Profesor, ju keni qenë në anën e një varg profesionistësh që e keni kritikuar mënyrën si u zgjodh projekti i monumentit të pavarësisë. Pse nuk jeni dakord me çfarë u bë në këtë rast?
-Duhej ndjekur një radhë pune profesionale, duke filluar që nga caktimi i vendit, madhësia e monumentit, karakteri dhe rëndësia e monumentit. Të gjitha këto në varësi të objekteve që ka përreth monumenti dhe rëndësisë së tyre. Do të kishte kjo karakter frontal apo karakter rrethor, pra që të shihej nga shumë pika. Një monument i tillë është një vëllim me hapësirë tredimensionale që duhet parë në çdo pikë. Por këto gjëra që them këtu, nga sa kam parë unë nuk janë respektuar. Pra, nuk është respektuar në mënyrë profesionale një radhë pune, e cila të gjykohet nga profesionistë, e të mos iu varet në qafë zyrtarëve kjo punë.
Në këto zgjedhje, fjalën e parë e kanë profesionistët. Nuk më interesojnë individët, janë apo jo zyrtarë, nuk dua të ngatërroj njeri, pasi secili ka mendimin e tij, unë flas në përgjithësi, duke e parë nga këndvështrimi i një njeriu që merret me art, i një skulptori.
Një vepër e tillë kushtuar pavarësisë ekziston në Vlorë. A përben ky fakt një problem?
-Për mua ky duhet të ishte monumenti i Lirisë, në 100-vjetorin e Pavarësisë. Pra, duhej të ishte vëllai, ose motra e monumentit të Pavarësisë në Vlorë. Monumenti i pavarësisë në Vlorë, nuk mund të kontestohet, është një monument që ka fituar të drejtën e qytetarisë atje ku është, me vlerat e tij ideo-artistike, që i ka rezistuar kohës e do të vijojë ti rezistojë. Tani, ky monument në Tiranë, është mirë që do të bëhet, e duhet realizuar më së miri një monument në 100-vjetorin e pavarësisë. Pra, mund të jetë monumenti i Lirisë, pasi Liria dhe pavarësia rrinë shumë mirë me njëra-tjetrën si ide, apo jo. Mund të kesh Pavarësi pa Liri, por s'mund të kesh Liri pa Pavarësi.
Megjithatë edhe në këtë konkurrim, vendimet i morën zyrtarët. Profesionistët sërish nuk u pyetën apo jo...?
-Duhet thënë se aty kishte një juri, e cila kishte profesionistë. Por kjo punë duhet nisur dhe duhet finalizuar nga profesionistët. Zyrtarët duhet të presin çfarë do t'ju japin pro esionistët. Dhe ata atë çfarë duan e japin përmes platformës. Por edhe kjo platformë bëhet nga njerëz të artit, skulptorë, piktorë, arkitekt, historianë, psikologë. Të gjithë këta duhet të kishin dhënë mendime për ndërtimin e një platforme për këtë projekt, mandej të shpallej konkurrimi.
Po si kohë, kur duhej të ishte ideuar ky projekt?
-Para tre vjetësh. Ka një kohë që duhet respektuar në këtë rast. Është si një fëmijë, që do kohën e tij për të ardhur në jetë, ndryshe del me deformime. Ne duam që ajo që bëhet, të bëhet si duhet, pasi menjëherë bëhet.
(sg/shqiptarja.com)