TIRANE- Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa ka reaguar ndaj raportit të auditit të kryer nga Universiteti i Mjekësisë, raport i cili u publikua një ditë më parë në gazetën “Shqiptaraja.com”. Sipas dekanit Hysa, ky auditim i kryer nga rektorati është një hakmarrje ndaj fakultetit.

“Fakulteti i Mjekësisë prej gati një viti është në disa procese gjyqësore me Rektoratin e UMT-së dhe dyshoj se grupi i auditit gjatë kontrollit ka manifestuar edhe pasionet hakmarrëse të një Rektorati që dështoi që në qelizë një universitet mjekësor, dhe që unë si dekan i kam denoncuar si në instancat shtetërore, të drejtësisë dhe të medias. Është Rektorati i UMT-së që ka abuzuar me fondet e Fakultetit të Mjekësisë në një shumë prej mbi 100 mln lekë të cilat ia kam bërë të qartë MAS dhe instancave të tjera”, deklaron Dekani Hysa.

Sipas tij, mënyra se si është kryer auditi është e padrejtë pasi, dokumentacioni i kontrolluar nuk është bërë në prani të financieres e cila ka qenë me raport për arsye shëndetësore. Ndërkohë që sipas Hysës nuk është shkelje apo dëm ekonomik pagesa e faturave të institucionit. “Tërheq vëmendjen se procesi i auditimit është kryer pa praninë e punonjëses së financës Znj. Mimoza Hysolli, për shkak ka qenë e sëmurë. Theksoj se përkufizimi i nocionit “dëm ekonomik” është tejkaluar në mënyrë të qëllimshme nga Grupi i Auditit.

Nuk mund të quhet dëm ekonomik për institucionin pagesa normale e faturave të energjisë elektrike, ujit, telefonit dhe shpërblimeve në rast fatkeqësie, sëmundjeje apo daljeje në pension drejt subjekteve përfituese” thekson dekani i fakultetit të Mjekësisë. Sa i përket pagesave të kryera për honorare, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, sqaron se struktura e punonjësve është miratuar nga Këshilli i Administrimit dhe për atë periudhë kohe dhe ish-Rektorja e ka bërë miratimin e tyre.

“Këta punonjës mësimore dhe pedagogjike i kanë kryer detyrat e tyre të përcaktuara në marrëveshjen që kanë lidhur me Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë, duke respektuar në mënyrë rigoroze programin mësimor të miratuar. Konstatimi si dëm ekonomik i punës së tyre të kryer është në kundërshtim flagrant me parimet e Kodit të Punës, sipas të cilit puna e kryer duhet të paguhet”, sqaron Hysa, duke nënvizuar se rekrutimi i stafit pedagogjik është bërë sipas kërkesave të Ligjit për Arsimin e lartë. Për Dekanin e Mjekësisë Auditi i nisur por dhe shumë nisma të tjera janë hakmarrje ndaj institucionit që ai drejton. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)