MOBILIZIMI/ Bashkia e Tiranës miraton bonusin e qirasë për 554 familje, Veliaj: Padi për këdo që pengon evakuimin

MOBILIZIMI/ Bashkia e Tiranës miraton bonusin e qirasë për 554 familje, Veliaj: Padi për këdo që pengon evakuimin

Edhe ditën e sotme, politika ka nisur të vizitojë banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ku mbetën të vdekur disa banorë, e shumë të tjerë u plagosën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:47
Spiropali: Pranë qytetarëve për të siguruar që çdo objekt do inspektohet e çdo hall do adresohet

1575741088_spiro.jpg

Ekipet e inxhinierëve shqiptarë dhe të huaj po vijojnë inspektimet në çdo banesë dhe pallat në zonat e prekura nga tërmeti, për të parë shkallën e dëmtimit të tyre dhe për të përcaktuar tek cila kategori dëmtimi hyjnë.

Në Kavajë u inspektuan sot nga ekipi i inxhinierëve rumunë godinat e prekura nga tërmeti. Gjatë këtij inspektimi ishte e pranishme dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali së bashku me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ambasadorin e Rumanisë, Mircea Perpelea.

Sot në Kavajë me Taulantin, Arbenin dhe Redin për të inspektuar bashkë me ambasadorin e Rumanisë Mircea Perpelea dhe ekipin e inxhinierëve rumunë, godinat e prekura nga tërmeti”, u shpreh Spiropali.

Spiropali gjithashtu u shpreh se jemi pranë qytetarëve për të siguruar që çdo objekt do inspektohet, pra ecim përpara, por pa lënë askënd pas.

Pranë qytetarëve për të siguruar që çdo objekt do inspektohet dhe çdo hall do adresohet”, tha Spiropali.

Ora 21:20
Bonusi i qirasë për të prekurit nga tërmeti, Veliaj: Nuk do lejojmë spekulimet në tregun imobilar

Kreu i Bashkisë Erion Veliaj deklaron se do të monitorohet tregu imobilar në mënyrë që të mos ketë abuzime dhe të shmangen spekulantët. Në fjalën e mbajtur në Këshillin Bashkiak ku u miratua bonusi i qirasë për një vit për 554 familjet e para të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, Veliaj theksoi se Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit do të ketë nën kontroll të gjithë procesin. 

“I kam kërkuar Agjencisë sonë të Mbrojtjes së Konsumatorit edhe me porosi të kryeministrit, që do u kërkojmë edhe agjencive të tjera qendrore që merren me çështje të konkurrencës dhe tregut që të mos kemi spekulantë që sigurisht nuk mungojnë në raste të tilla. Rasti është mjaftueshëm i rëndë, sa shumica jo vetëm që nuk do spekulojnë me çmimet, por do japin edhe një discount (ulje) ose ndihmën e tyre maksimale për të mos e përdorur të gjithë shumën që jep Bashkia mundësisht edhe të kursehet diçka që të plotësohen nevoja të tjera, teksa ne kemi dhënë 100 % të vlerës së tregut”, tha Veliaj.  

Kreu i Bashkisë u shpreh se bonusi i qirasë për familjet do të kalojë në llogaritë bankare të familjeve të prekura nga tërmeti duke filluar që nesër, në mënyrë që të procedohet shpejt më pas edhe me pjesën e merimentimeve të banesave.

“Të hënën ne do fillojmë dërgimin në llogari që nesër, por ndërkohë që deri të hënën o në llogari bankare ose në postë në varësi të sistemit me të cilat ata tërheqin pagesën, do të jetë aty dhe pasi të mbarojë këtë listim, do të kalojmë në vendimet e tjera që janë po aq të rëndësishme sidomos për ata që ndoshta nuk janë të pastrehë, por që kanë nevojë për meremetimin apo vendimet e tjera që kanë të bëjnë me demolimin e disa ndërtesave”, tha Veliaj.

Ora 21:02
Bashkia e Tiranës miraton bonusin e qirasë për 554 familje, ja lista e plotë

1575573106_Screenshot1.jpg
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi mbrëmjen e sotme bonusin e qirasë për 554 familjet e para, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme për shkak të tërmetit. Pas përgatitjes së dosjeve në një kohë rekord, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur kalimin e listës së parë të familjeve të prekura nga tërmeti i javës së shkuar që kanë aplikuar për bonos qiraje me kushtet e tregut. Masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të njësive të banimit. Të gjitha këtyre familjeve bonusi i qirasë do ti kalojë që gjatë ditës së nesërme në llogaritë e tyre bankare. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës do të vijojë të miratojë listat e tjera për të gjithë ata që po aplikojnë për tu trajtuar financiarisht për përballimin qirave të apartamenteve në Tiranë.

(Kliko këtu për të lexuar listën e plotë)

Ora 20:13
Basha takon banorët e një pallati në Durrës: Verifikimi të bëhet sa më shpejt

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë ditën e sotme në qytetin e Durrësit, ku ka takuar familjet një pallati banesat e së cilëve kanë pësuar dëmtime nga tërmeti. Siç njofton zyra e shtypit të PD-së, banorët kanë shprehur pakënaqësi sa i përket verifikimit të banesa. Sipas Bashës, qeveria nuk po u përgjigjet në kohë familjeve që duan të dinë nëse banesat e tyre janë të banueshme ose jo.

"Në Durrës banorët kanë ditë të tëra që flenë me fëmijët në çadra ose makina sepse vlerësimi i banesave nuk ka përfunduar ende dhe ndjehen të  pasigurt të kthehen në apartamente.

Ata u shprehën të shqetësuar se askush nuk është interesuar dhe se kur kanë kerkuar sqarime në bashki, nuk kanë gjetur përgjigje. Ankesa patën po kështu për mungesën e ndihmave në këto ditë të vështira për ta. Qeverisja lokale dhe qendrore e ka për detyrë tu vijë në ndihmë dhe tu përgjigjet qytetarëve në çdo kohë, dhe tani më shumë se kurrë për  shkak të traumës që kanë kaluar nga tërmeti.

Vlerësimi i pallateve dhe shtëpive është i domosdoshëm dhe duhet të kryhet pa vonesa. Për këtë arsye qeveria duhet të angazhojë pa humbur kohë inxhinierët që janë të gatshëm të kontribuojnë. Organizimi dhe autorizimi shtetëror i një kontigjenti prej 500 inxhinierësh të gatshëm të angazhohen, do të mundësonte përfundimin pa sorollatje të vlerësimit të çdo objekti të dëmtuar nga tërmeti, në mënyrë që qytetarëve tu jepet qartësi dhe siguri", tha Basha.

Ora 18:33
Basha në Bubq dhe Lezhë: Duhen inxhinierë profesionistë, silluni banorëve ndihmat emergjente, më tej vlerësimi!

Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar takimet me banorë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ku pas Rranxës në Krujë ishte në Bubq dhe në Lezhë.

Banorët, të cilët qëndrojnë jashtë, thonë se askush nuk ka shkuar për të vlerësuar dëmet apo për t’u ardhur në ndihmë me ushqime, ngrohje, veshmbathje për fëmijët dhe të moshuarit e sëmurë. Ndihma u kanë ardhur edhe nga Kosova, ndërsa disa familje jetojnë në çadrën e cila u erdhi 1 javë pas tërmetit.

 “Kanë ardhur punonjës të Bashkisë dhe jo specialistë”, thonë ata, duke shkaktuar se shtëpitë e tyre u dëmtuan që në 21 shtator.

Kryetari Basha bëri thirrje që inxhinierë të specializuar duhet menjëherë të vlerësojnë gjendjen në Borizanë dhe jo punëtorë të bashkisë dhe të jepet zgjidhje për familjet.

“Gjëja e parë që duhet është të vlerësohet dëmi dhe të jepet zgjidhje. Në bazë të dëmit të ndahen paratë për rindërtim. Kemi ardhur për të ndihmuar me ç’të mundemi. Do bëjmë gjithçka për t’ju ndihmuar. Do të ngremë zërin që shteti të ndërhyjë”, tha Basha.

Në Bubq Basha qëndroi në qendrën e ndihmave në Bubq ku është ngritur shtabi vullnetar për të shërbyer me ushqime, ilaçe, veshje, ngrohje dhe mjek.

Nga qyteti i Lezhës Basha përsëriti qëndrimin se është nevojë emergjente për grupe vlerësimi nga inxhinierë profesionistë.

"Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga tërmeti, ende në shumë banesa nuk është bërë vlerësimi duke lënë banorët në pasiguri.  Zgjidhja fillon që nga ndihmat emergjente për të cilat banorët kanë nevojë, e deri te çertifikimi zyrtar i banesave.  Duhet urgjentisht të alokohen dhe shpërndahen fonde për familjet në zonat rurale në mënyrë që të nisin riparimin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara. Qindra milionat e ndara për oligarkët dhe që nuk kanë asnjë impakt në jetën e qytetarëve duhet tu kalojnë njerëzve të mbetur pa strehë, ndërsa moti është ftohur, dhe pritet të intensifikohen reshjet", tha Basha.

Ora 18:23
Bejtja përgënjeshtron Bashën nga Kruja: Ka përfunduar inspektimi për 28 banesa në Rrëzë, ushqim e strehim për 17 familjet


Zvministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, njëkohësisht anëtar i zyrës operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore ka përgënjeshtruar sot nga Kruja deklaratat e liderit të opozitës Lulzim Basha duke i cilësuar të pabaza.

Z.Bejtja ishte sot në fshatin Rrëzë, njësia administrative Cudhi (Krujë), ku ka përfunduar verifikimi i 28 banesave të dëmtuara nga tërmeti, prej të cilave 9 janë shpallur të pabanueshme. Zvministri Bejtja në një prononcim për mediat tha se akuzat e Bashës për mungesë të vëmendjes së shtetit për këtë fshat, janë të pabaza.
“Fatkeqësia natyrore nuk duhet të shfrytëzohet politikisht. Dua tju them se i gjithë shteti është në këmbë.

Konkretisht për fshatin Rrëzë, janë shpërndarë ndihma në ushqime e veshëmbathje për 17 familjet e këtij fshati. Ka përfunduar procesi i verifikimit të 28 banesave në këtë fshat, ku 9 prej tyre janë shpallur të pabanueshme, ndërkohë është asistuar i gjithë procesi i akomodimit të banorëve. 5 prej familjeve të pastreha në këtë fshat kanë kërkuar strehim të përkohshëm pranë ambienteve të tyre të banimit, sipas kërkesës së tyre, ndërsa 4 familje të tjera janë strehuar pranë të afërmëve”, u shpreh zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Ilir Bejtja.

Prononcimi i plotë:
“Dëgjuam Kryetarin e Partisë Demokratike të thotë nga Kruja se duhen hapa konkretë.
Dua të them: Ne po bëjmë hapa konkret dhe i gjithë shteti është në gadishmëri për të gjetur zgjidhje.
Në Thumanë, ku fatkeqësisht patëm humbje të jetëve njerëzore për të cilat shprehim ngushëllim të thellë familjeve, 105 persona mbetën të pastrehë, në kushte emergjence ata u strehuan në kampe apo terrene sportive.
Menjëherë banorët u dërguan nga kampet për strehim në hotele të cilët u treguan të gatshëm për të bashkërenduar punën në këtë drejtim.
Sa i takon inspektimeve në terren:
Bashkia Krujë
Banesa të inpektuara: 2040 banesa
Të shpallura të pabanueshme : 701 shtëpi
Pallate të prishura : 8 në Thumanë

Pallatet :
Të pabanueshëm : 8 ( që duhen prishur)
Të dëmtuar rëndë : 47 pallate

Ora 17:26
Veliaj: Padi penale për këdo që pengon evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve

1575563216_veliaj.jpg

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,  paralajmëroi me ndjekje penale të gjithë ata që do të pengojnë uniformat e shtetit në evakuimin e banorëve nga godinat e klasifikuara të rrezikshme prej tërmetit.

“E kuptoj se në një vend si Shqipëria, edhe kur je në ditë të fatkeqësisë, edhe kur je në një situatë të vështirë emergjence dhe fatkeqësie natyrore, politika e vjetër nuk heq dorë; skenat që pashë mbrëmë, ku një ish-deputete shkonte dhe therej me policinë dhe zjarrfikësen, ishin të pashembullta. Ky nuk është momenti për të bërë politikë. Do të vijnë në 2023 zgjedhjet lokale dhe le të fitojë më i miri, nëse nuk e bëjmë mirë këtë punë. I bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë, deputetë, ish-deputetë, çfarëdo qofshin, na lini të bëjmë punën, ky është menaxhim i emergjencës, kjo nuk është fushatë elektorale, kështu që nëse më parë këta personazhe i kam çuar dhe i kam paditur në gjykatë për shpifje dhe i kam fituar ato beteja, kësaj here do t’i padis penalisht, nëse dikush pengon zjarrfikësen apo policinë që të bëjë evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve do të paditet penalisht. Lini forcat e rendit, zjarrfikëset dhe stafin me uniforma të bëjë detyrat sipas ligjit dhe të respektojë vendimet e Këshillit Bashkiak, pastaj bëni politikë sa të doni”, tha Veliaj.

Ora 11:51
Shërbim shëndetësor falas për familjet e pastreha nga tërmeti

Për qytetarët e mbetur pa strehë që janë vendosur në pikat e emergjencës është siguruar shërbim shëndetësor pa ndërprerje.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se po garantohet vaksinimi kundër gripit për të sëmurët kronikë, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, për t’i mbrojtur nga viruset stinore.

“Kemi siguruar shërbim shëndetësor pa ndërprerje për qytetarët e mbetur pa strehë që janë strehuar në pikat e emergjencës. Po garantojnë vaksinimin kundër gripit për të sëmurët kronikë, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, për t’i mbrojtur nga viruset stinore”, -thotë Manastirliu

Ora 11:09
Profesoresha japoneze Kubota sjell ekspertizën nga Japonia në përballimin e tërmeteve

Ka mbërritur në Tiranë profesoresha Aya Kubota, nga Departamenti i Zhvillimit Urban në Universitetin e Tokyos, e cila u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ajo do të zhvillojë sot disa takime me grupet e emergjencës nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Doktoreshë Aya Kubota theksoi se shkëmbimi i eksperiencës japoneze do t’i shërbejë Shqipërisë, që të jetë e përgatitur për të përballuar situata të tilla. “Japonia ka shumë eksperiencë me katastrofat dhe ne mund të kontribuojmë në zonat e prekura. Të premten, në 6 dhjetor, në Tiranë, do të kemi një simpozium akademik me profesionistë nga kryeqyteti dhe profesionistë lokalë. Ne, nënkuptoj skuadrën japoneze, do të kemi disa prezantime dhe unë shpresoj se një mundësi e tillë është një lloj hapi për një plan afatgjatë. Nëse mund ta ndajmë këtë mundësi sa më shumë që të jetë e mundur do të isha shumë mirënjohëse”, tha profesoresha Kubota.

Veliaj theksoi se përvoja japoneze në përballimin e emergjencave që shkaktojnë tërmetet do jetë një ndihmë e vyer për të gjitha ekipet e emergjencave civile të vendeve më të prekura nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit, por theksoi se është e nevojshme që nga kjo eksperiencë të përfitojnë edhe bashkitë e tjera të vendit. Gjithashtu, ai theksoi se është rëndësishme të përvetësohet edhe literatura apo studimet japoneze që kanë të bëjnë me tërmetet dhe përballimin e situatave të emergjencave.

Jam shumë i interesuar që ne të përkthejmë disa nga librat, manualet e mësimeve që janë nxjerrë nga eksperienca japoneze, t’i bëjmë pjesë të detyrueshme të punës për këdo që punon në emergjencat civile, në planifikimin për inxhinierë, qofshin publikë, qofshin privatë. Mësimi që na vjen nga Japonia, ku çdo krizë është gjithashtu edhe një mundësi, një shans për t’i bërë gjërat më mirë dhe për të mësuar nga eksperiencat e kaluara, besoj se është diçka që na intereson jashtë mase”, tha Veliaj.

Duke iu referuar situatës në terren, kreu i bashkisë së Tiranës theksoi se ndërtimet e bëra me punë vullnetare gjatë kohës së komunizmit janë ndërtimet që kanë shfaqur më shumë probleme, ndërsa theksoi se shumica dërrmuese e ndërtimeve të pas ‘90 kaluan një test shumë të rëndësishëm të rezistencës së tyre.

“Shtëpitë ose pallatet në Tiranë, që u ndërtuan me punë vullnetare, me parafabrikate, me tullat silikate, me mësues dhe infermierë që ndërtonin shtëpitë e tyre sikur të ishin muratorë, nuk i qëndruan testit të kohës. Në këto zona ku u prek Tirana, nuk ishin ndërtimet e viteve të fundit, por ishin ndërtimet e fundit të komunizmit, ku materialet e varfra, me njohuri të varfra për ndërtimtarinë, na shkaktuan atë fatkeqësi. E gjithë kjo njohuri, si të dhënat që mbledhim nga terreni, por edhe mësimet që na vijnë nga Japonia, janë pasuria më e madhe për të rregulluar punët tona për të ardhmen, që mund të dalim nga gjithë kjo tragjedi e pashembullt”, tha ai.

Ora 10:48
Basha në Rrëzë të Krujës me banorët e prekur nga tërmeti: Duhen hapa konkretë, gjendja po rëndohet

1575539325_basha.jpeg

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar banorët në Rrëzë të Krujës, ku sipas tij, me dhjetëra familje me fëmijë të mitur janë në qiell të hapur pasi banesat e tyre janë të pabanueshme.

“Dhjetëra familje me fëmijë të vegjël në Rrëzë të Krujës, kanë mbetur krejt të vetëm në përballimin e pasojave që u la tërmeti i javës së kaluar.

Për fat të mirë në këtë fshat nuk pati asnjë viktimë, por pothuajse të gjitha shtëpitë janë të pabanueshme. Asnjë masë nuk është marrë për ta. Asnjë ndihmë, asnjë çadër apo ushqim, nuk u ka ardhur nga shteti.

Duhet hapa konkretë dhe zgjidhje emergjente sepse gjendja e tyre po rëndohet edhe nga moti i ftohtë.

Pa humbur kohë 150 milion dollarët që janë ndarë për 10 oligarkë duhet të kalojnë për banorët e dëmtuar nga tërmeti që sot janë në qiell të hapur.

Qeveria duhet të nisë lëvrimin e fondeve për tu ardhur në ndihmë banorëve në zonat rurale për të cilët është e pamundur zhvendosja, në mënyrë që të nisin riparimin apo rindërtimin e shtëpive të shkatërruara.”-shprehet Basha. 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lylzim shal ngjiti: 05/12/2019 19:34

    O lylzim pse se bën ti rolin e 8n hinjerit se ti di mir dhe tabelën e shumzmit. 7×7=42 E ti rolin e inxhinjerit e bën në mënyr spektakolare o lyli kollare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK/ Detyrim paraqitjeje për gazetarët Artan Hoxha e Elton Qyno, momenti kur dalin nga Prokuroria me dosje në duar (VIDEO)

Operacioni i SPAK/ Detyrim paraqitjeje për gazetarët Artan Hoxha e Elton Qyno, momenti kur dalin nga Prokuroria me dosje në duar (VIDEO)