Misteri, eksportet shqiptare
në Nigeri 1.34 mld USD

Misteri, eksportet shqiptare<br />në Nigeri 1.34 mld USD
Shqiptarja.com zbulon një skandal, pas të cilit mund të fshihet një mega aferë e pastrimit të parave, ose një tregti e dyshimtë armësh, të cilën Shqipëria mund ta ketë kryer e vetme, ose në bashkëpunim më ndonjë shtet apo biznes të huaj.

Në dokumentet zyrtare të statistikave të shtetit të Nigerisë për vitin 2009, del se nga Shqipëria në këtë vend janë eksportuar mallra me vlerë të konvertuar në totalin e pabesueshëm 201.9 miliardë “naira” ose 1 miliard e 346 milionë dollarëve, por kjo shifër nuk gjen pasqyrim, siç do të ishte normale, në bilancet zyrtare të palës shqiptare.

Këtë lëvizje kaq të madhe tregtare nuk e raportojnë as Instituti ynë i Statistikave, as Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe as Banka e Shqipërisë. Në regjistrat zyrtare të vendit tonë për 2009-ën thuhet që i gjithë eksporti ka qenë i barabartë me një vlerë të konvertuar në 1 miliard e 88 milionë dollarë amerikanë, pra më i vogël se e gjithë shifra që raportohet në Nigeri. Vendi, drejt të cilit ka shkuar pjesa më e madhe e eksporteve shqiptare atë vit, si dhe në vitet e tjerë, ka qenë Italia, me 640 milionë dollar amerikanë mall, duke zënë rreth 60 për qind të tyre në total. Në drejtim të Afrikës, përmenden Egjipti e Maroku, si dhe “vende të tjera”, por gjithë-gjithë, fjala është për shifra të papërfillshme.

Nigeria nuk raportohet asgjëkundi në vendet, drejt të cilëve është eksportuar, në asnjë nga vitet, për të cilat mbahen statistika nga institucionet
e shtetit shqiptar. Kuptohet lehtë se, për një "sukses" të tillë të eksporteve shqiptare, i pari do të kishte qenë kryeministri Berisha që do ta kishte shpallur e përshëndetur, ashtu sikurse nuk harron të përmendë çdo muaj rritjen e eksportit me 60 për qind krahasuar me një vit më parë. Këtë shifër nuk e gjejmë në raportet e UNCTAD-it (Konferenca e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), as në ato të WTO (Organizata Botërore e Tregtisë), në të cilat raportohet shifra e eksportit nga Shqipëria, e marrë nga INSTAT-i.

Shifra e një eksporti gjigant, por fantazëm, raportohet, pra, vetëm nga statistikat e shtetit të Nigerisë. Këtyre iu referohen studjues të këtij vendi, apo edhe organizma e institucione që merren me vëzhgimin e tregtisë ndërkombëtare, në shërbim të bizneseve të mëdha shumëkombëshe. Këtë mund ta gjejmë të pasqyruar në raportet e "Intercontinental Bank" të Anglisë, psh, ose në gazetën nigeriane "Vanguard" ose sajtin online all.africa.com, psh, sa për të cituar disa prej tyre. Përpjekjet e "Shqiptarja.com" për të komunikuar me internet apo linjë telefonike me drejtues të statistikave të shtetit afrikan deri tani nuk kanë patur sukses dhe kanë marrë vetëm një "no comment" të thatë si përgjigje.

Çështja tingëllon si shumë e dyshimtë dheështë e çuditshme se si nuk ka rënë më parë në sy të medias apo vëzhguesve të huaj, duke qenë se fjala është për statistika, që janë publikuar në mes të vitit 2010. Këto statistika nigeriane thonë se nga Shqipëria drejt këtij vendi kanë ardhur mallra të paspecifikuara në masën 201.9 miliardë naira nigeriane (valuta kombëtare). Duke e marrë kursin mesatar të këmbimit për vitin 2009 150 naira për një dollar, del se vendi ynë duhet të ketë arritur rekordin e të gjitha kohërave, duke eksportuar në Nigeri 1.34 miliardë dollarë. Me këtë shifër, Shqipëria, në mënyrë të papritur, në vitin 2009 ka dalë në vend të dytë për vendet e huaja, nga të cilat ka importuar Nigeria, me 11.3 për qind të totalit të importeve të këtij vendi. Vendi i parë ka qenë Kina, e cila ka zënë 17 për qind të importeve nigeriane, me 309 miliardë naira, ose 2 miliardë dollar. Por, Kina, sipas statistikave të Organizatës Botërore të Tregtisë rezulton të jetë vendi më i madh eksportues i botës në vitin 2009, me 1.2 trilionë dollarë eksporte. Gjatë këtij viti, eksporti shqiptar drejt gjithë botës, sipas INSTAT- it, ka qenë 1 miliard e 88 milionë USD, pra, më i vogël se sa pretendohet të jetë eksporti drejt një vendi të vetëm afrikan.

Hije armësh dhe pastrim parash me Nigerinë?

Sipas përkufizimit shkencor, eksportet përfaqë sojnë vlerën e gjithë mallrave/shërbimeve të shitura/kryera jashtë vendit, ndërsa importet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave/shërbimeve të blera/kryera nga vendet e tjera. Në këtë kuadër, eksporti drejt një vendi përfshin edhe shërbimet bankare apo turistike. Këto të fundit në marrëdhënie me Nigerinë është e qartë për këdo që janë zero, atëhere mundësitë për eksportin fantazëm, që pasqyrohet në statistikat nigeriane, por nuk ekzistojnë në ato të shtetit shqiptar janë dy: pastrimi i parave ose tregtia e materialeve të mbuluara me sekret, që mund të jenë armë, municione ose objekte me vlerë të madhe, si ari, etj.

Në statistikat shtetërore të Byrosë Kombëtare të Nigerisë vihet në dukje se importet gjatë vitit 2009 përbëheshin në masën 30 për qind të totalit nga makineri e pajisje, të ndjekura nga automjete, avionë e pjesë të tyre në masën 16.5 për qind. Vendi ka importuar gjithashtu metale dhe mallra me përbërje metalesh (10.7% e totalit), produkte të industrisë kimike (9.1%) dhe sende plastike (9%). Nuk jepen hollësi të mëtejshme lidhur me nëngrupe të mallrave të sipërpërmendura, por, importet nga Shqipëria futen në importet e mallrave, duke mos përmendur shërbimet. Shqipëria, duke u renditur menjëherë pas Kinës, ia ka kaluar edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë mundur të eksportojnë në Nigeri gjatë këtij viti 134.1 miliardë naira mall, ose më pak se 900 milionë dollarë. Në rast se fjala është për ndonjë transfertë armatimesh, shpresojmë që një gjë e tillë të ketë patur OK nga NATO, megjithatë në statistikat zyrtaretë Doganave shqiptare ka një zë të veçantë për eksportin dhe importin e armëve dhe municioneve luftarake dhe një gjë e tillë duhej të raportohej, me përjashtim të rastit kur gjithçka mbulohet me sekretin ushtarak të Aleancës.

Por, ekziston edhe mundësia e një pastrimi parash në masënmë se 1 miliardë dollarë, që duhet të jetë mbuluar në formën e hyrjes së një sasie shumë të madhe malli nga Shqipëria, për t'u "avulluar" më pas. Operacione të tilla kanë ndodhur në të kaluarën dhe vende të tilla, me ekonomi që nuk u binden të gjitha rregullave perëndimore, si Nigeria, janë oaze të preferuara të atyre që pastrojnë para. Sidoqoftë, u mbetet autoriteteve shqiptare të sqarojnë se çfarë ka ngjarë.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së