Luiza Gega vijon shkëlqimin në garat e atletikës. Sportistja shqiptare ka vendosur një tjetër rekord të ri kombëtar, këtë herë në garën e 2000 metrave me pengesa. Me kohën 5 minuta, 56 sekonda dhe 79 të qindtat, Gega e ka mbyllur e katërta garën në turneun Botëror të Atletikës, mbajtur në Zagreb të Kroacisë, për kategorinë "Gold".
Me kohën 5:56,79 sportistja kuqezi përmirëson me disa sekonda rekordin kombëtar në këtë disiplinë, të vendosur nga vetë ajo në 2019 me kohën 6:00.07.
Koha 5:56.79 e regjistruar nga Luiza Gega në Zagreb është koha e dytë me e mirë në historinë e disiplinës 2000 metra me pengesa në Europë dhe e katërta më e mirë në botë.
Pak javë më parë, Luiza Gega përmirësoi një tjetër rekord të sajin, duke bërë që me kohën 9:09.64 të thyente edhe rekordin kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa, në turneun "Diamond League" që u zhvillua në Zurich të Zvicrës.
Kështu, Gega mbyll sezonin me dy rekorde të reja kombëtare, në garën e 2000 dhe 3000 metrave me pengesa.