Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka reaguar për protestën e sotme të opozitës, ku u bllokuan për dy orë katër akse kryesore të vendit. Ministri Xhafaj e ka quajtur të paligjshme protestën e opozitës, ku sipas tij, për dy orë mbetën të bllokuar në rrugë me qindra qytetarë. 

Nga ana tjetër, Xhafaj ka falënderuar të gjithë qytetarët për durimin e treguar, pavarësisht vonesës dhe problemeve që iu solli ky bllokim. Gjithashtu, ministri i Brendshëm shpreh vlerësim maksimal për drejtuesit dhe strukturat vendore të Policisë së Shtetit për menaxhimin profesional të situatës së pazakontë.

"Falënderojmë qytetarët për durimin e treguar, duke mos shkaktuar asnjë incident, me gjithë vonesën dhe problemet që iu solli ky bllokim. Vlerësim maksimal drejtuesve dhe strukturave vendore të Policisë së Shtetit për menaxhimin profesional të situatës së pazakontë. Për rreth 2 orë qindra qytetarë mbetën të bllokuar në 4 akse kryesore rrugore, për shkak të protestës së paligjshme të zhvilluar nga opozita. Policia bëri të gjitha përpjekjet për të lehtësuar lëvizjen në rastet e emergjencës"

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm