Duke lexuar tekstin e opusit të veprave të Tonin Çobanit, me theks anën ligjërimore që përmban teksti, mendoj që këto dy rrafshe bashkëjetojnë në raporte të caktuara. Në rrjedhën e botimeve të veprave, si gjini, njëra mund të ketë përparësi ndaj tjetrës në një vit botimi a proces letrar të Toninit, por, t’i vështrosh me vëmendje, përsëri ato bashkëjetojnë në disa pika, si: në konceptim, në mënyrën e vëzhgimit e të rrëfimit, në peshën e fjalës, në ndërtimin e strukturave ligjërimore, ne veçoritë stilistike etj. etj.
Proza e Çobanit ka prirjen drejt tregimit të shkurtër, në ndërtime sintagmash me ngarkesa emocionale dhe ngjyra poetike, që në përzierjen e tyre kontraktojnë dukshëm. Fjalën e ka të menduar mirë dhe të shenjtë. I pëlqen qielli i meditimit dhe vizatimi i kujdesshëm i personazheve, personazhe që i merr nga jeta e që në komunikim me lexuesin i japin atij brumin e subjekteve që vijnë nga copëza jete. Parapëlqen fabulën klasike aq sa dhe absurdin e fabulës.
Në studimet e Çobanit (vitet e fundit kanë përparësi), ndjen se si veçoritë e ngjyrat e një tregimtari, reflektojnë dhe konvergojnë motivueshëm në hapësirat kohore të personazheve bibliografikë.
2.Botimi monografik “Frang Bardhi dhe Relacionet e tij” është konceptuar dhe ndërtuar mbi bazën e filozofisë së Bardhit, që thoshte: “Në errësirë edhe pak dritë vlen e premton më shumë”. Monografia, vetë, vjen si një dritë nga mugëtira e shekujve, për të qartësua në mënyrë sa më të plotë figurën e njërit prej etërve të kulturës e traditës shqiptare, të njërit nga blloku i B-ve të mëdha, Frang Bardhit. Jo vetëm kaq, por relacionet e Bardhit na rrëfehen gjatë interpretimeve, krahas argumenteve shkencore, herë pas here edhe me nota poetike. Këto nota më të dukshme janë te Fishta e më të dhimbshme te Zarishi.
Figura e Bardhit është vështruar e dhënë përmes Relacioneve të tij. Ky rrafsh vështrimi ka shmangur atë klishe që e ndeshim rëndom në veprat e këtij lloji, kur autorët i rrinë “besnikë” rrjedhës e jetës lineare të personazhit kryesor historik, siç është edhe në rastin tonë, Frang Bardhi. Vertikaliteti dhe horizontaliteti i figurës së Bardhit, i ndërtuar mbi “magjen” e Relacioneve të tij, krijon një paraqitje të Frangut përmes botëkuptimit të tij teologjik, filozofik, shpalos kulturën e diturinë, mençurinë dhe urtësinë, konceptet mbi jetën, marrëdhëniet me bashkëfshatarët, shikimin e tij të hollë e vrojtues mbi mentalitetin, psikologjinë dhe jetesën e tyre, me qëndrimet e tij në marrëdhënie me kohën që jetoi, me ashpërsinë dhe vrazhdësinë e saj, etj.
3.Në historinë e letrave shqipe Gjergj Fishta ka hyrë si një figurë emblemë dhe komplekse. Emblemë, se korpusi i veprave të tij mbart vlera të vërteta e të rëndësishme artistike. Në këto vlera ravijëzohet qartë fizionomia e identitetit kombëtar. Po ta specifikojmë, më e drejt për drejt është e lidhur, veçanërisht, me poemën epiko – lirike “Lahuta e Malcis”, të cilën kësaj radhe e kemi bërë dhe objekt shqyrtimi.
Komplekse, se jeta e Fishtës për konfiguracionin e saj, ka nevojë të ndriçohet më tej. Komplekse gjithashtu, se vepra e Fishtës për dimensionin që ka e që shpreh, të fton për këndvështrime të reja.
Duke iu referuar rrjedhave të historisë, Fishta paraqitet një figurë madhore dhe e anatemuar. Ndërsa, në rrjedhat e studimeve letrare, Fishta paraqitet një krijues që vazhdimisht ka zgjuar vëmendje. E në këto rrjedha, interpretimet e analizat e fenomeneve fishtjane kanë pasur pohime e mohime. Në këtë kontrast, rezulton se ka ende troje të virgjëra fishtjane që duhen njohur, studiuar, korrigjuar.... Kjo, është dhe një shtysë e botimit të këtij studimi.
Fatin e tij, Fishta e lidhi me fatin e kombit të vet. Ky soliditet përbën tharmin e veprës së tij e të “Fishtologji”-së së studiuesit.
Për të zbuluar vazhdimisht këtë tharm, studiuesi Tonin Çobani, herë pas here në optikën e tij, i është kthyer figurës së Fishtës dhe lëndës së tij artistike. Kjo “herë pas here” lidhet me vlerën e një domosdoshmërie ende të munguar të studimeve dhe kritikës sonë letrare për mjaft probleme të vetë Fishtës dhe veprave të tij. Kjo “herë pas here” fsheh në vetvete edhe një periudhë të gjatë kohore (e cila vazhdon), periudhë që është e lidhur me hulumtimet e studiuesit. Tregues janë dhjetë esetë e botuara më parë në librin “Miti dhe antimiti fishtjan”, Tiranë, 1999; vazhdon të ndodhë me librin “Fishtologji”, 2006, si përvijim i së parës në disa dukuri, por i ndryshëm në konceptet që shprehë, në hapësirat e problematikave që rrokë, në këndvështrimet e fushëpamjet, që sigurisht, të reja, të cilat lidhen me kontekste letrare e jashtë letrare, me strukturën e tekstit, me argumentin ballafaques e analitik. Kjo “herë pas here” vjen si një plotësim në “Fishtologji” për të përmbushur vakumet fishtjane.
Simbolika e librit studimor “Fishtologji”, do të thotë të marrësh përsipër e të pranosh së studiuari “truallin e njohur e të panjohur fishtjan”. Dhe më tej akoma, do të thotë që, krahas studimit të veprave të Fishtës si tekstologji, në shikimin tënd të vlerësimit, të përballesh edhe me studiues e kritikë që kanë dhënë mendime për këto vepra (si dhe për probleme të veçanta të këtyre veprave) në realitete të caktuara historike, në këndvështrime të tyre: që, siç del nga “leximi” i këtij studimi herë të thelluara, herë sipërfaqësore e herë të keqinterpretuara; duke mos lënë mënjanë dukuri të veçanta e që s’kanë rënë në sy, të cilat kanë nevojë për thellime të mëtejshme e rivlerësime të reja. Në këtë rrafsh të gjerë studimor e në këtë përballje, Tonin Çobani paraqet dallueshmërinë e personalitetin e tij, përkushtimin e zellshëm që rrezaton kompetencë shkencore, të cilat shoqërohen me një shterim arkivor e bio-bibliografik, si njohës me “temel” i Fishtës. Këto tipare të studiuesit Çobani reflektojnë qartësisht në veprën e ofruar, e cila spikat për origjinalitetin e gjykimit, objeksionin e saktë shkencor, të cilat shprehen përmes një gjuhe të qartë e të punuar mirë stilistikisht.
4.Studiuesi Tonin Çobani foli për herë të parë për Pjetër Zarishin në librin e tij “Kërkimet letrare” (studime dhe kritika letrare, Tiranë, 1988). Gjykojmë që, tezat dhe argumentet e trajtuara për ndriçimin e kësaj figurë, ishin më shumë piketa, që do të parashtronin një studim më të thelluar në të ardhmen. Së bashku me atë fillesë, kishte nisur të “vizatohej” edhe portreti i Pjetër Zarishit. Dhe për këtë nuk ishim gabuar. Studiuesi Tonin Çobani nuk rreshti së kërkuari për shumë vite për Zarishin. Materiali i hulumtuar, i studiuar dhe i shoqëruar me interpretime të karakterit shkencor, solli monografinë studimore “Pjetër Zarishi dhe Krijimi i Rruzullimit” (Botimet Toena, Tiranë, 2007). Në këtë libër Pjetër Zarishi na vjen i plotë përmes disa kapitujve: biografia, misionari, poeti, krijimtaria letrare; dhe ndihmuar me burime dhe literaturë, këto të fundit veçori dalluese, të cilën e hasim dhe në librat e mëparshëm studimorë të po këtij autori, gjë që flet për seriozitetin e një studiuesi.
Ardhja e plotë e Pjetër Zarishit dhe e krijimtarisë së tij në një monografi, si kjo e Tonin Çobanit, përcakton vendin ngulitës të Zarishit si fenomen historik e letrar, kontributet e vlerat e të cilit, teksa dalin në pah me këtë kënd shikimi, krijojnë marrëdhënie të sakta me studimet rreth kësaj figure gjatë rrjedhave të historisë, që siç mësojmë kanë qenë të paplota, të cunguara, të pa thelluara e të keqinterpretuara. E në këtë plan studimi në kohë dhe hapësirë, fati i fenomenit Zarishi nuk ka qenë i vetëm.
Monografia, në themel të saj, ruan dialogun në mes studiuesit Tonin Çobani dhe protagonistit Pjetër Zarishi. Mënyra se si paraqitet, ky dialog është në marrëdhënie të drejtpërdrejtë, ku të pranishme janë vlerat përcaktuese dhe koha lineare. Kjo polivalencë ka bërë që “nismëtari i traditës së re të Rilindjes” Pjetër Zarishi të vështrohet në personalitetin e tij njerëzor e artistik. E kjo ruhet gjatë gjithë monografisë. Dhe është fjala, kur evidentohen elementët e biografisë së Zarishit, edhe kur analizohen në pikëpamje të vlerave artistike e në sistemin metrik poezitë “Kanga e Shqypnis”, “Një derë e paska gjithë Arbnia”, “Bylbylit” e në mënyrë të veçantë “Krijimi i Rruzullimit” (poema kozmogonike që i dha një dimension të veçantë).
Ndoshta për herë të parë në këtë monografi kemi të trajtuar në bashkë ngjizje, vlerat dhe tragjizmi në figurën e Zarishit, tragjizëm, i cili përcillet në fund të çdo kapitulli me nota të vërteta poetike e dhembjeje përmes stilemës Zhgënjim. Spektri i kësaj stileme i përcaktuar në etapa të ndryshme të jetës së priftit poet përmbledh tragjikisht personalitetin e Pjetër Zarishit, gjë që ka munguar në studimet e autorëve pararendës, të cilët janë marrë me këtë figurë. Ishte kjo arsyeja që vumë theksin te nocioni personalitet, që nuk është shtojcë, as mbivlerësim, por një domosdoshmëri për analiza të thella dhe objektivitet shkencor, gjë që rrezatojnë në këtë monografi.
Studiuesi Tonin Çobani e ka konceptuar figurën e Pjetër Zarishit në disa plane, të cilat ndërthuren me njëri-tjetrin. Zarishi-klerik, Zarishi-poet, Zarishi në marrëdhënie me njerëzit që ndikuan në jetën e tij, Zarishi – rebelues. Në të gjithë këto plane, studiuesi, kohën e ka parë si një element shënjues, krahasues, dekorativ, shoqërues, ndriçues. Në këtë modul, kohës, nuk ka harruar, t’i japë edhe elementin aktiv. Gjithsesi, si do që të jetë prania, hapësira e raporti i saj; për studiuesin Çobani fokusi i vëmendjes mbetet Pjetër Zarishi, i doktoruar në filozofi e teologji, me kontributet që meritojnë vlerësime, me një dashuri të madhe për gjuhën shqipe, me motivet fetare e laike që i kishte për zemër, me ndikimet e natyrshme të letërsisë gojore e të Budit e të Bogdanit, me kulturën, konceptet dhe dramën e tij, me ëndrrat prej rilindësi, me dhembjen, lodhjen e zhgënjimin, me vlerësimet botuese e konsideratat të Zef Jubanit, Leonardo de Martinos e Dora d’Istrias, me trashëgimin letrare e gjuhësore që humbi, u censurua dhe jetoi. E në gjithë këtë fokusim detaji mbetet elementi më domethënës, më dobiprurës me të cilin operon autori, detaj që herë pas here “bëhet” ngjarje apo mesazh, që spikat dukshëm në dhënien e veçantive të protagonistit e njëkohësisht “kontribuon” në vizatimin e Zarishit si një poet me ndjeshmëri origjinale, me ndjesi e kahje drejt motivit patriotik. Realizmi dhe vërtetësia e figurës së Pjetër Zarishit si “më i pari poet që në mënyrë të drejtpërdrejtë i kushton një poezi Shqipërisë” kur nuk kishte Shqipëri, ecën paralelisht me ngjyrat letrare të studiuesit Tonin Çobani, që s’harron të na paraqesë edhe faqen e tij prej prozatori, gjë që, i kanë dhënë frymëmarrje të gjerë dhe vlera të njëmendta monografisë, edhe në aspektin e mjeshtërisë së të shkruarit.
5.Duke iu referuar monografive të botuara, konkludojmë se Tonin Çobani e ka një skedë, sigurisht të dallueshme dhe ndryshe nga studiuesit e tjerë.
Fenomenet që trajton i njeh mirë, peshojnë realisht e qartësohen në marrëdhënie me kohën. Tezat shkencore që hidhen për shqyrtim zbërthejnë fenomenin dhe ruajnë elementin krahasimtar në marrëdhënie me bibliografinë shqyrtuese të mëparshme, çka i japin fenomenit universin e duhur. Fraza është e qartë, e saktë dhe me ngarkesë emocionale. Është larg formateve të atyre monografive që vuajnë nga inflacioni i mbingarkuar teknik i termave, që shpesh bëhen qëllim në vetvete dhe i shërbejnë erudicionit personal, por që humbasin marrëdhënien e komunikimit me lexuesin.
Duke iu kthyer përsëri monografive, ato i bashkon një trevë: Zadrima. Fenomenet: Bardhi, Zarishi e Fishta bashkohen në një pikë të përbashkët: tragjikë. Por mënyra se si tragjikja është sjellë në këto monografi mbetet një opsion për studime të mëvonshme, më të thelluara.
Monografitë që përmenda, duke shtuar edhe studimet: “Kërkime letrare”, “Miti dhe antimiti fishtjan”, “Paralele kulturore të një qyteti”, “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, “Variacione me fjalën komb”, krijojnë “një kreshtë malesh”, - siç thoshte poeti i mirënjohur Ndoc Gjetja, - krijojnë një opus të denjë përfaqësimi të studiuesit Tonin Çobani në fushën studimeve të letrave shqipe.
Shkodër, tetor 2017