Një mision i Partisë Popullore Evropiane, grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ndodhet në Shqipëri për një mision faktmbledhës mbi standardet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar.
Në Kryesinë e Kuvendit ata u takuan me deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së, si dhe me përfaqësues të partive politike opozitare, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Agron Duka, në një tryezë ku u diskutua për situatën në Shqipëri. Në takimin në Kuvend, nuk mungonin as krerët e partive të vogla si Agron Shehaj i Partisë Mundësia ndërsa partia Shqipëria Bëhet përfaqësohej nga Adriatik Lapaj dhe jo Ana Dajko e cila është deputete në parlament.
Në këtë takim Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se paraqiti një ekspoze të detajuar mbi zhvillimet në vend. Theksi, sipas tij, ishte tek Narkoshteti dhe burgosja politike e Ilir Metës.
“Kënaqësi e veçantë të ndaja sot qëndrimet e Partia e Lirisë me Misionin Faktmbledhës të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian mbi situatën në Shqipëri. Në respekt të konfidencialitetit që rregullon këto takime, paraqita një ekspoze të qartë dhe të detajuar mbi zhvillimet në vend, me theks te Narkoshteti, zgjedhjet dhe burgosja politike e Presidentit Ilir Meta.Mirënjohje për EPP-në për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite ndaj Shqipërisë dhe perspektivës së saj europiane” shkroi ai në Facebook.
Pjesë e axhendës së misionit faktmbledhës të Partive Popullore Evropiane në Tiranë janë edhe takime me KQZ-në, shoqërinë civile dhe median.
Më herët gjatë së mërkurës, delegatët takuan edhe Sali Berishën dhe deputetët e PD-së në pushtetin vendor por edhe me ambasadorët kryesorë në vendin tonë si ambasadorin e BE-së, OSBE-së, ambasadorin gjerman, italian dhe të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e sheh takimin me përfaqësues të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, që kanë ardhur në Tiranë në një mision faktmbledhës për zgjedhjet e vitit të shkuar, si një sinjal që Shqipëria, vend kandidat i BE-së, është në fokusin europian.
Në një postim në Facebook, Bardhi ndau detaje mbi takimin e europarlamentarëve në Kryesinë e Kuvendit me përfaqësues të opozitës, duke i përshkruar diskutimet si ‘të hapura dhe serioze’ për çështje që sipas tij, shqetësojnë çdo qytetar shqiptar.
“Sot, sëbashku me kolegët e Kryesisë së Grupit Parlamentar, u takuan në Kryesinë e Kuvendit me përfaqësues nga 28 parti simotra të Partisë Popullore Europiane, përfshirë eurodeputetë. Në një diskutim të hapur dhe serioz, trajtuam çështjet që shqetësojnë çdo qytetar: zgjedhjet, deformimin e demokracisë, kapjen e institucioneve, pengimi i drejtësisë dhe rrezikun e një shteti të dominuar nga interesa të kriminale. Ky mision faktmbledhës nuk është thjesht një vizitë protokollare. Është një sinjal i fortë se zhvillimet në Shqipëri janë tashmë në fokusin europian. Rezolutat e PPE-së po konkretizohen me verifikim në terren dhe me dëgjimin e fakteve” tha Bardhi duke falenderuar PPE-të për mbështetjen.
Komente












Edhe keto qekan valuta.Takohen me "partite" e tjera opozitare?Mediu,Duka etj nuk kane parti,kane vetem kryetar,qe jane vete.
Përgjigju