Emra me karrierë të gjatë në radhët e uniformave blu, me poste të larta gjatë detyrës së tyre, janë më favoritët mes 14 kandidatëve, për tu emëruar në drejtimin e Policisë së Shtetit.
Tonin Vocaj, së fundmi në Akademinë e Sigurisë, por ish drejtues i Policisë së Tiranës, apo edhe i Policisë Kriminale, duket të jetë figura më bashkuese në këtë stinë protestash të opozitës. Të njëjtat që sollën edhe largimin e Ilir Prodës, pas sulmit ndaj ish-vilës së Enver Hoxhës, sot rezidencë arti, ku molotovët e protestuesve të PD rrezikuan edhe artistët e huaj brenda. Me mbi 40 vite shërbim, Tonin Vocaj mund të jetë kandidati më potencial me eksperiencë në drejtimin e strukturave të sigurisë dhe rendit publike, që mund të sjellë një mirëmenaxhim, edhe në mesin e akuzave të opozitës për veprimet e policisë ndaj mbështetësve të saj në tubime.
Në 5 vitet e fundit drejtues në qarqet më të vështira në vend, Shkodër, Durrës, Dibër dhe së fundmi në Fier, Skënder Hita, mbetet gjithashtu kandidaturë potendiale për të qenë drejtori i ri i përgjithshëm.
Prej më shumë se 1 viti drejton Vlorën. Edhe Elidon Çela ka spikatur në mënyrën e drejtimit, përfshirë eksperiencën në krye të Agjenicsë së Mbikqyrjes Policore të Tiranës.
Edhe Lorenc Panganika ka eksperiencë të gjatë si drejtor në qarqe të mëdha, në Tiranë dhe Fier, pika që i japin potencial për të qenë drejtues madhor i bluve.
Afrim Tafa i Durrësit është surpriza e kësaj gare. Pavarësisht se vetëm për pak muaj drejtues, shihet si një emër me potencial në polici dhe që mund të marrë besim për të drejtuar strukturën 12 mijë anëtarëshe.
Drejtori i ri i përgjithshëm i policisë së Shtetit, edhe mes 9 emrave të tjerë, Gentian Berberi, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Gentjan Shehaj dhe Idajet Faskaj, të cilët kanë kontribute në nivelet më të larta drejtuese të bluve, sidomos në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Përzgjedhja do i mbetet Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme. Pas intervistimit të 14 kandidatëve të martën, brenda 48 orëve, komisioni do duhet të bëjë pikëzimin e tyre, si në aspektin profesional, atë moral dhe të integritetit si dhe vlerësimin organizativ e drejtues.
Është ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, që zgjedh një emër për t’ia propozuar për emërim Këshillit të Ministrave, shoqëruar me një relacion shpjegues për zgjedhjen e tij.
Komisioni i përbërë nga zv/ministrja e Brendshme, Silva Caka, sekretarja e përgjithshme Kleida Ngjela dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, kanë kryer votimin e tyre individual në bazë të vlerësimit profesional që zë hapësirë maksimale 30 pikë, morali dhe integriteti me 10, vlerësimi organizativ dhe drejtues me 50, si dhe elemente të tjera shtesë me 10 pikë, duke e çuar në 100 pikë maksimumin e mundshëm. Kryqëzimi i të tre votimeve pritet të prodhojë pikëzimin e kandidatëve.
14 kandidatët në garë kanë kaluar në filtrin e kontrollit, edhe të institucioneve të drejtësisë, që u është kërkuar verifikim, sidomos SPAK dhe SHISH, dhe të gjithë rezultuan të pastër për të vijuar garën. Mes tyre ka drejtues me karrierë të gjatë në polici, me kontribut të ndryshëm, në bazë të aftësive dhe performancës, megjithatë disa prej tyre kanë shanset më të larta për të marrë besimin e komisionit për një renditje më të mirë.
Komente









