Mjeshtrja e elektromotorëve në 'Një nga ne': Fitova miliona me avolzhimet, por nuk e do askush si punë

Ka dalë në pension, por nuk mund të rrijë duarkryq kur në Rrëshen kanë nevojë për të. Kjo është periudha më me fluks pune për Tereze Lekën, gruan e vetme që merret me avolzhime elektromotorësh prej 50 vitesh.

“Këtu kam ardhur që 17 vjeç. Kur vijnë dhe të luten në shtëpi, a mundesh mos me i dhënë ndihmë?  E shoh veten që mund të jap dhe pak. Këtu ka punë më shumë sezonale. Më shumë kam kërkesa të pompave të ujit dhe elektromotor të zdrukthtarive, aparate fshirëse xhami etj. Është më mirë të bësh një avolzhim tek unë që bën 50 mijë lekë sesa të shkosh ta blesh të re. Është e rëndësishme t’i riparosh sepse është çmim simbolik riparimi dhe zanati të ndihmon shumë të ecësh përpara në ekonominë familjare”, tregon Tereze për “Një nga ne”.

Pavarësisht sesa kompleks mund të jetë riparimi, vitet që mban mbi supe i kanë dhënë siguri dhe lehtësi për të kryer çdo porosi me saktësi.

“Kam mbaruar shkollën elektrike në Shkodër si elektroaute dhe kam bërë praktikë në Uzinën e Telit. Më pëlqeu shumë si zanat dhe kam bërë specializim në Shkodër dhe një vit në Durrës vetëm për avolzhimet. E kisha shumë pasion, ndonëse në atë kohë ka pasur vështirësi dhe është paguar vështirësia e punës.

Më shumë më pëlqente avolzhimi, sikur bëja punë dore. I nxirrje skemën, e prishje dhe pastaj e rregulloje. Më pëlqente se ishte dhe punë e pastër, por me shumë ndjesi. Duhet të kesh shumë vëmendjen se për diçka të vogël, korrenti nuk punon, ai nuk të lidhet. Edhe e vështirë ka qenë sepse këtu ka të bëjë gjithçka me korrent dhe me llogari elektrike”.

Thekson se pa patur një shkollë elektrike, nuk mund ta ushtrosh si zanat. Dikur vlerësohej edhe nga ana monetare vështirësia e punës.

“Kam punuar në SMT rreth 18 vjet, kam punuar dhe në Tiranë. Këtu kishte vetëm punë sezonale ndërsa atje kishte punë të vazhdueshme përditë dhe atje kam qenë shumë e kënaqur. Ndër eksperiencat që kam pasur, ka qenë herë e ngarkuar dhe herë e qetë. Periudha më e ngarkuar ka qenë projekti impenjativ i firmës turke. Ishte shumë e ngarkuar dhe kishim përgjegjësi sepse po qe se elektromotori nuk ishte në standardet e veta, njerëzit mbyteshin brenda në tunel.

Fitimi atëherë sidomos me firmat ka qenë marramendës. Ka pas muaj që kemi kap 6 milionë ose 10 milionë lekë të vjetra në muaj. Ka pasur muaj që kemi mbetur edhe me 100 mijë lekë të vjetra në muaj të dyja shoqet”, shprehet Tereze ndërsa shton se firmat në Mirditë e gjallëruan shumë jetën. Ndjen keqardhje pë të rinjtë që nuk i japin prioritet zanateve, por zgjedhin rrugën e emigrimit. Ky zanat dhe shumë të tjera janë drejt zhdukjes sepse të rinjtë nuk ulen për të mësuar apo punuar. Duan të ikin dhe u shkoi jeta në kurbet. Leku i zanatit pothuajse ia kalon çdo gjëje.”, përfundon Tereze.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00, në ekranin e Report Tv.

S.B/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

‘Në mandatin e katërt, rrisim pagën mesatare në 1 mijë euro’, Rama-emigrantëve në Athinë: Kush ka kurajon të kthehet në Shqipëri, do të ketë mundësinë që e kanë këtu

‘Në mandatin e katërt, rrisim pagën mesatare në 1 mijë euro’, Rama-emigrantëve në Athinë: Kush ka kurajon të kthehet në Shqipëri, do të ketë mundësinë që e kanë këtu