Si do të reagonte një nxënës i fillores nëse një pedagog i universitetit do ta ndalonte në rrugë dhe do ta kërcënonte fytyrngrysur: kur të vish në fakultet, do të të rrezoj në lëndën time?! Me siguri i vogli do të ngrinte supet e do të vazhdonte rrugën shpërfillshëm. Kjo fabul banale shkollore duket se po konsumohet edhe një herë më tepër mes Greqisë fqinje dhe shtetit shqiptar. Në stilin e njohur të kërcënimit me bllokim të procesit integrues (BE ose NATO, sipas rastit), Athina ka disa muaj që bën presion mbi qeverinë shqiptare për të liruar nga burgu kryebashkiakun e Himarës Fredi Beleri, i akuzuar për manipulim të procesit zgjedhor përmes blerjes së votave. Po na kërcënon se do të na vonojë hyrjen në BE, megjithëse ne ende nuk dimë asnjë datë sado të përafërt se kur do të hyjmë në Union. Një kërcënim i projektuar në të ardhmen e largët është objektivisht një kërcënim i dobët.
Siç ka ndodhur edhe në të shkuarën me Himarën, sensibiliteti i politikës greke u provua edhe një herë të jetë maksimal dhe pa dorashka. Kryebashkiakët e Athinës dhe Selanikut nuk hezituan t’i vihen në krye një mitingu në qytetin e vogël bregdetar, prej nga ju drejtuan të pranishëmve sikur po flisnin në njërën nga lagjet e qyteteve që drejtojnë. I trajtuan praktikisht himariotët si qytetarë të tyret, paçka se reciprociteti në këtë rast le shumë për të dëshëruar. Një gjest i tillë, fjala vjen nga kreu i bashkisë së Gjirokastrës, në një qytet të Epirit, do të ishte thjesht fantazi filmash!
Për t’ju kthyer fabulës me nxënësin e fillores dhe profesorin e universitetit, Athina po kërcënon Tiranën se nëse Beleri nuk lihet i lirë të marrë detyrën e kreut të bashkisë Himarë, Greqia do të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Diçka e ngjashme si me bllokimin shumëvjeçar të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO për shkak të emrit.
Ka vetëm një problem, që e rrëzon të gjithë teoremën e shkopit dhe karrotës që Athina kujton se po luan me Tiranën: Edi Rama nuk është nxënësi i shkujdesur i fillores. Krejt e kundërta. Janë të gjitha gjasat që në vend që të frikësohet, ai të jetë duke fërkuar duart nga kërcënimi grek. Ashtu siç është duke e shfrytëzuar maksimalisht rastin Beleri në planin e brendshëm.
Pala greke ka gjetur kërcënimin e gabuar me Ramën, kur i tregon derën e mbyllur të BE. Së pari sepse Rama e di që janë të gjitha gjasat që kjo puna e aderimit në Union të shkojë përtej afateve kohore të karrierës së tij politike. Ashtu si të tjerë para tij, edhe Rama e di se hyrja në BE është një “punë e ngatërruar të ardhmes”. Tonet e shpenguara, deklaratat shpesh herë tallëse dhe acide ndaj evropianëve, zbulojnë indirekt faktin se Edi Rama e di se rruga drejt Brukselit është e gjatë dhe jashtë trajektores së tij politike. Sillet me ta i çliruar nga komplekset e kohës dhe të afateve.
Kur Greqia kërcënon kryeministrin shqiptar me lënien jashtë Evrope, është duke kërcënuar një lider politik që nuk e do fare hyrjen në BE. Të paktën për momentin aktual, kur i duhet të thithë investime nga pjesë të botës larg Unionit, të ndërtojë porte marinash si ai i Durrësit me para nga Gjiri Persik, apo të bëjë amnisti fiskale në shifra të konsiderueshme. Që të gjitha procese që Evropa e Bashkuar i pengon dhe i shkurajon me të gjitha kompetencat e saj. Rama nuk e do Evropën e tabelave dhe të semaforëve. I duket një ngrehinë burokratike që ja komplikon gjithëfuqinë politike që gëzon brenda vendit.
Edi Rama po ndërton një shtet që retorikën e ka evropiane, kurse sjelljen vijon ta ketë thellësisht ballkanike. Një vend të tillë nuk e kërcënon dot se do ta lesh pas gardhit, pasi ai do të qëndrojë i tillë me vullnetin e tij të lirë, edhe për ca vjet të tjera.
Së dyti, Edi Rama duket se e kuptoi lojën e pisët që Berisha dhe Meta bënë kur kandiduan në Himarë një figurë të diskretituar dhe me precedente aspak të pastra si Fredi Beleri. E nëse dyshja e opozitës e hodhi Belerin në vorbullën e zgjedhjeve lokale me qëllim që të prishte klimën mes dy vendeve, vetë Rama e vuri në qendër të fushatës retorikën kundër Belerit, për ta përdorur atë tek ajo pjesë e popullsisë që gdhihet e ngryset me eposin patriotik në mendje. Edhe në këtë plan presioni grek relativizohet e tkurret, pasi përtej incidentit me palën greke për Himarën, pozita ndërkombëtare e Edi Ramës është sot më e fortë se kurrë më parë.
Kohërat e reja ku kemi hyrë diktojnë edhe sjelljet e fqinjëve mes tyre. Kur operacionet e debimit kolektiv të refugjatëve shqiptarë janë tashmë një kujtim i së shkuarës, Athinës i duhet të gjejë rrugë e mjete të tjera presioni për të realizuar interesat e saj në Shqipëri. Dalja në mbrojtje të figurave të diskretituara ose kërcënimi-klishe me sabotimin e integrimit në Evropë janë gjithashtu të tejkaluara. As Beleri, as vonesa e hyrjes në BE nuk janë karta të vlefshme. Për të parin shqiptari i zakonshëm ka mendim të keq, kurse për të dytën, Evropën e Bashkuar, është e vështirë të frikësohesh se po të zgjasin një rrugë të cilës ti nuk i di ende stacionin e fundit.
Hyrja ne BE, persakohe eshte ne fuqi vetoja, eshte nje tregues i mungeses se demokracise ne Union. Ne demokraci, vendos shumica dhe jo nje me veto. Unioni eshte nje "perandori" shumeetnike dhe do te kete fatin e te gjithe perandoruve shumetnike pararendese, duke filluar nga ajo Romake deri tek ajo britanike.
PërgjigjuNuk ke menduar. qe mund te jene marre vesh te tre, Rama, Meta e Berisha? Asnjeri nuk e do pranimin e Shqiperise ne BE… sepse e dijne cfare i pret… Qe ky pranim eshte mirazh, e kemi te qarte, sidoqofte. Duke qene nje vend me shumice myslimane, as qe kemi per ta patur ate shans! Treshja e famshme e ka kuptuar kete me kohe dhe tallin prapanicen me ne, duke bere lojen e Evropes hipokrite.
PërgjigjuSkender,gjithecka qe shkruan qendron,POR nuk prek faktin,qe kjo ceshtje eshte ne duart e drejtesise,jo te Kryeministrit ! Perderisa eshte e tille,askush nuk nderhyn dot.Jo vetem kaq,por,cdo vendim apo qendrim i organeve te drejtesise,ka edhe mbeshtetjen e plote te SHBA'se dhe te BE'se !! Pra jo shume problem i komplikuar ! Lymi Tutit
PërgjigjuShkrim i bukur dhe i goditur bravo Minxhozi! Jo sikoleget e tu si tipi Barka,Peka,Bushati,Shkullaku,Bejtja e shum kesisoj vemjesh qe jane pro Belerit.
Përgjigju