TIRANE - "Të mbarova punë, silli lekët”. Me këtë fjalë i është drejtuar shtetases Behare Rushiti, teksa kjo e fundit shiste në treg, një gjyqtar i Pogradecit, i cili kishte vendosur pezullimin e një dosje civile. Për këtë shërbim, gjyqtari Dhimitër Pojanaku, i ka marrë shumën financiare prej 450 mijë lekë të vjetra, shtetases Behare Rushiti, si shpërblim të shërbimit të kryer. Teksa ka marrë shumën e parave, Pojanaku është arrestuar në ambjentet e një lokali në Pogradec, nga forcat e policisë së Korçës. Sipas burimeve pranë prokurorisë nga hetimet janë arritur të sigurohen prova bindëse nëpërmjet përgjimeve dhe pamjeve filmike, të cilat nxjerin zbuluar gjyqtarin e Pogradecit. Dhimitër Pojanaku, njihet në Pogradec dhe si shkrimtar i disa librave me poezi.Që prej ditës së Enjetë ai është dërguar në gjykatë si i pandehur për akuzën e korrupsionit.

Presioni i gjyqtarit
Pasi janë bërë 7 seancash gjyqësore, gjyqtari Dhimitër Pojanaku i ka thënë K.Vakos, avokates së kallzueses se për ta ndihmuar Beharen ai do të “dorëhiqej” nga çështja në fjalë, pasi po ta vazhdonte ai, kallzuesia do ta humbte gjyqin. Për të kryer dorëheqjen gjyqtari i ka thënë avokates se për të hequr dorë nga çështja ai kërkonte 45 000 lekë të reja. Kallzuesia i ka thënë avokates se ishte dakort me këtë fakt, pasi ajo donte që çështja të mos gjykohej nga gjyqtari Dhimitër Pojanaku, por në atë kohë ajo nuk i ka dhënë shumën e lekëve.

Pasi gjyqtari ka paraqitur kërkesë për heqje dorë, çështja është marrë nga një gjyqtare tjetër dhe kjo e fundit e ka pezulluar gjykimin pasi është administruar një shkresë nga Gjykata e Lartë që bënte fjalë për një proces tjetër gjyqësor që kishte lidhje me çështjen objekt gjykimi. Kallzuesja ka dashur që të hapë një proces të ri gjyqësor, por nga ana e avokates i është thënë se ajo (kallzuesia) duhej ti jepte shumën prej 45 000 lekësh gjyqtarit Dhimitër Pojanaku, pasi ky i fundit i kishte thënë avokates se nuk ju lejoj të hapet gjyqi i ri pa marrë shumën e lekëve të mësipërme.

Drejtësi në Pazar
Kallzuesia sqaron gjithashtu se para disa kohësh gjyqtari Dhimitër Pojanaku, kishte kaluar nga vendi ku ajo punon (treg) dhe i kishte thënë kallzueses: “Të mbarova punë, silli lekët”, ndërsa ajo i është përgjigjur “Mirë, mirë”. Në lidhje më faktet e mësipërme kallzuesia ka dorëzuar edhe një sërë dokumentash që bëjnë fjalë për sa më sipër. Të gjithë këto veprime kanë qënë nën përgjim dhe se më pas është bërë arrestimi i Dhimitër Pojanakut.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)