptarët regjimi serb ishte shume më i egër se ai turk. Në periudhën ne mes dy luftërave botërore (1918 – 1941), shqiptarët në të ashtuquajturën Mbretëri e Serbeve, Kroateve e Slloveneve po përjetonin një shtypje te padurueshme të egër e çnjerëzore.
“Koha e Serbisë”
Ne kujtesën e shqiptarëve të Kosovës kjo periudhe njihet si “Koha e Serbisë”. Dhuna ishte bere pjese e përditshme, e pandarë e jetës së shqiptareve. Dhuna ushtrohej në të gjitha mënyrat fizike e shpirtërore vetëm e vetëm për ta bërë jetën e shqiptareve sa më të mjerueshme dhe për t’i detyruar ata që t’i braktisnin trojet e tyre të shpërnguleshin në Turqi, ndërsa në vend të tyre t’i sillnin kolonët serbë e malazezë. Po zbatohej me përpikëri plani famëkeq, “Memorandumi” i akademikut, po ashtu famëkeq, Vasa Cubriloviq.
Nuk kishte shkolla në gjuhen shqipe, gjuha shqipe ishte e ndaluar ne jetën publike dhe ne administrate. Ne ato pak shkolla që kishte hapur qeveria jugosllave, nxënësit shqiptare mësonin në gjuhën serbokroate: mësonin letërsinë, kulturën, historinë serbe – po mësonin për Kraleviq Markun, Karagjorgjeviqet e Pashiqet, mitet e stërmadhuara e të rrejshme serbe. Qëllimi kryesor i këtyre shkollave nuk ishte arsimimi i shqiptareve, por tjetërsimi, asimilimi, serbizimi i tyre. Nëpër disa mejtepe gjuha shqipe mësohej ilegalisht nga hoxhallarët atdhetare. Te etur për t’u shkolluar në gjuhën amtare, shume te rinj kosovare u arratisën në Shqipëri. Gati në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë kishte nxënës nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Konvikti “Kosova” ne Krume ishte shndërruar ne një vatër të ngrohtë për nxënësit nga Kosova. Atdhetarët shqiptarë edhe përkundër rrezikut të madh, sillnin ilegalisht libra shqip nga Shqipëria. Ende më ka mbetur i freskët në kujtesën time rrëfimi i një plaku atdhetar në një emision të Televizionit të Prishtinës, ku rrëfente sesi kishte sjellë fshehurazi libra nga Shqipëria dhe nga frika e ndonjë kontrolli të befasishëm, nuk i kishte mbajtur në shtëpi, por i kishte fshehur ato në mal, në një të çarë të lisit. Përkundër këtyre vuajtjeve të mëdha, shqiptarët nuk u dorëzuan, por bën përpjekjet mbinjerëzore për t’i dalë zot vendit, duke ruajtur gjuhën, zakonet e traditat tona burrërore, qenien shqiptare.
“Kohës së Serbisë” i erdhi fundi, Jugosllavia e Kralit kapitulloi dhe u pushtua nga Gjermania e Italia. Pas 30 viteve nën sundimin e egër serb, tani Kosova dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi iu bashkuan Dheut Mëmë, shqiptarët po merrnin frymë pak më lehtë. U hapën shkollat shqipe, u vendos administrata në gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptare, me prefekt e nënprefekt shqiptare. Përsëri po valonte Flamuri Kuq e Zi!
Mësues nga Shqipëria shkuan në Kosovë
Thirrjes se ministrit te arsimit, Ernest Koliqi, iu përgjigjën qindra mësues atdhetarë dhe shkuan vullnetarisht për të punuar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Ishin këta mësues të rinj me plot energji rinore, entuziazëm, mësues qe kishin kryer Normalen e Elbasanit. E gjeten Kosovën ashtu siç e kishin paramenduar: kreshnike, kështjellë burrërie e trimërie, djep te shqiptarizmit. Edhe pse po ballafaqoheshin me shume problem e vështirësi të mëdha, sepse ishin shkolla qe po hapeshin për herë të parë, ata punuan me vetëmohim të papërshkrueshëm, pa u ndalur ditë e natë. Mësonin fëmijët që ishin të etur për dituri, mësonin edhe të rriturit, sepse në atë kohë popullsia e Kosovës ishte mbi 90% analfabete. Edhe populli i Kosovës i priti mësuesit me dashuri vëllazërore, respekt e mirënjohje të thellë për misionin e tyre të shenjtë.
Këta mësues u bënë pishtarë të arsimit shqip në Kosovë. Ne vitin shkollor 1941 – 1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor te vitit 1941 u hap Shkolla Normale në Prishtinë. Ne fillim në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ne mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft te rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri,por nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944 ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë. Tani nxënësit e Kosovës po mësonin për herë të parë historinë tonë kombëtare, po mësonin për ilirët, Skënderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Ismail Qemalin. Po mësonin vjershat e Naimit, Cajupit, At Gjergj Fishtës, Dom Ndre Mjedës, Asdrenit – vjersha qe me dashuri i këndonin atdheut, gjuhës shqipe, i thurnin himne Shqipërisë. Përveç njohurive qe po merrnin për gjuhën, letërsinë, kulturën, historinë shqiptare, ata po brumoseshin edhe me ndjenjat e atdhedashurisë e krenarisë sonë kombëtare. Për herë të parë e kanë parë flamurin duke u valëvitur përpara syve të tyre, e kanë kënduar Himnin e Flamurit, me shumë dashuri i kanë kënduar këngët atdhetare: “Për Mëmëdhenë”, “Dalëngadalë po vjen behari”, etj. Përveç punës me përkushtim me nxënësit, ata përmes kurseve të ndryshme përgatiten edhe mësuesit e parë shqiptarë, të cilët më vonë do ta vazhdonin këtë mision. Pas vitit 1944 një pjesë e këtyre mësuesve u largua nga Kosova, ndërsa pjesa dërmuese u largua me 1948 kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave. Por, disa qëndruan edhe pas vitit 1948 dhe tërë jetën e kaluan në Kosovë.
Mehmet Gjevori (1910 – 2007), Tajar Hatipi (1918 – 1977) e shumë të tjerë e panë të nevojshme që të qëndronin në Kosovë dhe ta vazhdonin këtë mision, duke u bërë bartësit kryesor të zhvillimit të arsimit shqip, veprimtarisë botuese, hartimit të teksteve shkollore, etj.
Periudha 1941 – 1944 njihet në Kosovë si “Koha e Shqipnisë”, sepse shkollat, administrata ishin të gjitha në gjuhen shqipe, nëpunësit dhe drejtuesit e pushtetit vendor ishin shqiptarë. Kuptohet, vendi ishte i pushtuar nga Italia e më vonë Gjermania. Pushtues të mirë nuk ka, por për shqiptarët e Kosovës, “Koha e Shqipnisë” as që mund të krahasohet me kohën e egër e barbare, “Kohën e Serbise”. Për fat të keq të shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në ish Jugosllavi, pas vitit 1944 përsëri erdhi “Koha e Serbisë” – këtë radhë nën maskën e komunizmit. Sidomos e vështire ka qenë periudha 1945 – 1966, e njohur si “Koha e Rankoviqit”, Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Ata u munduan t’i mbyllnin shkollat shqipe, por shqiptaret i mbrojtën ato me këmbëngulje e vendosmëri. Tani autoritetet jugosllave nuk mund të loznin edhe aq lehtë me shqiptarët e shkolluar. Pas renies së Rankoviqit (korrik, 1966) u hapën shumë shkolla të mesme e të larta anembanë Kosovës, u formuan institucionet e larta arsimore, shkencore e kulturore, u themelua Universiteti i Prishtinës (1970), Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975), Televizioni i Prishtinës (1975), etj. Dhe te gjitha këto të arritura, burimin, rrënjët i kanë te “Koha e Shqipnisë”.
Ilmi Duli, mësuesi shkodran i Suharekës
Në Suharekën time (tani Theranda) mësues ka qenë zotni Ilmi Duli, nga Shkodra. Te gjithë ish nxënësit e tij, gjithë qytetaret e Suharekës që e kanë njohur atë, gjithmonë e kujtonin me shumë mall, me shumë dashuri e respekt. Edhe pse Shqipëria e para viteve 1990 ishte e mbyllur hermetikisht, suharekasit kurrë nuk i kanë ndërprerë lidhjet me mësuesin e tyre të dashur. Dikush e kontaktonte përmes letrave, dikush i dërgonte te fala përmes familjareve që i kishin në Shqipëri, dikush i dërgonte të fala përmes pjesëtareve të grupeve sportive e artistike që e vizitonin Kosovën, ndërsa disa, pak nga ata qe kishin patur rastin te vizitonin Shqipërinë, gjithsesi janë munduar qe ta takonin mësuesin e tyre të dashur, të nderuarin Ilmi Duli. Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, kur u hapën edhe kufijtë, atëherë shume ish nxënës kanë shkuar për ta vizituar mësuesin e tyre te pare. Këto lidhje, takime janë duke vazhduar edhe sot me familjaret e mësues Ilmiut. Janë këto lidhje shumë të forta, sepse janë farkuar në një kohe të jashtëzakonshme, ne “Kohën e Shqipnisë”
Të fshehësh diturinë në tavan...
Daja im, Bafti Gashi (ndjese pastë), nga Suhareka, ka qene nxënës i mësues Ilmiut dhe ai gjithmonë na fliste për përvojën e tij shkollore, për mësuesin që i kishte mësuar, edukuar me shumë dashuri e përkushtim. Ai i ka ruajtur me kujdes librat dhe çantën e tij shkollore. I kishte fshehur në tavanin e shtëpisë se tij dhe ne fëmijët duke luajtur “fsheza”, duke u fshehur në tavan i zbuluam ato libra margaritarë. Ende më kujtohet përmbajtja e dy nga ato librave, “Libri i Këndimit” dhe “Gjeografia e Shqipërisë” e profesor Ahmet Gashit. Për ne ato libra ishin një thesar i vërtetë. Aty për herë të parë jemi njohur me vjershat e Naimit, Çajupit, Dom Ndre Mjedës e shumë autorëve te tjerë që për herë të parë po ua dëgjonim emrin. Ato vjersha me përmbajtje atdhetare, ato shkrime për Pirron, Skënderbeun, Ismail Qemalin, Flamurin Kuq e Zi, dhe shume atdhetarë të tjerë e ngjarje historike, ato pjesë leximi me motive mjaft edukative, na ngjallën ndjenjat e atdhedashurisë që në atë moshë të njomë fëmijërore. Tavani ishte bërë vendi më i dashur për ne, aty fshiheshin thesare shume të ccmuara.
Ato libra përmbanin diçka krejt ndryshe nga librat tanë qe ne atëherë i përdornim ne Kosove. Libri “Gjeografia e Shqipërisë”, siç e tregon edhe vete titulli, e përshkruante ne imtësi gjeografinë e tërë Shqipërisë Etnike, duke përfshirë shumë fotografi dhe duke i përshkruar të gjitha qytetet dhe qytezat e Shqipërisë Etnike, përfshirë edhe Suharekën time. Aty për herë të parë i kemi parë se si dukeshin qytetet e Shqipërisë. Profesor Ahmet Gashi, si një atdhetar i vërtetë që ishte, e kishte shkruar këtë libër me shumë atdhedashuri. Ato libra ishin bërë për ne ura kontakti me Shqipërinë. Kishte kohë që “Koha e Shqipnisë” kishte kaluar, mësuesit ishin kthyer në Shqipëri, por ja ato libra ende vazhdonin t’i edukonin, t’i brumosnin me ndjenjat e atdhedashurisë edhe shume breza të rinj të Kosovës, pse jo edhe të rriturit. Shpesh ulesha në mes të odës dhe burrave të pranishëm në ato ndeja u lexoja vjershat atdhetare nga ato libra me vlera të padiskutueshme edukative e atdhetare. Kam dëgjuar e lexuar se edhe shume të tjerë e kanë bërë të njëjtën gjë.
Shkolla shqipe e Kosoves, një histori e pastudiuar
Në fund të letrës që Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi,i dërgonte kryetarit të këtij Misioni të Jashtëzakonshëm Shkollor, Ali Hashorves, shkruante: “Ju uroj të gjithëve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë kombëtare e me randësi historike” (23 qershor, 1941). Dhe vërtet i tillë ishte ky mision: i shenjtë e me rëndësi të jashtëzakonshme historike. Kjo periudhë duhet të analizohet në imtësi, të shkruhen studime e disertacione për ta mbajtur gjallë në kujtesën e kombit tone. Populli i Kosovës gjithmonë e ka shprehur mirënjohjen për të gjithë mësuesit që punuan ne atë kohë me shumë përkushtim. Por institucionet shtetërore, dy qeveritë shqiptare, në Tirane e Prishtinë janë duke e kaluar në heshtje këtë përvjetor historik mjaft të rëndësishëm për të gjitha arsyet qe janë cekur më lart. Shkollat, rrugët, sheshet, institucionet arsimore, pedagogjike e kulturore duhet te mbajnë emrat e Ernest Koliqit, Ali Hashorvës dhe te gjithë atyre mësuesve atdhetare qe punuan ne te katër anët e Kosovës në ato rrethana te jashtëzakonshme historike.
Le te jete ky shkrim modest nje shprehje mirënjohjeje e falënderimi për te gjithë ata titullarë, arsimtare, administratore, nxënës e prindër që u angazhuan në këtë Mision të Shenjtë e Historik Kombëtar – mision që i ringjalli shpresat e shqiptareve të Kosovës dhe e mbajti të ndezur zjarrin e atdhedashurisë.
Redaksia online
a.n shqiptarja.com