TIRANË- Në vazhdë të reagimeve për protestën në Tiranë dhe qëndrimeve të tij se janë kurdisur nga influenca të huaja, përfshirë Iranin, kryeministri Edi Rama ka ndarë foto të Ikballe Hudutit në tubim, një figurë televizive e njohur për simpatinë për regjimin e Iranit. Kryeministri shkruan se nuk ka asgjë me protestuesit, por me ata që e kanë shndërruar protestën nga një kauzë për mbrojtjen e natyrës në një tribunë për interesa të tjera politike dhe të financuara nga jashtë.
Në postimin e tij, Rama thotë se Hudutin në emër të fesë predikon urrejtje, thërret për kryengritje kundër qeverisë shqiptare dhe kërkon hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani. Ai po ashtu ka publikuar një foto të saj me presidentin e asaj kohe Mahmoud Ahmadinejad, të cilin e cilëson si "kryeshërbëtorin famëkeq të ajatollahëve".
“Mos u merr me protestuesit…
Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë
Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.
Ikballe Huditi është e njohur për simpatinë publike për teokracinë islamiste në Teheran dhe ishte arrestuar për deklarata të saja të pamatura në shtytje të veprave terroriste.

Ikballe Huduti dhe ish-presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad

Ikballe Huduti në protestë
Komente










