Pamjet nga xhamia më e madhe në kryeqytet, vetëm në ditën e dytë të muajit të Ramazanit dhe në mes të momentit të faljes janë të paprecedentë.
“U detyruam të ndërpresim faljen”, i tha një besimtare Report Tv-së.
“Të dyja palët të mos përzihen këtu me xhaminë...një pjesë e besimtarëve janë brenda, një pjesë jashtë. Disa nuk po dinë ku të dalin”, tha një tjetër në kulmin e protestës.
Situatë frike dhe kaosi nga molotovët e militantëve të Partisë Demokratike, në një periudhë, të cilën besimtarët myslimanë e konsiderojnë si më të shenjtën dhe moment paqeje e reflektimi.
Por, në vend që t’u kërkonte falje besimtarëve, Sali Berisha e hoqi fajin nga ata që i quajti ‘kryengritës të armatosur’ por akuzoi policinë se hodhi gaz dhe helmoi besimtarët.
“Siç i patë ju vetë hodhën në xhami bomba tymuese dhe bombola gazi, për të ua prishur namazin besimtarëve të cilët nuk kishin asnjë lidhje me protestën dhe nuk kishte asnjë protestë në territorin afër xhamisë”, u shpreh kreu i PD.
Madje Berisha arrin deri aty sa thotë se militantët jo vetëm që nuk hodhën molotovë por për të respektuar faljen zgjodhën territor tjetër përballje me policinë. Por si është e vërteta? Pamjet që janë transmetuar LIVE në të gjitha mediat në vend dhe në sytë e gjithë shqiptarëve tregojnë turma protestuesish që të udhëhequr nga Berisha e të tjerë deputetë afrohen për nga parlamenti. Për të respektuar myslimanët Berisha mund të zgjidhte të mos e transferonte demonstratën te Kuvendi, siç edhe ishte këshilluar, por nuk e bëri këtë.
Pamjet gjithashtu tregojnë qartë se kanë qenë militantët ata që kanë hedhur vazhdimisht molotovë në drejtim të policisë së vendosur aty pranë, apo në disa raste lënda shpërthyese u hodh edhe në hyrje të Xhamisë së Namazgjasë siç pamjet ekskluzive të Report Tv treguan.
Molotovë dhe zjarr edhe drejt autobotit të policisë vetëm pak metra nga xhamia. Momente që i ngjajnë skenave të luftës janë ato kur shumë pranë xhamisë, breshëria e molotovëve dhe lëndëve të tjera piroteknike hidhen në drejtim të policisë. Këtë pjesë të rrugës, militantët zgjodhën ta kishin si sheh të betejës së tyre për më shumë se një orë.
Policia vetëm qëndroi, nuk avancoi dhe iu përgjigj me gaz lotsjellës sulmuesve dhe rezultati i gjithë kësaj situate: besimtarë të terrorizuar, lutje të shqetësuara nga kaosi, që të kujton një vend në luftë të lindjes së Mesme.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e quan një akt të pajustifikuar dhunën pranë Xhamisë së Namazgjasë në protestën e Partisë Demokratike, teksa besimtarët po faleshin. Teksa thotë se disa besimtarë u lënduan, KMSH nuk e drejton gishtin as te protestuesit me molotovë e as te policia.
Nga orët e dhunës në rrugët e kryeqytetit, ngjarjet në Xhaminë e Namazgjasë ishin të vetmet që Kryeministri Rama komentoi. Përmes një fotoje të xhamisë e mbuluar nga tymi, Rama shkruan “Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë”.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar publikisht pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike ku u hodhën molotovë e gaz lotsjellës pranë ambienteve të xhamisë së Namazgjasë.
Në reagim Komuniteti Mysliman bën thirrje për maturi dhe vetëpërmbajtje ndërsa thekson se lëndimi i besimtarëve që ndodheshin në xhami për tu falur, është e pajustifikuar.
REAGIMI I KMSH
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëm endje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.
Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.
Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.
Disa prej besimtarëve ndërprenë dhe lutjen mbrëmjen e djeshme për shkak të kaosit të shkaktuar në xhami. Molotovë u hodhën fare pranë xhamisë, pasuar më pas nga gazi lotjsellës me qëllim shpërndarjen e protestuesve.
Komente












