Kanë mjaftuar vetëm pak minuta reshje të furishme shiu dhe përroi që kalon mes për mes qytetit të Laçit ka dalë nga shtrati duke përmbytur shtëpi, biznese dhe rrugët për herë të dytë brenda muajit. Banesat dhe bizneset u bllokuan nga uji, ndërsa pas tërheqjes la baltën dhe dëmet pas. Report Tv sjell pamjet e vërshimit të ujit mbi qytet dhe përmbytjen e banesave.

"Dëme janë bërë se radhën e parë nuk arriti të përmbyste deri këtu, por si duket do të jetë bllokuar kanali, fajin e ka ai që e ka bërë. Bashkia nuk ka se cfarë bën, ai ministri i Brendshëm erdhi dhe tha se do i bëjmë" tha njëri prej banorëve. "Dëmet i kemi jashtë mase. Nuk jemi dëmshpërblyer asnjëherë dhe as nuk kam kërkuar, pasi dëmet kanë qenë të vogla, por tani ka hipur në katin e dytë" tha një tjetër.

Një tjetër banor nuk kurse ironinë për ministrin e Brendshëm lidhur me premtimin që u bëri pak javë më parë. "Jo vetëm unë por i gjithë Laçi ndihemi të rrezikuar sa herë që bie si, duhet të disiplinohet përroi. Ndodhi edhe para dy javësh, erdhi ministri Lleshaj tha do të marrim masa që të ndërtojmë, por kaluan nja dy javë dhe si duket bisedoi me Zotin dhe tha ta bëjmë edhe një provë. Dëmtimet vijnë nga përroi i Laçit, kjo është e 20-30 herë në sistemin e demokracisë.

Tani janë bërë ndërtime këtu dhe atje, kanë bllokuar ura këtej dhe andej. Të vijë një komision dhe të shikojë sa ura ka mbi përrua. Janë bërë dëme sa të duash. Uji ka hyrë në të gjitha dhomat. Elektroshtëpiaket janë dëmtuar të gjitha. Dëmi nuk është shumë i madh, pasi dy frigoriferë më janë dëmtuar" u shpreh një tjetër banor për Report Tv.

Nga shiu u bllokua edhe nënkalimi i superstradës në Fushë Mamurras për disa minuta. Mjetet devijuan rrugën, ndërsa vështirësi dhe bllokim për disa minuta ka pasur edhe superstrada deri në qytetin e Laçit, pasi uji doli nga kanali duke u shpërndarë në rrugë.

Në aksin e rrugës Mamurras - Laç në mëngjes kalohej me vështirësi pranë fshatit Gjorem, nga dalja e ujërave nga kanalet duke vërshuar në rrugë. Në Gjorëm disa hektarë tokë u përmbytën.