Shifrat janë emocionuese dhe shumë njerëz irritohen prej tyre, por e keqja nuk është tek ato shifra, por tek modeli i medies. Grupi Klan është sot një perandori e ngritur në shkretëtirë, e cila kushton më shumë të mbahet se sa të ndërtohet. Frangaj ka ndërtuar mbi tokën, që u ka ndaluar pronarëve ta marrin, një kështjellë gjigante me beton me disa studio produksioni, dhe luks të tepërt për Shqipërinë e varfër. Duke qenë se e ka marrë tokën me truke ligjore që ia rekomandonte vetë kryeministrit, dhe i ka lënë pronarët me gisht në gojë, duke qenë se e ka financuar ndërtimin me reklamën pa fund të shtetit, duke qenë se ka rinovuar teknologjinë falë garancive që jepte biznesi dhe qeveria në krah të tij, ai sot i ka formalisht të gjitha, godinat, studiot, njerëzit dhe licencën e TV kombëtar, plus një tjetri TV lokal.
Por për të qëndruar në këmbë një medie e tillë, ka nevojë të ushqehet vazhdimisht nga i njëjti burim që e krijoi.
Që TV Klan të mbetet në këmbë, duhen t’i krijohen disa kushte specifike, të cilat janë për t’u parë si një test për pushtetin e ri.
Duhet parë nëse qeveria do ta pranojë zellin natyral të TV Klanit për të qenë medie pro- qeverisë në shkëmbim të reklamave të pafundme shtetërore dhe favoreve që të sigurojë mbijetesën e saj. Nuk kam parë shenja agresiviteti të qeverisë ndaj Klanit, dhe mirë që nuk ka, por as ndonjë kujdes të veçantë për t’i pasur sërish gazetarë oborri. Nuk kanë raporte të këqija personale, nuk është se Sandri nuk merr në telefon ministra dhe nuk bën si i rëndësishëm, por nuk shikoj të ketë ndonjë shqetësim nga qeveria për t’u kujdesur si për ndonjë klient special. Ky është një rrezik real për modelin e medies së TV Klanit. Ai është një model që rrëzohet jo duke e luftuar, por thjesht duke mos u përqafuar me të.
Një aspekt tjetër i reflektimit për mbijetesë të kësaj medie mbetet programacioni. Pas ndryshimit të pushtetit, Opinioni i Fevziut vazhdon të mbetet një sallon protokolli politik, por pjesa tjetër e programacionit po zbehet dhe po tenton të bëhet neutrale. Kjo rrezikon ta lërë Klanin pa identitet, si një medie që nuk është as mish, as peshk dhe të ulë rëndësinë e saj. Për shkak të historisë së tij, Klani ka vetëm një rrugë për t’u bërë i rëndësishëm dhe ai është që të ruajë pozicionin e tij politik pro PD-së, natyrisht duke sakrifikuar luksin dhe milionat që ka fituar gjatë pushtetit të saj.
Nëse rreshtohet pro opozitës, ai së paku do të ruajë mbështetësit e tij në ekran, por do të marrë riskun e të mbijetuarit me dhjamin e vet, që ka vënë nga pushteti i Berishës.
Por në rrezik nuk është vetëm TV Klani, por gjithë media televizive shqiptare që e ka parë mbijetesën e saj tek modeli i Klanit. Pas Klanit ka disa televizione të tjera, që janë në treg jo se tregu ka aq reklama në dispozicion sa të mbijetojnë ata, por se politika ka stimuluar mbijetesën e tyre. Përjashtoi Top Channel, që ka prodhuar një medie, e cila mbështetet mbi shitjen e produktit të saj përmes Digitalb, mediat e tjera televizive, por dhe të shkruara, janë në mëshirë të modelit Klan, pra të raportit që ata do të kenë me pushtetin për të siguruar mbijetesën.
Për këtë arsye, media shqiptare është e gjitha në sprovë për t’u ristrukturuar si një medie që duhet të mbijetojë vetë, ose të përfitojë nga mbijetesa e modelit të Klanit. Kjo është mbi të gjitha një test për pushtetin e ri. Nëse ai përfshihet në tregun e medies duke tentuar t’i mbajë të gjithë në lojë me paret e taksapaguesve, do të ketë një kockë dhe për modelin Klan. Nëse heq dorë nga tregu i medies dhe ia lë atë fatit të tregut, atëherë do të japë vërtet një kontribut për lirinë e medies.
Hetimet që kanë nisur, por ngecin në prokurori për modelin e financimit të Klanit, janë sinjali i parë se pushtetet në Shqipëri nuk janë të gatshme të vënë gishtin në plagë. Operacioni i fundit financiar i Arben Imamit disa muaj para zgjedhjeve, për të kaluar gjithë fondet e ushtrisë në llogarinë e një prej kompanive të TV Klanit, e cila pastaj është çregjistruar, i ngjan një grabitje banke. Ai është një rast që duhet dënuar, jo për shkak të emrave të përveçëm, por interesit të përgjithshëm që zyrtarët në këtë vend të heqin dorë nga firmosja e milionave për median që e konsiderojnë pjesë të pushtetit të tyre.
Modeli i TV Klanit nuk është më test për TV Klanin, por për pushtetin e ri. Mbijetesa e atij modeli është dështim i kësaj qeverie, dhe ristrukturimi i tij është një hap përpara medias së lirë.
(Marre nga Tema online)