Grupi parlamentar i PS mbajti një takim sot para seancës parlamentare në lidhje me transferimin e kryebashkiakut Erjon Veliajt dje nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.

Referuar deklaratave të Erjon Veliaj se nuk iu vu në dispozicion urdhri i transferimit, deputeti Bledar Çuci, kreu i komisionit për Çështjet e Brendshme, i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, të bëjë publike dokumentin zyrtar të Drejtorisë së Pergjithshme të Burgjeve, mbi të cilin është bërë transferimi i Veliajt.

Burime nga mbledhja e grupit, thanë për Report Tv, se deputeti socialist i ka kërkuar Toni Gogut, të japë dorëheqjen nëse letra e transferimit, e cila nuk iu vu në dispozicion as Veliajt dhe as avokatit të tij, nuk disponohet, duke theksuar se në mbledhjen e Grupit duhej të kishte ardhur me këtë dokument.

Me një urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, motivi i të cilit ende nuk dihet zyrtarisht, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, pas 20 muajve në izolim u transferua dje nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit.

Vetë qytetari i parë i Tiranës e quajti rrëmbim policor, pasi siç tha në një deklaratë publike, lëvizja ishte pa pëlqimin e tij dhe pa iu vënë në dispozicion urdhri i Burgjeve.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, kryebashkiaku përmes një letre tregoi për mungesën e kushteve dhe kufizimet që i janë bërë në qeli.

Veliaj ngriti shqetësimin edhe për çështjen e sigurisë së tij, pasi sic thotë ndodhet në të njëjtin korridor me të dënuar përjetë. 

 “Futja në izolim për 10 ditë, pa ujë e dritare, pa kujdes mjekësor, refuzim i ushqimit, asnjë arsye për transferimin/izolimin, asnjë telefonatë për familjen dhe avokatin, në të njëjtin korridor me 3 vrasës serialë me burgim të përjetshëm”, shkruan Veliaj në letrën e tij.

lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:29
Debatet brenda Grupit të PS pas izolimit të Veliajt në Fier, Balla: Kam kërkuar verifikim të rastit, të plotësohen kriteret që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve

1793272150_taulantballa.jpg

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur pas debateve të zhvilluara sot në mbledhjen e Grupit të PS, lidhur me transferimin në paraburgimin e Fierit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Referuar deklaratave të Erjon Veliaj se nuk iu vu në dispozicion urdhri i transferimit, deputeti Bledar Çuci, kreu i komisionit për Çështjet e Brendshme, i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, të bëjë publike dokumentin zyrtar të Drejtorisë së Pergjithshme të Burgjeve, mbi të cilin është bërë transferimi i Veliajt.

Balla tha se çështja e transferimit të Veliajt në Fier dhe procedura e ndjekur, duhet të trajtohet me përparësi, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare.

“Jo për shokun tim Erion Veliaj, por për këdo tjetër, kushdo që më ka dërguar si deputet një ankesë, padyshim që ja kam kaluar ministrave të Drejtësisë. Rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu. Edhe nga ish-Presidenti Ilir Meta kam marrë ankesa. Do verifikohet jo vetëm nga Avokati i Popullit e ministri i Drejtësisë. I kam kërkuar Komisionit të Mbikëqyrjes, në kuadër të punës që ka, të mbikëqyrë këtë çështje. Kam besim që edhe çështja në fjalë do të duhet të trajtohet në kuadër të procesit të integrimit në BE, ku duhet të plotësohen të gjitha kriteret që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve”, tha mes të tjerash Balla.