TIRANE - Është e pamundur që të jesh korrekt në gjykim për diçka që është, por ekzistencën e saj tij nuk e ke parë. Meqë monumenti në fjalë bën pjesë në artin pamor, kjo e vërteton këtë që thashë më lart. Megjithatë për të më shumë kam dëgjuar dhe kam parë pamje fragmentare në televizion, s’e nuk kam shkuar në Kavajë ta shoh nga afër.

Kur i vëren, natyrisht gërma V apo dy gishtat në trajtë kolonash apo bishti si i dallëndyshes me plane të sheshta arkitektonike duken dhe kuptohen se ç’duan të thonë. Këto dy gishta i kam parë mbi kokat dhe duart e militantëve që brohorasin e ju drejtohen tribunave.

Gërma V apo edhe dy gishtat e hapur të dorës së njeriut, flasin pa zë, pra volumetrikisht dhe jo fonetikisht e kësisoj me statusin e simboleve apo shenjave ato mund të bëhen monument, ashtu sikundër kemi shembuj në skulpturën monumentale e publike të shekullit XX, siç është rasti i gishtit të madh që rrëfen okay i autorit Cezare.

Gishti i Cezarit është gati hiperealist në termat e sintaksës dhe morfologjisë së skulpturës, ndërsa dy gishtat e Kavajës dhe jo vetëm të këtij qyteti, pothuajse gjenden kudo deri dhe tek varrezat e që dëshmojnë gutformën (la giusta forma) formën apo simbolin e duhur e standard të tranzicionit.

Çdo epokë apo kohë mbahet nga një simbol apo një grup simbolesh dhe shumë artist harlisen pas tyre duke bërë hajër. Në rastin tonë jo vetëm artisti, por edhe politikani ka gjetur kënaqësinë dhe rehatinë. Si germa e parë apo dy gishtat e dorës, V-ja është tashmë simbol i fjalës Vitore, që në gjuhën tonë shkruhet e thuhet Fitore.

Problemi qëndron te sheshi, tek betoni, pse e bëri ky apo ai, apo pse V-ja e jo F-ja. Po merrem me këto dy të fundit se pjesën e poshtme të memorialit nuk e kam parë. Si amator i etimologjisë gjykoj që kjo i takon gjuhës standarde dhe linguistëve të përgjigjen, pasi ata e dinë më mirë se kush është shfaqje e huaj.

Duke përfshirë edhe fushën e gjuhës dhe në debatin bashkëkohor për rishikimin e standardit, do sugjeroja me modesti edhe germën U, se mbase do të qe edhe ndonjë variant diskutimi për Monumentin e Ulërimës. Nuk e stisa gërmën U, pasi atë e gjejmë të këmbej vendin shumë herë në fjalë e emra me gërmën V, siç është rasti i emrit Europë apo Evropë.

Ka edhe një gjë tjetër. Fjala latine Viktor-um ka edhe një sinonim, i cili shkruhet dhe thuhet Mund-um. Këtë mundum apo Mundi, romakët e përdornin më shumë nga vict-um. Ne shqiptarët e përdorim ekzaktësisht si latinët, kur kemi “sebepe” betejash. E munda-fitova, më mundi-fitoj. Mos vallë duhet parë përveç U-së edhe variant i M-së në vargun e sinonimeve për t’u bërë monumentum.

Ç’faj ka viçi i artë, ky lider historik i idolatrisë, tek i cili vazhdojnë të tubohen për ta mbajtur apo për ta therur, ta copëtojnë, thyejnë e zvarritin për ndonjë copë ar, bronz e tash së fundi për do fije hekuri për skrap. Të më fali autori, skulptori apo muratori që fola në mënyrë evazive.

Për të qenë i drejtpërdrejtë thuhet se veprat e artit, artistët i kanë si fëmijët dhe meqë kam fëmijë vet, nuk më takon të them të hiqet. Koha gjithashtu thonë është e pamëshirshme, ajo e ka sovranitetin e së vërtetës, por gjithashtu thonë se dhe ajo ka humbur një herë me piramidën e Keopsit dhe sfinksi pranë saj.

Imagjinoni se çfarë është politika në raport me kohën. Megjithatë politika i ka mjetet e saj për të marrë përgjegjësinë që i takon. Ka akademi, galeri, ministri dhe mendimtar të estetikës së artit monumental. Dhe një gjë të fundit dua të them: nuk është e shëmtuara që na shëmton, por e bukura që po vonon. Roma ka shumë skulptura, jo të gjitha janë të bukura, por të gjitha zbukurojnë Romën.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)