Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis
nuk e ka vrarë Spiro Kosturi

Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis<br />nuk e ka vrarë Spiro Kosturi
Spirua, djali i patriotit Jovan Cico Kosturi apo Jovan Shqiptarit siç njihet nga bashkëkohësit, nuk ka qenë anëtar i çetës së Bajo Topullit.

Ideja e rishkrimit të historisë duket se trondit ndonjëherë dhe të vërtetat e thëna e dokumentuara deri sot. Në frymën e zbulimit, apo të referimit me përulësi ndaj çdo të huaji, studiues, historianë, apo dhe fqinj që interpretojnë historinë tonë sipas interesave dhe formimit të tyre, duket se gjendemi shpesh para zbulimeve të pavërteta. Historia e një kombi është një e vërtetë e shenjtë për të cilën duhet të kontribuojnë vetëm faktet, përtej interpretimeve personale, pëlqimeve apo interesave të caktuara të politikës, brenda apo jashtë Shqipërisë.

E parë në dritën apo kërkesën e vërtetësisë, opinioni i mëposhtëm i referohet shkrimit të datës 12 tetor 2014 botuar në “Shqiptarja.com” me titull “Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis e vrau Spiro Kosturi”  Ngjarjet i referohen një periudhe të rëndësishme para shpalljes së pavarësisë dhe historia deri më sot, megjithë regjimin apo zigzaqet ka qënë e saktë për disa fakte të asaj periudhe, të cilat nuk mund të ndryshohen në 101 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Artikulli i referohet vrasjes së dhespotit të Korçës, Fotis, në vitin 1906, rrugës së  Bradvicës, ngjarje e njohur dhe e dokumentuar, e pranuar dhe në shkrim nga çeta e Bajo Topullit. Përsa i përket zbulimit se kjo vrasje u krye nga Spiro Kosturi, duhet saktësuar se Spiro Kosturi, djali i patriotit Jovan Cico Kosturi, apo Jovan Shqiptarit nuk ka qenë anëtar i çetës së Bajo Topullit.

Për të forcuar lëvizjen patriotike brenda vendit, të 1906 me iniciativen e Bajo Topullit ishte krijuar në Manastir Komiteti i Fshehtë Shqiptar, me qëllim të ngjallurit e Shqipërisë nëpërmjet vllazërimit… Ky komitet mbante lidhje të ngushta me gjithë atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos me Komitetin e Fshehtë që vepronte në Korçë, të krijuar në 1886, me kryetar Jovan Cico Kosturin. Në drejtimin e Komitetit të Manastirit u krijuan çetat e para patriotike, dhe çeta e Bajo Topullit vendosi të zbatojë vendimin e këtij komiteti, për të marrë hakun e patriotit Papa Kristo Negovani, vrarë mizorisht nga grekët, sipas porosive të dhespotit të Kosturit dhe atij të Korçës. I referohemi për këtë çështje “Gazetës Drita” të Sofjes nr 97, datë 1 shkurt 1908 “ Letër nga malet e Shqipërisë “me autor Cerciz Topulli dhe Mihal Grameno”.

Përsa i përket artikullit të botuar së fundmi i cili shpall Spiro Kosturin si vrasës të dhespotit, mbetet të analizojmë së cili është burimi të cilit i referohet artikullshkruesi. Historia e martesës së djalit të Jovan Kosturit, një martesë historike me lejen e kryeministrit rumun, apo grindja e Kosturëve me dhespotin Fotis, aktiviteti patriotik në hapjen e shkollës dhe librave shqip, apo jehona e  një martese të ndaluar e cila tronditi shtypin jashtë Shqipërisë, bëri që grekët të dyshonin se vrasja e dhespotit Fotis të ishte e shtyrë nga Kosturët. Duke ju referuar dorëshkrimit të Jani Kristaq Kosturi, nip i Spiro Kosturit, Komiteti i Manastirit kishte vendosur kohë më parë hakmarrjen për vrasjen barbare të Papa Kristo Negovanit.

Pergjegjës për këtë ishte dhespoti i Kosturit, Karavangjeli dhe dhespoti i Korçës, Fotis. Dhespoti i Kosturit kuptoi diçka dhe u largua  nga Korça, ndërsa çeta e Bajo Topullit u përball me dhespotin e Korçës dhe vendosi të qëllojnë të gjithë luftëtarët, duke ruajtur besimin që secili kish në Zot, si një hakmarrje e përbashkët për vrasjen Papa Kristo Negovanit dhe çështjen e madhe kombëtare shqiptare. Pra, vlen te theksojmë se vrasja e dhespotit ishte një ngjarje e madhe e shtyrë nga interesa të mëdha të Shqipërisë. Sipas rrëfimit të gruas së Mihal Gramenos, Niqka Grameno, mendohet se Çerciz Topulli ishte më i zoti nga gjithë luftëtarët e çetës, i njohur për nishanin, ndërsa sot në histori njihet se dhespotin e  Korçës se vrau çeta e Bajo Topullit.

Sipas dëshmive të grekëve, autoritetet turke ndaluan Hysenin, një djalë trim që Spiro Kosturi e mbante pas për çdo të papritur, i dyshuari i vënë nga Kosturët, pasi dihej që ditën e vrasjes së despoti, Kosturët gjendeshin sipas riteve martesore në Korçë, “në te parë “sic quhej aso kohe. Kjo shtëpi e nuses ishte ajo e Zoi Dhimitrit që ka ekzistuar në Korcë me nr 12. Pra dihej që vrasësi nuk mund të ishte Spiro Kosturi.

Spiro Kosturi, për të liruar Hysenin shkoi në Selanik tek Hilmi Pasha, ndërsa në 11 nëntor 1906, në rrugën e ambasadës gjermane, vritet në Molo të Selanikut nga dy grekë në orën 7 pasdite. Përtej hakmarrjes për vrasjen e dhespotit nga çeta e Bajo Topullit, vrasja e tij ishte një mësim për gjithë shqiptarët. Pas disa ditësh u burgosën në Korçë Jovan Cico Kosturi dhe dy djemtë e tjerë. Pas një paraburgimi të gjatë në presionin e opinionit vendas e të huaj, e sidomos gazetave shqipe jashtë Shqipërisë që botonin me prova, fotot e çetës së Bajo Topullit dhe luftëtarëve të kësaj çete, duke e lehtësuar akuzën, Jovan Kosturi u lirua për mungesë provash.

Bujë bëri artikulli i gazetës së Sofies “Drita” 26 shkurt 2007 ku citohet “ Grekët Spiro Kosturin e vranë vetëm e vetëm që të frikësojnë e trullojnë shqiptarët ortodoksë që të heqin dorë nga gjuha e tyre”. Janë të njohura shkrimet e veprimtaritë për vrasjen e Spiro Kosturit,  “Mbi varr e Spiro Kosturit “, vjershë nga Mihal Grameno, gazeta” Drita” në Sofje nr 89, 18 maj 2007,” “Rracat e tjera dhe rraca pellazge “, nga Petro Nini Luarasi, Gazeta “Shpresa e Shqipërisë” Raguzë nr 2, 16 janar 1907, Gazeta “Shpresa e Shqiperisë” nr 23 Trieste, 16 shtataor  1907, Gazeta” Shqiperia” Kajro nr 3, 15 shkurt 1907 etj. Shqiptarët e Bostonit organizuan një tjetër mbledhje ku diskutuan Petro Nini Luarasi, Sotir Peçi, ndërsa fjalimi madhështor i Nolit bëri përshtypje të veçantë.

Ky fjalim i mbajtur nga Fan Noli më 23 dhjetor 1906, i botuar në gazetën“Kombi” më 1 janar 1907, është një pjesë e jehonës dhe indinjatës, zemërimit në tërë qarqet patriotike brenda dhe jashtë Shqipërisë për vrasjen e Spiro Kosturit. Duke botuar fjalimin e Nolit “Kombi” shënonte: “Ata që nuk dëgjuan nuancat e zërit të tij, humbën shumë, se Noli nuk foli, po këndoi”. Pas Spiro Kosturit, në fushën e Orman Çifligut në 1911 vritet në moshën 19-vjeçare nga turqit dhe Kostaq Spiro Kosturi, bashkë me të tjerë luftëtarë shqiptarë. Pas vargjeve të dhimbshme: “Dëshmor i ati, theror i biri, kështu vdes vetëm i liri…”, në gazetën “Koha” të viti 1918 nr.131, Mihal Grameno, pas vrasjes së djalit dhe nipit të patriotit Jovan Kosturi, shkruan: “I vetmi dëshpërim i Jovanit ka qenë vetëm Shqipëria.

Ai qëndronte i patundur si një breth i gjelbër duke i duruar me gëzim vuajtjet e theroritë për nder të Shqipërisë, kjo antikë kombëtare...”.Gjithë këto gazeta dhe fjalime për Spiro Kosturin, ndërsa njeriu dërguar nga Shqiparët e Amerikës për të marrë hakun e Spiro Kosturit, Vasil Trebicka u ndalua nga Kosturët të cilët ishin kundra vrasjeve. Kjo është përgjithësisht historia e vrasjes së dhespotit të Korçës, ndërsa shkrimi që përmendëm i referohet gazetës elektronike të helenëve të Korçës dhe studiuesit grek Tasos Kodojanidhis. Që në fillim të shkrimit të Kodojanidhis, gazeta paraqet foton e dhespotit të Korçës duke e cilësuar martir, ndërsa më pas përmend Spiro Kosturo si i caktuar, paguar dhe i shpërblyer me grada për vrasjen e dhespotit.

Gjendemi para një fakti; i duhet besuar një studiuesi grek i cili në shkrimin e tij haptazi ka synimet e politikës greke të gati 100 viteve më parë, apo fakteve historike të dhjetra gazetave të kohës dhe personaliteteve tona të shquara të kombit për ngjarjen? A mundet sot të kërkojmë rishkrimin e  historisë mbi vizione e hamendesime të studiuesëve të ciët janë të pozicionuar pa filluar prononcimin, apo në 101 vjetorin e pavarësisë do i japim vendin që meritojnë patriotëve shqiptarë, aktivitetin e të cilëve e nderoi dhe vetë diktatura, pasi para veprës së tyre i dekoroi dhe respektoi Jovan Cico Kosturin, Spiro Kosturin e Kostaq Kosturin.

Të besosh versionin e studiuesit grek Kodojanidhis, i cili e quan shembullore vrasjen e Spiro Kosturit, më bëri të kujtoj një shprehje të huazuar nga një prononcim i historianit Kristo Frashëri. Në një prononcim ku desh të pohonte diçka që ish e pandryshueshme, i referohej Jovan Kosturit. Të thuash se Spiro Kosturi, sipas grekut ishte i paguar të vriste, është si të thuash se Jovan Kosturi nuk ishte shqiptar!
  
bajo topulli














































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje