Ministrja e Mbrojtjes Kodheli u shpreh se , ky projekt është një shembull i mundësive që krijon bashkëpunimi, i cili për rastin konkret është domethënës për vlerën e investuar, kapacitetet teknike që do të krijohen në funksion të rimëkëmbjes dhe modernizimit të Institutit Gjeografik dhe Infrastrukturës Ushtarake ,si dhe të Shërbimit Hidrografik Ushtarakë. Për ministren e Mbrojtjes ky projekt sjell disa përfitime, pasi projekti do krijojë kushtet për ngritjen e infrastrukturës të të dhënave hapësinore detare dhe bregdetare, duke dhënë një impakt për zhvillimin e të gjitha degëve të ekonomisë që kanë lidhje me detin, si Turizmi, Ndërtimi, Peshkimi, Menaxhimi i Zonës Bregdetare, Transporti Detar etj.
Kodheli kërkoi që kjo eksperiencë të shërbejë si udhërrëfyes për veprimtarinë në të ardhmen, duke qenë kërkues në ndjekjen me vëmendje të arritjeve bashkëkohore dhe bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, për të qenë sa më koherentë, efektivë dhe eficientë në përmbushjen e misionit dhe detyrave tona themelore.
Më pas, të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori i Mbretërisë Norvegjeze në vendin tone, z. Jan Braathu.
Marrëveshja e partneritetit për zbatimin e projektit ALNO-HIP (Abanian–Norvegian Hydrographic Information Project} për palën shqiptare e nënëshkroi Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Arian Kraja dhe për palën norvegjeze drejtori i Shërbimit Hidrografik të kësaj Mbretërie, z. Evert Flier.
Projekti me një vlerë rreth 1,209, 740 euro do zgjasë tre vite kalendarike dhe katër vite financiare. Ai ka për qëllim kryesor përmirësimin e sigurisë hidro-lundrimore në hapsirën detare të RSH, nëpërmjet përmbushjes së detyrimeve të konventës IMO-SOLAS.
Gjithashtu projekti do bëjë të mundur aplikimin e teknologjive dhe metodave të reja për mbledhjen e të dhënave batimetrike të relievit të fundit të detit, menaxhimin e tyre dhe, në bashkëpunim me IGJU, realizimin e hartave të reja elektronike.
Përveçse Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në këtë ceremoni morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Tiranë, z. Jan Braathu, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, drejtues të Shërbimit Hidrografik të Norvegjisë, përfaqësues të Shërbimit Hidrografik Shqiptar dhe Institutit të Gjeografisë Ushtarake të FA etj.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)