Media e shkruar dhe elektronike, rrjetet sociale e së fundmi edhe kompanitë kryesore të telefonisë, janë përfshirë në një fushatë sensibilizimi për vogëlushen Mejsi, e cila vuan nga një tumor i rrallë, trajtimi i të cilit sipas të afërmve mund të kryhet vetëm në Gjermani. Vogëlushja Mejsi më solli ndërmend rastin fatkeq të Denisit, i cili pas një komplikacioni fatal nga lëndët anestezike nuk arriti ti shpëtonte vdekjes gjatë një interventi kirurgjikal.

Do të mjaftonin këto dy situata ku qëndrojnë mjerisht kaq afër jeta me vdekjen, për të konstatuar gjendjen kaotike ku dergjet sistemi shëndetësor. Rasti i Mejsit simbolizon dështimin e skemës aktuale të sigurimit shëndetësor, e cila jo vetëm çedon të përfshijë një numër të konsiderueshëm të popullsisë në ofrimin sasior të shërbimit shëndetësor, por është gjithashtu totalisht e paaftë të gjenerojë fonde në mbështetje të një komuniteti të kufizuar pacientësh me nevoja specifike, si në rastin e patologjive onkologjike.

Ky konstatim është i vlefshëm po ashtu për strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Shëndetësisë që në trokthin politik nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me spitale gjithçfarësh, keqpërdorin burime financiare në investime jo efiçente, ndërkohë që braktisin sistematikisht pacientët me kërkesa të veçanta për shërbime shëndetësore. Ndonëse një shumë e konsiderueshme për një familje në nevojë, efekti financiar në rastin në fjalë nuk është aspak i përfillshëm krahasuar ta zëmë me buxhetet bulimike elektorale apo teprinë stërmunduese auditive zgjedhore, aty ku mirëqënia e zgjedhësit ka më shumë rëndësi se rehatia e të zgjedhurit. Por ky nuk duket se është rasti ynë. Fatkeqësisht.

Rasti tragjik i interventit me përfundim fatal për Denisin para disa muajsh, është akoma më i trishtë. Në të, përtej dështimit të një sistemi, spikat dhe rrënimi shpirtëror i profesionistit mjekësor. Shkaku i fatkeqësisë u deklarua hipertermia malinje, një komplikacion i rrallë i anestezisë. Debati lindi për mungesën e medikamentit Dantrolen, që do të kishte rritur maksimalisht mundësinë e shpëtimit të pacientit. Strukturat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë në vend të “mea culpa” morale mbi mungesën e pafalshme të medikamentit (edhe sot vazhdon kjo situatë) dhe sigurisht për ti shpëtuar përballjes ligjore, vrapuan të minimizojnë rëndësinë e medikamentit.

Në këtë teatër u përfshinë edhe nëndrejtori i QSUT si dhe emra të “shquar” të anestezi-reanimacionit, për të përligjur trajtimin e bërë gjasme sipas protokollit dhe sidomos për të nënvleftësuar trajtimin e munguar, që realisht është dhe trajtimi i vetëm specifik. Me këto citime këta mjekë përqafuan në fakt nivelin më të ulët profesional për të mos përmendur rrokullisjen tronditëse të figurës së tyre morale. Kjo gjë, bëhet edhe më cinike nisur nga niveli i lartë i informacionit, dhe lehtësia e arritjes së këtij informacioni në kohën aktuale.

Dantroleni është i vetmi antidot për krizën e hipertermisë malinje. Kjo ishte përgjigjia e mbërritur nga qendra për studimin e hipertermisë malinje në Napoli, në institucionin e Avokatit të Popullit, pas kërkesës së këtij të fundit. Do të ishte me interes të dëgjonim sërish këto mjekë politikanë se si do të shpreheshin. Për të mësuar shkallën e rrënimit të tyre shpirtëror natyrisht.

Sistemi ynë shëndetësor vuan më së shumti nga dy kategori mjekësh; mjekët politikanë dhe politikanët mjekë. Mjekët politikanë, denatyrohen sistematikisht, servilosen në mënyrë rraskapitëse duke trafikuar opinione mjekësore për të përfituar privilegje e poste drejtuese në klinika spitalore duke monopolizuar skajshmërisht shërbimet çka sjell sigurisht frenim, mungesë të novacionit mjekësor dhe përparimit në diagnostikimin e trajtimin e patologjive të ndryshme.

Është kjo arsyeja pse sot, thuajse nuk ekziston asnjë bërthamë e specializuar në shërbimin mjekësor publik e cila të sigurojë diagnostikim dhe trajtim të përditësuar sipas udhërrëfyesve klinikë aktualë për cilëndo sëmundje. Kjo situatë amullie plotësohet nga klinika dhe spitale private të cilat trumbetojnë nën një reklamë imponuese se ofrojnë gjithçka; trajtim për çdo patologji, bebe për çdo moshë (paçka se legjislacioni mbi teknologjitë e riprodhimit të asistuar është jo i plotë) ekzaminime e intervente nga “profesorë” nga i gjithë rruzulli ndonëse disa syresh trajtojnë edhe kancerin me sodë buke.

Politikanët mjekë, janë soji i dytë i mjekëve shkaktar të dekadencës aktuale të sistemit shëndetësor. Të ndodhur në pozicione drejtuese, kryesisht të mangët profesionalisht, trafikojnë interesa personale në kurriz të sistemit shëndetësor. Shembuj të praktikave jotransparente mund të konstatohen lirisht në menaxhimin e burimeve njerëzore, e sidomos në mënyrat e rekrutimit të personelit mjekësor. Konkurset me fitues të paracaktuar, thirrje me seleksionim kandidatësh në konkurim apo konkurse të zhvilluara në mungesë informacioni janë metoda që kanë fituar me kohë “qytetarinë” në spitalet tona.

Përpos dëmit mbi sistemin shëndetësor, këta lloj mjekësh janë bërë një barrë për mjekët profesionistë. Ndërsa mjekët politikanë përfaqësojnë mjekësinë e bulevardit që jeton jashtë realitetit, mjekët e thjeshtë profesionistë kryejnë misionin e tyre në kushte ekstremisht të vështira, të papërkrahur, të lënë në harresë, të stigmatizuar dhe anatemuar pa të drejtë dhe jo në pak raste të mediatizuar në raste të izoluara akuzash por fatkeqësisht të harruar në përditshmërinë shumfish më të ndritur të punës së tyre.

A është e drejtë të krijohet koncepti i “tabula rasa” në sistemin tonë shëndetësor? Në mos qoftë e vërtetë kjo, është shumëfish më e drejtë të aspirohet për një riorientim dhe ripozicionim të mjekut karshi ofruesit institucional të shërbimit shëndetësor. Është koha për një ridimensionim të pilarëve moral të personelit mjekësor, të dëmtuar rëndë nga një sistem ku mbizotëron interesi i dyshimtë nga auditoret e fakultetit të mjekësisë, konkurset e specializimit e gjer në shpërndarjen “ministrore” të doktoraturave.

Është më i udhës koncepti “rilindje” për sistemin shëndetësor, sesa pritja shpresëkotë për ndryshime rrënjësore në një sistem të kompromentuar në nivel qelizor, ku çalon jo estetika cilësore por është trazuar struktura funksionale e shërbimit shëndetësor. Reformat gjysmake në shëndetësi nuk e kanë orientuar vëmendjen drejt hallkës më të fortë të sistemit, mjekut.

Në të kundërt, jo vetëm që mjeku sot nuk përbën hallkën më të fortë të shërbimit shëndetësor por është kthyer në locus minoris resistentia, pra, në pikën e thyeshme të këtij sistemi. Mjeku duhet të përbëjë nukleusin kortikal të reformës shëndetësore dhe jo këmbëzën e një arme të ndryshkur në duart e politikës. Sistemi aktual i përngjan një të lënduari terminal, ku duhet vendosur të japim coup de grâce apo të shpresojmë për rilindje. Personalisht shpresoj dhe besoj për një rilindje. Koha është tani.
 
*Mjek Gjinekolog- Obseter, Lezhë
(Titulli është i redaksisë, titulli original është:
Mes coup de grâce dhe Rilindjes së sistemit shëndetësor )


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)