PRISHTINE- Policia e Kosovës dhe EULEX-i njoftojnë se kanë shtuar patrullimet në Mitrovicën Veriore me qëllim mbrojtjen e popullatës.

 "Për shkak të sulmeve të fundit me granata dhe shtimit të akteve të dhunës, të cilat rrezikojnë sigurinë publike, Policia e Kosovës dhe EULEX-i do ta rrisin edhe më shumë praninë e tyre policore në pjesën veriore të Mitrovicës.  Këto masa janë duke u ndërmarrë për ta mbrojtur komunitetin lokal", thekson komunikata dërguar nga Policia e Kosovës.

Numri i patrullave të përbashkëta të PK-së dhe EULEX-it do të shtohen veçanërisht gjatë natës. Po ashtu, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it mund të bëjnë edhe kontrollime parandaluese të personave dhe automjeteve.

Njoftimi për shtyp shton se Policia e Kosovës dhe EULEX-i janë duke bashkëpunuar ngushtë në zhvillimin e hetimeve penale.

(sg/shqiptarja.com)