Shpërtheu përsëri. Sapo komuniteti LGBT bën një hap: flet, tregon, dëshmon, sqaron, lufton, një koshere e madhe me grenxa çlirohet në vend e nisin të pickojnë me ritëm. Pandërprerë. Pavarësisht dhimbjeve, më duket një gjë e mirë. Në debate, në ngritje zëri, në përplasje duarsh në tavolinë, mund të shohim natyrën e vërtetë të njerëzve që na rrethojnë.

Xheni Karaj ka lindur homoseksuale në Tiranë, por kjo nuk është një meritë, një dhunti, një e veçantë. Sa homoseksualë, gay e lesbike kanë lindur edhe në këtë katundin tonë si në të gjitha vendet, shtetet e perandoritë, kështuqë, e kalojmë këtë fazë. Xheni Karaj ka lindur me një karakter të rrallë, guximi, është forca e saj, e sidomos, për meritë të familjes apo të vetvetes, rrugëtimi me kokën lart në natyrën e vërtetë të ekzistencës së saj.

Xheni sot përballet për të disatën herë me një mur të ngritur në shoqërinë tonë, i përbërë kryesisht nga injorantë, të paditur e të palexuar që nga fjalimet e propagandën që bëjnë duket qartë që s'e kanë idenë ç'ndodhte që në agimet e njerëzimit, në antikitet, në mesjetë, në diktatura e sot në demokraci me komunitetin gay. Nuk njohin asnjë betejë të drejtash civile, asnjë histori, s'kanë parë asnjë film apo lexuar biografi që të kuptojnë se pse jemi tepër vonë me këto sqarime dhe me luftën e LGBT edhe në Shqipëri. Por jo vetëm kaq. Ata që janë kundër Xheni Karajt dhe vizitave të këtij komuniteti nëpër shkolla, nuk e kanë fare idenë se ç'dodh me fëmijët e tyre, me shokët e shoqet në klasë, me kolegët në punë, me fqinjët në lagje, me të afërm në fis, që pavarësisht idesë e dëshirës së tyre, kanë lindur e dashurojnë seksin e njëjtë.

Ose bëjnë sikur nuk dinë asgjë. Sepse në Shqipërinë e postdiktaturës, pas formimit të Njeriut të realizmit socialist, lindën të tjera forma qëniesh njerëzore që i kemi mes nesh. Ata që duken vetëm ashtu siç nuk janë: komunisti duket antikomunist, i privilegjuari duket i përndjekur, vrasësi i kafshëve dhe mjedisit duket ambjentalist, dembeli duket punëtor, i padituri duket intelektual, amoralja duket shënjtore, e shëmtuara duket e bukur, homoseksuali duket heteroseksual, mashtruesi duket këshilltar... e kështu me radhë.

Xheni, në vërtetësinë e guximin natyror të saj, në këtë mjedis me maska të konsoliduara, është e vetme, por e vërtetë. Ndoshta, në të gjithë lëvizjet, protestat e postkomunizmit shqiptar, kjo e LGBT është më e vërteta, më e natyrshmja, ndaj, Xheni Karaj, as mos u prek, as mos u ndal. "Normalët", herët a vonë, do ta gjejnë rrugëtimin e tyre.