Rreth 25 të rinj nga mbarë bota kanë zgjedhur Shqipërinë për një mision që në fakt do të duhej ta udhëhiqnin vetë të rinjtë shqiptarë: ‘mbrojtjen e ekosistemit të lumit të fundit të egër në Evropë, Vjosa’.
Të bashkuar nga një qëllim i përbashkët, ruajtja e natyrës dhe biodiversitetit, ata kanë arritur të mbjellin 3000 fidane të llojeve të ndryshme pemësh, duke i dhënë zonës më shumë gjelbërim dhe shpresë për një të ardhme më të qëndrueshme.
Çdo fidan i mbjellë është një akt përgjegjësie, investim për brezat që do të vijnë. Pietro, i ardhur nga Italia, tregon se për të përfshirë komunitetin vendas në këtë nismë janë organizuar edhe dëgjesa publike, por pjesëmarrja ka lënë për të dëshiruar. Megjithatë, mesazhi i tij mbetet i qartë dhe i fortë: “Lumi i lirë.”
Në brigjet e Vjosës sot po ndërtohet një histori solidariteti ndërkombëtar, ku të rinj nga kultura e vende të ndryshme punojnë krah për krah për të mbrojtur një pasuri natyrore që i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë Evropës.
Ndoshta ky shembull do të shërbejë si një thirrje ndërgjegjësimi që edhe më shumë të rinj shqiptarë t’i bashkohen kësaj kauze për të mbrojtur lumin që rrjedh i lirë mes tyre çdo ditë.
"Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të punojmë kaq mirë këtë javë. Kishim më shumë se 20 vullnetarë. Arritëm të mbjellim më shumë se 3000 fidane në tokat e mbrojtura me rrjet nga të gjitha kafshët shtëpiake. Objektivi është të pyllëzohet gjithë zona, pasi e ka humbur atë për shkak të zjarreve të qëllimshme dhe prerjeve ilegale. Jemi vendosur në 4 zona të mbrojtura këtu në Tepelenë dhe kemi marrë të gjithë fidanët e zonës.
Përfshirja e kulturës lokale është një aspekt shumë i rëndësishëm. Vitin e kaluar kemi pasur thirrje të hapura për njerëzit këtu në Tepelenë që të vinin të na ndihmonin në mbjelljen e fidaneve. Objektivi është që t’i bashkojmë sa më shumë dhe t’i informojmë mbi avantazhet e një pylli të shëndoshë. Kjo duhet të vijë edhe nga projekte për të edukuar dhe sensibilizuar të rinjtë”, tha mes të tjerash italiani Pietro.
Komente











Ore,Bravo ju qoftë!..Vinë të huajtë e mbjellin e fshijnë e pastrojnë!..ndërsa Ne presim e djegim,konsumojmë secili për vete e bëjmë pis!
PërgjigjuBRAVO.,,.KJO DUHET BERE NE TE GJITHE ANET E LUMEJVE NE SHQIPERI....
Përgjigju