TIRANË- Detaje të reja kanë dalë pasditen e sotme gjatë emisionit Pa Gjurmë lidhur me humbjen e Jasmina Jasharit, një 28-vjeçare e zhdukur në Suedi në vitin 1997. Nëna e saj Florie Jasharaj ka rrëfyer të gjithë ngjarjen e ndodhur në këtë vit të trishtë kur ajo humbi gjurmët e të bijës asokohe vetëm 6 vjeç. Ajo tha se dyshon te një fqinj i cili në natën kur kishin dalë për të kërkuar vajzën i kishte thënë bashkëshortit të saj se nuk do ta gjente kurrë
"Hëngri mëngjesin por jo si të gjithë të tjerët. Por nuk e nguta. Ora ka qenë diku te 4 e pasdites. Atë ditë ka qëndruar në shtëpi gjatë gjithë ditës. Nuk ka zgjatur shumë zhdukja e saj. Atë ditë kam qenë paksa e lodhur dhe e përfytyroja vajzën përpara. Më thoshte hajde më shiko si po luaj, unë i thoja hajde brenda. Atë ditë ishte gjithë ditën vetëm.Mua ma ndjente zemra se doja vetëm me pas Jasminën. E kam parë në 2 të padites për herë të fundit. I kam thënë merr rrobat e pastra dhe dil sërish. Qëndroi me mua, na përqafoi. I thashe që do t'i vesh rroba të mira dhe të ngrohta. Pak mbylla sytë dhe ajo nuk ishte më në shtëpi kur hapa sytë. Kur u zgjova vajza ishte zhdukur. U gjet një bicikletë jashtë por nuk ishte e vajzës time. Unë dyshoj që dikush e ka marrë nga banesa. Erdhi burri dhe i thashë a e pe Jasminën, pasi erdhi nga shkolla ku mëson gjuhën suedeze. Ai shkon në qendrën sociale dhe vjen më thotë pse ma the atë fjalë. Vjen burri dhe ne po e kërkonim vetë sepse nuk mund ta mendonim se mund ta merrte dikush fëmijën. I nisëm kërkimet. Unë i thoja burrit atë e ka marrë dikush. Ashtu e ndjeja. Atë ditë që ka humbur vajza ka takuar vetëm një shoqe suedeze. Mua më dhemb zemra. Policia e Suedisë ka reaguar menjëherë. Ato kanë punuar por unë nuk po e shoh rezultatin e tyre. Pati të arrestuar atë kohë suedez dhe holandez. Një person vijon të jetë në burg. Ai ka mbytur një vajzë dhe akuzohet edhe për rrëmbimin e vajzës time. Ai nuk e ka pranuar akuzën.
Dyshoj tek një fqinj. Atë natë kur humbi Jasmina ai u largua nga lagjia në dy të natës dhe i ka thënë burrit kurrë s'ke për ta gjetur. Ai kurrë nuk më ka pyetur se ku ka shkuar vajza", u shpreh nëna e Jasminës.
Jasmina Jashari kishte vite që bashkë me familjen jetonin në Suedi me lejeqëndrim të përhershëm. Ata ishin vendosur në Hagen, pjesa jugore e qytetit Savsjo prej shumë vitesh. Mesditën e 28 korrikut të vitit 1997, 6-vjeçarja kishte kohë që luante në oborrin e shtëpise me disa nga bashkëmoshatarët e saj. Ajo u bleu karamele familjarëve dhe më pas u kthye përsëri për të vazhduar lojën. Ishte ora 16:00 kur prindërit e vogëlushes ishin tek fqinjët, pasi të nesërmen do të niseshin drejt Kosovës. Me t’u kthyer në banesë rreth orës 20:00 ata nuk e gjejnë më Jasminën. Ajo nuk ishte kthyer në shtëpi, si zakonisht.
Të alarmuar familjarët bëjnë menjëherë denoncimin në policinë suedeze, kjo e fundit nisi kërkimet në gjurmët e vogëlushes. Asokohe kërkimet u shtrinë dhjetra kilometra larg banesës dhe në ndihmë të policisë u angazhuan edhe forcat ushtarake si edhe polumbarët. E vetmja gjë që u gjet pak orë pas zhdukjes ishte biçikleta e saj, disa qindra metra larg banesës, por as një gjurmë e 6-vjecares.
Një dëshmitare pretendon se e ka parë vajzën e vogël në afërsi të një pylli, pranë banesës, por gjurmë të saj jo. Rasti është bërë publik edhe në emisione analoge në mediat ndërkombëtare, por asnjë pistë konkrete që mund të shpie në fatin e Jasminës.
Një tjetër dëshmitar tha se e kishte parë Jasminën duke qarë para një dyqani, pak metra larg nga banesa dhe se dikush e kishte marrë atë me makinë. Pasi morën këto informacione, policia nisi të hetojë mbi pistën e rrëmbimit, ndërsa në pak vite ka mundur të arrestojë tre persona, si të dyshuar kryesor pjesë e një rrjeti të mundshëm trafikimi. Edhe pse mbi këta tre persona rëndon akuza për vrasje dhe pedofili, asnjë prej tyre nuk ka pranuar se ka lidhje me zhdukjen e 6-vjeçares.