Moikom Zeqo: Letërsia
shqiptare është provinciale

Moikom Zeqo: Letërsia <br />shqiptare është provinciale
Libri i Sinopseve" i shkrimtarit Moikom Zeqo, që mbart refleksionet krijuese tepër intime të autorit (skicuar gjatë viteve si bërthama të dhjetëra veprave), bëhet shtysë e një reflektimi të thellë për gjendjen e sotme të letërsisë shqipe. Shkrimtari në prag të ndarjes së çmimeve vjetore të letërsisë nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës flet për gjendjen e sotme të letërsisë shqipe. A janë të gjithë shkrimtarët e shpallur si të mëdhenj realisht të tillë; sa është integruar niveli i letërsisë shqipe në letërsinë botërore; çfarë pritej në 22 vjet liri krijimtarie, pas rënies së diktaturës, dhe pse nuk ka ndodhur që të ketë autorë të mëdhenj? Provincializmi, tradita romantike dhe dhjetëra argumente të tjera e bëjnë këtë autor të njohur të letërsisë të pohojë se letërsia shqiptare është ende e pazhvilluar, "provinciale".

Si pasojë, sipas Moikom Zeqos ka shumë pak shkrimtarë të shquar shqiptarë. "Letërsia urbane, e cila është letërsia më e mirë shqiptare, ka vetëm tre përfaqësues të mëdhenj që e lidhin me letërsinë botërore. Këta janë Faik Konica, Migjeni dhe Ismail Kadare", thotë ai. Zeqo shton se "asnjë tjetër nuk ka arritur dot të bëj një letërsi të madhe universale, urbane". Madje, sipas tij, s'e ka barë këtë as ndonjëri nga talentet e reja. "Ata janë vetëm embrione fillestare të një letërsie moderne", thotë Zeqo. Duke folur rreth sekretit të krijimtarisë, duke publikuar "Librin e Sinopseve", Zeqo rrëfen edhe se cila është e duhet të jetë letërsia e vërtetë. "Nuk ka letërsi shqipe, -thotë ai, -por ka letërsi botërore të shkruar në gjuhën shqipe"...


Profesor, pas një pauze të shkurtër krijimtarie ju shfaqeni me botimin e "Librit të sinopseve". Çfarë të reje sjell ky libër?
-Në të vërtetë botimi i "Librit të sinopseve" është një pjesë e një koleksioni të prozave të shkurtra që kam filluar të botojë "Gjumashët e Efesit", "Adami i fshehur", "Refuzimi i shkrimit", Vetullat hyjnore", etj. Kjo është me qëllim për të institucionalizuar prozën e shkurtër në një misellanea të madhe (latinisht-përzgjedhje). Tani ky libër ndryshon nga librat e tjerë, sepse nuk është një libër me proza të përfunduara, por janë lloje skicimesh ftilluese dhe i kam quajtur Sinops. Gjatë shumë viteve, nga vite 1979-2009 kam bërë një numër të madh sinopsesh, të cilat do ishin të shndërruara në tregime ose në romane. Duke qenë të tilla, pra jo të përfunduara tërësisht në secilin sinops unë kam shkruar variantet A, B ose C, ose edhe si mund të shtjellohen sinopset. Pra, në esencë secili sinops ka diçka substanciale nga laboratori krijues.

Pra, ju keni zhveshur misterin e atij që quhet "laboratori krijues i shkrimtarit". Çfarë kuptimi ka kjo që bëni?
-Laboratori krijues është shprehje e lirisë krijuese, sepse shkrimtari është shumë herë më i lirë nga veprat të cilat i përfundon dhe që quhet grafikisht apo tipografikisht e përfunduar. Është një vepër, e cila në gjenezë e refuzon shtjellimin përfundimtar. Është një gjendje nebuloze. Pra, po të kalojmë në një koncept kozmogonik, janë nebulozat që kalojnë yllësitë apo sistemet yjore. Nga kjo pikëpamje mua më është dukur që në format e sotme të letërsisë, të shekullit të 21-të, do të thotë që shkrimi i prozës ka shumë më tepër në thelbin e vet variante dhe strategji kuptimore ose interpretimi. Pra nuk është thjesht diçka e mbyllur. Ky libër që unë e konsideroj libër të jetës sjell në mënyrë origjinale atë që quhet origjinaliteti krijues, ku ka një qëllim që t'i jap një mozaik subjektesh, të cilat në vetvete i jepen lexuesit si një ngacmim i madh mendor, që lexuesi mbi këto subjekte të papërfunduara të shtjellojë ndoshta variantin e tij të subjektit që lexon. Pra është një strategji, jo thjesht e shkrimit, por më tepër strategji e leximit dhe rileximit.

Si do të na e përshkruanit procesin tuaj të të shkruarit?
-Unë mbaj shpesh shënime. Këto shënime janë ato që interferojnë më pas. Unë quaj më të vështirë sintezën në letërsi, se erudicioni më të madh sot e ka Mister Google. Apo jo? Por kompjuteri s'di të bëjë sinteza? Sinteza në letërsi është mënyra sesi njeriu konceptualizon fakte ose subjekte. Letërsia nuk është gjë tjetër veçse një palimpsest i shumëfishtë. Atëherë në këtë palimpsest, kur subjektet tkurren kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën ose janë të ngjashme, ose nuk janë të ngjashme. E bëjnë shkrimtarin të ketë një atribut, vetëm në qoftë se ka origjinalitetin e tij.

Sa sinopse janë?
-Janë 125 sinpose, të cilat që nuk janë shkruar për botim. Këto janë fillime librash të konceptuara, një fazë parabotuese. Unë nuk i kam konceptuar që do t'i botojë këto si libra.

A mund të shërbejë ndonjë nga këto si roman i ardhshëm?
Potencialisht këto sinopse janë fillesa romanësh më shumë sesa tregimesh. Disa nga këto mund të kthehen në ndonjë skenar kinematografik.

Sapo përmendët Mister Google-in. Në një kohë që lexohet pak letërsia serioze, cili është lexuesi që prisni të keni?
-Unë nuk mendoj që lexuesi është një koncept unik. Ka nivele të ndryshme. Në kohën e sotme lexuesi masiv është lexuesi i kiç-kulturës, i bestsellerëve, i letërsisë hedoniste, i letërsisë për të kaluar kohën. Unë mendoj se letërsia është diçka krejt tjetër, është sublimimi i intelektit. Ndaj nuk ka letërsi masive. Kjo është kaq e vërtetë, sa nuk ka asnjë shkrimtar të madh, i cili të jetë populist. Marrim Homerin. Homeri është shkrimtari i madh i njerëzimit, por po nuk e dite mirë mitologjinë pagane, por nuk e studiove, Homeri është i pakuptueshëm. Pra nuk është populist Homeri. Nuk është populiste as vepra e Dantes, ose e Xhojsit, ose e Kafkës, ose e Borgesit.

Pse e doni kaq shumë Xhojsin, sa në libër jeni marrë me kaq shumë hollësira të jetës së tij...?
-Xhojsi është një nga mjeshtrit më të mëdhenj që ka ndriçuar letërsinë botërore. Thuhet që ka një trinitet Kafka, Xhojsi dhe Prusti që kanë ndikuar në kthesën e letërsisë botërore. Xhojsi në pikëpamje të të shkruarit shumëkuptimor ose shumëgjuhësor është më i rëndësishmi sesa këta të dy të tjerët, por natyrisht që vepra e tij paraqet vështirësi kolosale në të kuptuar. Kryevepra e tij "Zgjimi i Fineganëve" duket gati e palexuar. Megjithatë kjo nuk ka penguar që Xhojsi të ndryshojë letërsinë e shekullit të 20-të dhe të 21-të. Pa qenë Xhojsian, njeriu mundet të përfitojë nga risitë e tij shkrimore. Shkurt unë jam kundër epigonëve. Epigonët shtojnë një risi, duke e kthyer në dogmë dhe ata nuk mund të bëjnë letërsi origjinale.

Ju thatë se kush e ndryshoi letërsinë botërore, por farë mendoni se do ta ndryshonte gjendjen e sotme të letërsisë shqiptare?
-Letërsia shqiptare ka vlerat e veta të pamohueshme, por përgjithësisht është një letërsi provinciale. Unë do ta ndaja në dy pjesë, por që ndarja konvencionale nuk është absolute. Megjithatë, për qëllime studimi mund ta them. Letërsia shqipe ndahet në dy pjesë; në atë që quhet letërsia rurale, që ka shumë fshat brenda, shumë provincializëm, i cili zotëron në mënyrë masive letërsinë shqipe. Edhe për shumë shumë arsye, se është romantike, se është tradicionale, ajo nuk integrohet. Letërsia urbane, e cila është letërsia më e mirë shqiptare, për mendimin tim ka vetëm tre përfaqësues të mëdhenj që e lidhin me letërsinë botërore. Këta janë Faik Konica, Migjeni dhe Ismail Kadareja. Të tjerët nuk kanë arritur dot të bëjnë një letërsi të madhe universale, pra urbane. Është ende një letërsi rrëfimore, ka një mënyrë të njohur tradicionaliteti që si hyn në punë askujt dhe shpesh është një "diarre" stilistikore. Nuk ka asgjë lakonike që mund të mbahet mend. Në të vërtetë, unë mendoj që nuk ka një letërsi shqipe, ka letërsi botërore që shkruhet në gjuhën shqipe. Kjo është shumë e rëndësishme. Që në shekullin e 19-të Gëtja ka thënë që nuk ka letërsi të vendeve të veçanta, por ka një letërsi botërore. Po të mos ishte ky refuzim i shkrimit, që unë e quaj të tillë këtë koncept kur shkrimi refuzon të jetë vetëm në gjuhën amtare, pra të jetë që të përkthehet, ne do të kishim thjesht një Shekspir në gjuhën angleze, jo në të gjitha gjuhët e botës. Çështja e letërsisë shqipe është një çështje jetike sot. Për t'u bërë ajo letërsi ndërkombëtare, nuk është thjesht çështje e modës, publiciteti ose mburrjes. Letërsia shqiptare duhet të ballafaqohet gjatë integrimit me letërsinë botërore.

Pra, ju mendoni se brezi i ri ende nuk ka krijuar një zë të njohur në letërsi?
Më duket se letërsia e re ka një zhvillim të karakterit formal, ka më shumë zhvillim nga ana teknike. Por nuk ka arritje nga pikëpamja konceptuale. Pra kemi një numër të madh shkrimtarësh të rinj, të kulturuar. Kanë botuar libra ku ka fragmente të mira, por jo, nuk ka emra të veçantë që të jenë të spikatur. Ka embrione të zhvillimit të letërsisë moderne në Shqipëri, por jo nuk ka nodhur ajo që pritej që pas njëzetë e 2 vjetësh të një lirie krijuese, ku mund të kishim kryevepra. Shikohet që ka vetëm fragmente, embrione, por jo zhvillime të nivelit cilësor.



SI U KRIJUA "LIBRI I SINOPSEVE"

Shkrimtari Moikom Zeqo hap për lexuesin "derën" e laboratorit të tij krijues në botimin e fundit të tij "Libri i Sinopseve". Ai zbulon një pjesë të sekreteve të krijimtarisë së tij të bollshme. Duke kujtuar edhe faktin se Migjeni, shkrimtari i madh shqiptar, ka botuar jo veprat, por vetëm sinopset pararendëse të veprave të mëdha, për shkak të vdekjes në moshë të re, Zeqo thotë për botimin e ekstrakteve të tij se: "Dorëshkrimet duke qenë në dukje të papërfunduara, grafikisht të kufizuara, për çudi nuk janë të tilla, sepse prej tyre lindin pa pushim, në mënyrë të pandalshme dorëshkrime të reja që tejkalojnë identitetin e dorëshkrimeve të hershme.

Më tej, ai thotë se "Mendimi për të botuar koleksionin e sinopseve të mia tregon më tepër shkujdesjen dhe papërsosmërinë time…." Kështu Moikom Zeqo e ka përshkruar në parathënien e tij idenë për botimin e këtij libri si një mënyrë studimi antropologjik të shkrimit, për të kuptuar veten dhe të ngjashmit e vet në artin e të shkruarit. Pjesa më e madhe e këtyre sinopseve ruajnë megjithatë staturën e tregimeve interesante dhe që nuk e kanë parë më parë dritën e botimit.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print), 19 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij