TIRANË - Mjekët e QSUT kanë lajmëruar zhvillimin e një proteste ditën e nesërme (24 shtator) përpara spitalit nr.1 të kompleksit spitalor.

Sipas njoftimit nga Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, protesta do të zhvillohet rreth orës 10:00 dhe do të zgjasë një orë. Ata kërkojnë plotësimin e 4 pikave prej institucioneve shtetërore të cilat lidhen me kushtet ku punojnë si dhe me pagesat e tyre.

Më konkretisht ata kërkojnë që mjekët të cilët humbin jetën në krye të detyrës të shpallen dëshmorë të kombit, rritje të pagave, sigurimin e jetës së personelit shëndetësor dhe tu sigurohen të gjitha kushtet në punë.

Ndërkohë si pasojë e ligjit në fuqi që ndalon tubimet, policia e ka refuzuar kërkesën e mjekëve. “Zhvillimi i këtij tubimi në kohë pandemie, përbën rrezik real për shëndetin tuaj dhe të qytetarëve të tjerë. Ju rikujtojmë se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale, për pjesëmarrje dhe grumbullime të paligjshme” thuhet në shkresë.

Gjithashtu mjekët kishin lënë dhe një afat prej dy javësh për institucionet shtetërore që të kthejnë një përgjigje për kërkesat e tyre. Lidhur me këtë, ka reaguar kryeministri Rama i cili i ftoi mjekët në zyrën e tij ditën e nesërme (24 shtator) në orën 9:00.

Kërkesat e plota:
1. Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.
2. Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
3. Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
4. Personelit shëndetësor të çdo niveli t'i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Njoftimi i plotë i SPShSh:
Ju lutem gjeni bashkëngjitur njoftimin për shtyp të Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, SPSHSH, të cilët do të organizojnë një protestë një orëshe ditën e Enjte, më 24 shtator 2020, ora 10:00, në sheshin para spitalit nr. 1, pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Tiranë. 

Protesta ka për qëllim sensibilizimin dhe llogaridhënien e institucioneve përgjegjëse për garantimin e pagave dinjitoze dhe kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë për punonjësit shëndetësorë për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së tyre në luftën me COVID-19.

Situata e koronavirusit në vendin tonë vijon që të qëndrojë e njëjtë ku gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar 121 raste të reja ndërkohë që 3 persona të tjerë kanë ndërruar jetë.

Kërkesat e mjekve

Refuzimi nga ana e policisë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:47
Protesta e mjekëve, Rama i fton nesër në zyrën e tij

Pas njoftimit të mjekëve të QSUT për zhvillimin e protestës ka reaguar kryeministri Rama.

Ai i ka ftuar ata në zyrën e tij në orën 9:00 ndërkohë që protesta ishte parashikuar në 10:00 përpara spitalin nr. 1 në QSUT.