Misteri/ Prokuroria deklaron 10
ikona më pak se Mirela Kumbaro

Misteri/ Prokuroria deklaron 10<br />ikona më pak se Mirela Kumbaro
TIRANE- Tri shifra të kundërta dhe një konfirmim se këto vepra janë vjedhur, ky është rezultati i përgjigjes që ka kërkuar gazeta “Shqiptarja.com” pas artikullit të djeshëm “Misteri, zhduken 671 ikonat e Gjergji Thimios”.

Dyshimi për abuzimet me ikonat nisi nga kontradiktat mes deklaratës së policisë që kishte sekuestruar 1147 ikona, kur arrestoi Gjegji Thimion, dhe deklaratës së Ministrisë së Kulturës që njoftonte vetëm 476 ikona, dhe po ky institucion kohë më parë kishte njoftuar për 477 ikona. Raporti i policisë së vitit 2013 njofton për sekuestrimin e 1147 veprave të artit, ndërsa vendimi i Prokurorisë së Tiranës datës 16.06.2014. deklaron 466 ikona dhe asnjëherë 476 apo 477. Është mister fakti se nga e gjeti Ministria e Kulturës këtë numër. Një hije akoma më e madhe dyshimi hidhet në mënyrën sesi është bërë inventari. Deklaratat zyrtare kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe lihet të kuptohet se është bërë një inventar jashtë kritereve.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani shprehet se zyrtarisht ai nuk ka marrë në dorëzim ikonat dhe nuk ka pasur të drejtë veprimi. Gjithashtu, nuk deklaron asnjë shifër sesa është numri i tyre, duke u shprehur se nuk është në dijeni dhe vetëm i strehoi. Ndërkohë Ministria e Kulturës na dërgoi disa foto ku dukej se po bënin inventarizim dy punonjës të Galerisë Kombëtare në praninë e drejtorit të Galerisë dhe përfaqësuesve të IMK. Ndërkohë nga deklarata e Prokurorisë del se Ylli Drishti që është punonjës i Galerisë Kombëtare të Arteve, qenka kyetari i grupit të inventarizimit. Pse kanë frikë punonjësit e GKA-së të deklarojnë shifrën, në një kohë që ata kanë punuar me iventaret e veprave të sekuestruara të Thimios? Pra ka pasur një inventar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Pas përpjekjeve të gazetës sonë për të thyer “murin e heshtjes”, shumicën e dilemave e zbardh vetë Prokuroria me përfundimet e hetimeve që ka paraqitur në Gjykatë. Lidhje dhe dijeni për inventarin kanë pasur punonjësit e institucioneve, por heshtja e tyre është urdhër. Kështu na thanë në qendrën e Inventarizimit të Veprave të Artit. “E kemi të firmosur me shkrim, që nuk do të japim asnjë deklaratë pa lejen e drejtores së kësaj qendre”. Por duke iu referuar dokumentacionit të paraqitur në Gjykatë nga Prokuroria e Tiranës, kemi të dhëna për gjithë procesin hetimor dhe përshkrimin e hollësishëm të çdo objekti me numër rendor, përshkrimin fizik dhe gjendjen fizike të objekteve.

Hijet e dyshimit janë përqendruar në faktin e mospërputhjes së shifrave. Policia deklaroi në fillim se ishte 1147 dhe sipas Prokurorisë rezulton se numri i veprave të artit qenkan 466 (këto sipas specialistëve që kanë bashkuar copat të së njëjtës vepër në rastet e Ikonastaseve apo objekteve të dëmtuara e të thyera). Tashmë mund të thuhet se 466 është shifra që rezulton në procesverbalin e Prokurorisë. E çuditshme është që gati dy vjet pas verifikimit, policia, Ministria e Kulturës deklaronte 477 vepra arti dhe pas përgënjeshtrimit të deklaratës së parë u deklarua numri 476, sepse njëra qenka numëruar dy herë, fakt që nuk figuron në raportet e Hetuesisë.
 
Çfarë zbulojmë tjetër në raportin Prokurorisë?!
Në raportin e Prokurorisë shkruhet se “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e përbërë nga kryesues Klorinda Çela, anëtarë Martin Deda, anëtar Besnik Hoxha, ku ka asistuar nga sekretare gjyqësore Marjana Xhamallati, më datë 16.06.2014, ka përfunduar së shqyrtuari në seancë gjyqësore publike çështjen penale që i përket koleksionistit Gjergji Thimio.   Nga ky raport veçojmë disa nga detajet që kanë lidhje me sekuestrimin, regjistrim dhe inventarizimin e ikonave.
Prokuroria deklaron se:

-Për disa nga ikonat që ka poseduar shtetasi Gjergji Thimio, është lëshuar vërtetimi  Nr.23 protokolli,  datë 03.05.1996 nga Q.K.I.P.K. ku sqarohej fakti se 15 ikona që dispononte Gjergji Thimo nuk ishin të vjedhura.
- Në datën 08.10.2013,  nga ana e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme së bashku me Sektorin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.5 Tiranë, është arrestuar shtetasi Gjergji Thimo, pasi atij i është sekuestruar një sasi e madhe objektesh të periudhës së mesjetës të cilat dyshohej se janë të vjedhura dhe të trafikuara. Këto objekte ndodheshin pikërisht në vendin ku kishte kallëzuar shtetasi Arben Spaho, për këtë fakt është dyshuar se ato ishin të vjedhura dhe trafikuara.
Sipas procesverbalit të sekuestrimit në banesën e shtetasit Gjergji Thimjo, janë sekuestruar shumë objekte që kanë numrin rendor nga 1 në 88. Ndërsa në lokal janë sekuestruar sende materiale që kanë numrin rendor nga 1 në 54. Ndërsa në banesën Arben Spahos, shtetasit kallëzoi Thimion janë sekuestruar materiale me numrin rendor nga 1 në 25.

Nga akti i ekspertimit  datë 16.01.2014, i cili është dorëzuar nga Kryetari i Grupit të Eksperteve, Ylli Drishti (kujtojmë që aktualisht është punonjës në Galerinë Kombëtare të Arteve) në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë rezulton se:-- nga 466 objekte të sekuestruara nga policia e shtetit, 32 prej tyre nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore, kurse pjesa tjetër përbëjnë trashëgimi kulturore. Pra dhe Ylli Drishti ka deklaruar 466 vepra për Prokurorinë dhe as 476 as 477, që janë dy deklaratat e  Ministrisë së Kulturës. Sipas Prokurorisë, akti i ekspertimit është bërë për të gjitha objektet që janë në Galerinë e Arteve në katin e 3 dhe janë përshkruar edhe veprat e vjedhura .

Për të gjitha sendet e sekuestruara, nga ekspertët është mbajtur një numër dhe numrat e objekteve që rezultojnë të vjedhura, janë me numrat 364-447.
Prokuroria deklaron se nga ana e Policisë së Shtetit,  i është kërkuar Kishës Ortodokse Shqiptare, që të dërgojë informacion në lidhje me Kishat e dëmtuara dhe vjedhura në Territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe të dhëna në lidhje me sendet e sekuestruara nga policia nëpërmjet shkresës me datë 11.01.2014. dhe Kisha ka kërkuar kthimin e ikonave. Kisha dhe objektet që kërkohen kanë numra 76-233 dhe  numrat nga 209 deri ne 218, 245, 246, 66., të gjetura në banesën e shtetasit Gjergji Thimio. E njëjta procedurë sipas Prokurorisë është zbatuar edhe me autoritetet e shtetit maqedonas, ku kërkuan sekuestrot me numrat 100, 75, 98 etj., si dhe objektet nga numri 201 deri në numrin 206 që janë gjendur ne banesën e shtetasit Arben Spaho.

Nga verifikimi i bërë nga Qendra e Inventarizimit sipas Prokurorisë “rezulton se tek sendet e sekuestruara nga policia mungojnë 78 objekte, të cilat kanë qenë të pajisura me pasaportë dhe nuk janë më, pra janë shitur ose tjetërsuar nga Gjergji Thimio”. Prokuroria pohon edhe një humbje tjetër “Mungon edhe një objekt, i cili ndonëse ka qenë i inventarizuar, nuk ka qenë i çertifikuar”

Nga ana e organit të akuzës është ndarë çështja dhe po hetohet në mënyrë të pavarur, se ku kanë shkuar ikonat që mungojnë (78 ikona), që nuk janë sekuestruar nga policia e shtetit në banesën e shtetasit Gjergji Thimo. “Ky fakt po hetohet nga organi i akuzës veçmas, së bashku me autorët dhe bashkëpunëtorët e panjohur të të pandehurit Gjergji Thimio. Po hetohet në mënyrë të pavarur se ku kanë shkuar sendet me vlerë të cilat janë shitur nga ana e shtetasit Gjergji Thimo”, shkruhet në deklaratën e Prokurorisë. 
 
Pse janë çertifikuar?
Në këto kushte kur këto sende, iu janë marrë trafikantëve (sipas të pandehurit Gjergji Thimo) dhe janë të vjedhura atëherë nuk duhej të bëhej çertifikimi i tyre. Edhe në historikun e sendeve të çertifikuara, i cili është në sistemin e Ministrisë së Kulturës, një moment thuhet “do te trafikohej në Itali dhe më pas në Greqi”. Ka një “non sens” në këtë regjistrim si dhe të gjitha çertifikimet e bëra, pasi si mund ta dijë një institucion shtetëror intenerarin e lëvizjeve të trafikantëve Itali-Greqi, në një kohë që trafiku akoma nuk ka ndodhur, aq më tepër që personat e panjohur të cilëve  jergji i ka marrë ikonat t’i kenë thënë këtij të fundit se “ … jemi trafikantë me intererar Itali-Greqi” !!!.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin