Mjeku Ilir Allkja mbajti një fjalim në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për mosmbajtjen e premtimeve elektorale dhe kërkoi dorëheqjen e tij.

“Sot Rama e shthuri gjuhën dhe u bë mashkulli më i padenjë në karrigen e kryeministrit. Unë jam sovrani dhe kam të drejtë t’i kërkoj llogari Edi Ramës”, u shpreh ai.

Mjeku renditi një sërë premtimesh që, sipas tij, nuk janë mbajtur nga qeveria. Ai tha se premtimi për shëndetësi falas ka dështuar, duke pretenduar se shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi.

Allkja kritikoi gjithashtu situatën me furnizimin me ujë të pijshëm, duke deklaruar se shumica e qyteteve nuk kanë ujë 24 orë në ditë, pavarësisht premtimit të bërë nga qeveria. Ai ngriti shqetësime edhe për rritjen e çmimeve të ushqimeve, gjendjen e arsimit duke iu referuar rezultateve të testit PISA, si dhe për mbrojtjen e territorit.

Në përfundim të fjalës së tij, Allkja kërkoi largimin e kryeministrit nga detyra, duke e akuzuar se nuk ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë katër mandateve në qeverisje.


Lajmi kryesor:

Pas tensioneve te Parlamenti, protesta e 31-të nis me tone kërcënuese, organizatori Arben Kola: Nuk mbajmë përgjegjësi për dhunën e popullit nga sot e tutje