Monika Stafa: Ngre flamurin në Top-Channel

Monika Stafa: Ngre flamurin në Top-Channel
Është një figurë e ëmbël që “shoqëron” gjithnjë ditët tona në ekranin e Top-Channel. Spikerja Monika Stafa, ka hequr këtë herë “mimikën” zyrtare dhe të ngrirë të studios së lajmeve, për të drejtuar një emision të veçantë, me figura e njerëz të njohur që i kanë dhenë nder Shqiëprisë. “Kush e ngriti flamurin” është sfida e radhës për znj. Stafa, ndryshe nga lajmet dhe shkrimet kulturore që shpesh sjell në “Shqip”. Në një rrëfim për THASH&THEM, Monika Stafa tregon për emisionin e ri, lidhjen e fortë mes gazetarisë dhe letërsisë, por pa anashklauar në të njëjtën kohë edhe “detyrat” e saj si nënë. Ky format i ri televiziv duket sikur ka lidhje edhe më personale me Stafën, mbiemër i njohur në historinë e Shqipërisë. E në fakt çfarë lidhje ka mes saj dhe familjes së dëshmorit Qemal Stafa?!

Ka nisur puntata e parë e emisonit “Kush e ngriti Flamurin”, më përshkruani pak emocionet tuaja të para?

Po, është vërtet emocionuese. Emocionet fillojnë që në punën kërkimore. Ne nuk kemi një enciklopedi rekordesh, siç është për shembull “Who Is Who”, që provon rregullisht njerëzit më të suksesshëm të vitit. Dhe kështu ata që bëjnë vepra të çmuara shpeshherë mbeten të harruar. Dhe kjo që po bëjmë ne, me “Kush e ngriti Flamurin” është shumë pak, për të shpallur vlerat e vërteta të njeriut shqiptar. Autori i programit Adri Nurellari, ka një adrenalinë të veçantë për ti çuar gjërat drejt përkryerjes bukur. Ai mendon në detaje se si të përcjellë tek publiku emocionin e vertetë të rekordmenit, kampionit, por mbi të gjitha të shqiptarit, për të ngjallur te publiku krenarinë kombëtare, shpeshherë të lënduar nga Shqipëria jonë e trazuar. Por shumë emocione njeriu i kalon edhe jashtë studios, për shembull, kur merr vesh se kampioni i botës është vizituar tek mjeku se mos ishte i lajthitur, ose punon si portier në një institucion, kur mëson se një rekordmeni tjetër nuk i është dhënë një shpërblim fare modest që i ishte premtuar; kur sheh se këta “flamurtarë” janë të tillë prej pasionit që kanë, jo se dikush kujdeset posaçërisht për ta.

Si e pritët ftesën për të qenë ju moderatorja e këtij emisioni?

Më pëlqeu shumë. Kisha kohë që po mendoja për një emision të drejtpëdrejtë. Më pëlqeu jo vetëm pse do të njihesha me njerëz që janë kujtesa e vendit dhe nuk të rastis gjithnjë t’i intervistosh, por edhe sepse kjo përbërëse e veprimtarisë në televizion, drejtimi në studio, më kish mbetur si një sfidë në pritje. Për më tepër një emision serioz.

Nga titulli duket se ka lidhje edhe me 100 vjetorin e pavarësisë?

Po, është një mënyrë e tërthortë për të nderuar 100-vjetorin e pavarësisë. E kam thënë dhe në studio ky emision ka për qëllim të provojë se jo vetëm Shqipëria të jep nder, por dhe njeriu shqiptar, duke qenë konkurrent dhe fitues, mund t’i japë nder vendit të tij. Pra, janë jo nënshkruesit e pavarësisë në vëmendje, por ata që i japin identitet shqiptarëve, duke qenë njerëz të shquar dhe me dhunti të njohura botërisht.

Sa i druheni konkurrencës pasi është një program, që shfaqet të dielave ku ka shumë spektakle të tilla në ekranet shqiptare?

Konkurrencën unë e quaj diçka shtytëse për mirë. Një princeshë rekordesh, Klodiana Shala, më tha gjatë bisedës me të se më ka mbetur të konkurroj me veten. Kjo është e tmerrshme. Unë e quaj fat të jesh në konkurrencë. I vlerësoj programet paralele.

Sa e vështirë është të adaptohesh në një studio të re ndryshe nga ajo e lajmeve ku jemi mësuar t’iu shohim?

Nuk mund të them se e kam pasur shumë të vështirë. Gjatë periudhës 2004-2012 kam përgatitur e transmetuar mbi 60 filma dokumentarë. Vërtet intervistat për dokumentarët nuk bëhen në studio, por përgatitja është me të njëjtën përgjegjësi. Pikërisht kjo përbërëse e punës sime më ka ndihmuar shumë. Më shumë e vështirë ka qenë për mua të jem një bashkëbiseduese, me një intonacion tjetër, me një mimikë tjetër, prej asaj “zyrtare” dhe “të ngrirë”, që kërkohet në studion e lajmeve. Ky ishte ndryshimi më i madh që më duhej të bëja.

E në fakt ku ndihet Monika më mirë?

Unë jam e mendimit që gazetari duhet t’i bëjë të gjitha: të shkojë në terren, të raportojë nga terreni, të bëjë dokumentarin shkencor-kërkimor, reportazhin dokumentues, reportazhin turistik, reportazhin problemor; të konduktojë një emision. Shqipëria është një vend i vogël me shumë televizione dhe kjo e bën luks të tepërt që një gazetar të kryejë vetëm një detyrë. Producentë të ndryshëm bëjnë vetë regjinë, skenarin, rolet. Nuk ka vend paralelja, por në filmin “Vallëzim me ujqit” shtatë Oscar-ët i shkuan të njëjtit njeri, që ishte regjisor, skenarist, aktor kryesor etj.

Jeni shprehur se “ekrani nuk mjafton” për të përmbushur aspiratat tuaja, ndaj dhe keni zgjedhur botën e letrave për tu shprehur më mirë?

Më duket se kjo thënie imja është keqkuptuar. “Ekrani nuk më mjafton” për mua ka kuptimin që nuk mund të bëj pa formën tjetër të medias, pa “mallin e shtampës”, pa shtypin e printuar, pa kërkimin në fushën ku po mbaroj doktoraturën.

Me mbarimin e “Kush e ngriti flamurin”, do të merreni me realizimin e librit ku pjesë do të jenë të ftuarit tuaj të çdo puntate?

Po, një synim kryesor i këtij emisioni është pikërisht “Libri i Pavarësisë”, apo “Libri i Flamurtarëve”. Në 25-vjetorin e vetëqeverimit bibliotekat shqiptare morën si dhuratë disa botime të shkëlqyera: filloi kolana “Visaret e Kombit”, u botua një vëllim me tekstet e konkursit të himnit kombëtar. “Libri i Pavarësisë” i Top Channel do të jetë një kontribut modest për të shenjuar kujtesën e re që nderon Shqipërinë.

Si është pritur libri juaj “Gati për Rinisje”?

Nga mënyra si është recensionuar, nga mënyra si është përuruar, nga mënyra si shërbehet prej rrjeteve sociale, si dhe nga komentet që më janë bërë drejtpërsëdrejti, them se është pritur shumë mirë. Më mirë se dy librat e mi të mëparshëm, që i çmoj gjithashtu shumë: “Çështja e Shën Naumit” dhe “Monarkia kundër Republikës”. Tani po përgatis librin e ri, me shkrime të karakterit njerëzor dhe kulturor.

Keni një autor të preferuar dhe cfarë modeli ndiqni në krijimtarinë tuaj?

Sado e çuditshme që mund t’ju duket, mua më pëlqejnë shumë autorët klasikë, qoftë shqiptarë, por sidomos të huaj. Vazhdimisht më shoqërojnë autorë mendimtarë: Zveig, Camus, Dostojevski, Malaparte, J-P Sartre, Remark, Hemingway. Janë autorë që përgatitën modernitetin, por duke mbetur me dhimbje në zemër për njeriun. Më pas letërsia u bë armiqësore për njeriun, muzika ia zuri vendin për këtë.

Le të mbetemi pak te bota e televizionit, si u gjendët në Top Channel, dhe sa ka ndryshuar Monika nga fillimet e saj deri tani?

Them se po të kthehesha në fillimet e mia mbase nuk do ta njihja veten, ose së paku do ta qortoja e do ta udhëzoja si të zotëroja veten, si të administroja energjitë, si mund të imponohesh me krijimtari dhe jo me fjalë në mjedisin publik.

Ndjeni rivalitet brenda profesionit tuaj?

Po më duket jua thashë, konkurrenca vetëm në komunizëm quhej gjë e keqe. Konkurrenca është motori lëvizës i shoqërisë së tregut. Mungesa e konkurrencës do të ishte mallkim. Unë shpesh them se në çdo rast njeriu duhet të konkurrojë dhe me të shkuaren e vet.

Cilat nga koleget qoftë brenda Top Channel, apo dhe nga ekranet e tjera vlerësoni më tepër?
Mendoj se në gazetarinë televizive ka shumë gazetare dhe gazetarë që veçohen: që nga mjeshtrat e dikurshëm si Virgjil Kule, Tefta Radi, Kiço Fotiadhi, deri tek Adi Krasta e Alban Dudushi .

Keni patur ftesa nga televizione të tjera nëse po pse i keni refuzuar?

Kam pasur ftesa, madje me propozime sfidante, qoftë për ofertë pune, qoftë si ofertë pagese. Nuk e di, mbase unë jam formuar në mënyrë të tillë, që të mos lëviz shumë. E kam thënë dhe herë tjetër se më vjen si një qetësim thënia e Italo Calvino-s, i cili, duke krahasuar sedentarët (ndenjëtarët) me shtegimtarët, thotë në një prej eseve të tyre: Nëse bota nuk do të kishte të tillë, sedentarë, që ulen e nuk lëvizin gjithë ditën para së njëjtës punë të tyre, kush do ta ndryshonte mendimin njerëzor? Askush! Sepse “njerëzit në fluturim” shkojnë, si rregull pas interesit dhe jo pas arritjes.

E përbashkëta mes gazetarisë dhe letërsisë...

Janë fusha krejt të ndryshme. Ajo që i bashkon është informacioni dhe kultura, që nuk duhet të rreshtë së përpunuari qoftë nga leximet klasike, qoftë nga ato historike. Thellimi i mendjes është te të dyja një element i përbashkët.

Si është Monika si nënë dhe si bashkëshorte?
Është pak të them e përkushtuar?! Unë përpiqem të jem në detyrat e mia tej edhe vëmendjes normale. Syrit tim edhe kur s’jam në shtëpi nuk i shpëton asgjë, sepse edhe mendja më rri aty ndërsa jam duke kërkuar në arkiv plane apo duke kontrolluar e-mailin. Duke gjerbur kafenë me miqtë e mi apo duke qenë nën syrin e kameras dhe gjithmonë ia dal të parashohë gjëra të cilat nuk më shkojnë me atë që kisha planifikuar. Shqisa e nënës apo jo ?

Sa e lidhur jeni me djalin tuaj dhe a keni menduar për një fëmijë të dytë?

Unë jam shumë e lidhur me Dinin, djalin tim të vetëm. Disa ditë më parë, kur po kërkoja rreth jetës së kampiones Ela Tase, gjeta pohimin e saj se sakrifica më e madhe e jetës së saj ishte që ia kishte privuar vetes të drejtën për t’u bërë nënë për herë të dytë. Dhe m’u duk, kjo thënie e saj qetësuese edhe për mua.

Jeni bërë pjesë e familjes Stafa, çfarë peshe ka kjo për ju?
Sigurisht, një mbiemër i njohur është një përgjegjësi. Quin Junior gjithnjë ankohej se e quanin djali i Anthony-t dhe një herë qe shprehur se është mallkim të kesh një mbiemër të njohur.

Përveç gazetarisë, letërsisë çfarë hobi ka tjetër znj. Stafa?
Diskutimet, udhëtimet, Europën dhe verën. Gazetaria dhe letërsia nuk janë hobby për mua, them ti kem profesione.

Sa e rëndësishme është pamja e jashtme dhe sa kujdeseni ju për të?
Mendoj se është përgjegjësi ndaj publikut paraqitja e bukur. Nuk them se bëj maksimumin, por ky kujdes duhet doemos. Motra ime është më e kujdesshme për mua për këtë se unë vete. Shpesh herë kur më pyet se çfarë ke zgjedhur për këtë event apo për këtë emision, ia mbyll shpejt diskutimin e i them: mendoje dhe më thuaj. Tani s’kam kohë, më duhet ti hedh një sy lëndes që kam para e ajo qesh. Me këtë rast dua t’i kërkoj ndjesë se shpeshherë tregohem e ashpër me të por e saktësoj, vetëm për këtë arsye. Ne e duam shumë njëra –tjetrën.

Ndonjë dëshirë ende e parealizuar për ju...
Janë shumë dhe po e lëmë ta diskutojmë herë tjetër (qesh).

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu