Lufta në Ukrainë hyri në ditën e 1.559-të me një nga sulmet më të mëdha ukrainase me dronë ndaj territorit rus, që goditi Shën Petersburgun dhe rajonin e Leningradit pikërisht në ditën e hapjes së Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, ngjarja më e rëndësishme ekonomike e Rusisë ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti Vladimir Putin.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan më shumë se 350 dronë ukrainas në rajone të ndryshme të vendit, përfshirë Moskën, Shën Petersburgun dhe Novgorodin. Autoritetet thanë se vetëm mbi rajonin e Leningradit u identifikuan më shumë se 60 dronë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet goditën “objektiva kyçe” në territorin rus, mes tyre terminalin e naftës në Shën Petersburg, një nga qendrat më të mëdha të transferimit dhe eksportit të karburanteve në veriperëndim të Rusisë. Sipas Kievit, në shënjestër ranë gjithashtu objektiva ushtarake në bazën detare të Kronstadtit, përfshirë anije dhe infrastrukturë portuale, si edhe një objekt në rajonin e Tambovit që lidhet me prodhimin e armëve ruse.
Mediat ukrainase publikuan pamje të zjarreve dhe shpërthimeve në terminalin e naftës “Petersburg Oil Terminal”, ndërsa autoritetet ruse konfirmuan dëme në disa infrastruktura. Sulmi shkaktoi gjithashtu probleme në trafikun ajror, me dhjetëra fluturime të vonuara ose të anuluara në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut.
Moska akuzoi Ukrainën edhe për një sulm me dron ndaj centralit bërthamor të Zaporizhias. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) njoftoi se centrali mbeti për rreth 20 minuta pa furnizim të jashtëm me energji elektrike pasi u dëmtua e vetmja linjë e mbetur e energjisë.
Një ditë më parë Rusia ndërmori një nga ofensivat më të rënda ajrore të muajve të fundit ndaj Ukrainës dhe lëshoi 198 dronë drejt Ukrainës, nga të cilët 189 u neutralizuan sipas Forcave Ajrore ukrainase.
Në vazhdën e përshkallëzimit të luftimeve, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbërriti në Kiev për një vizitë të paparalajmëruar, ndërsa në Bashkimin Europian vazhdojnë diskutimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën.

Kremlini ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë t’u përgjigjet në mënyrë “sistematike” sulmeve ukrainase, pas goditjes me dronë ndaj Shën Petersburgut dhe sulmit ndaj një autobusi që udhëtonte nga Moska drejt Krimesë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se qëndrimi i Moskës mbetet i pandryshuar dhe se kundërpërgjigjet ruse tashmë po zbatohen në praktikë. “Përgjigjet tona do të jenë sistematike dhe në fakt tashmë janë të tilla”, deklaroi Peskov, duke iu referuar edhe qëndrimit të mëparshëm të Ministrisë së Jashtme ruse.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbërriti të mërkurën në Kiev për një vizitë të paparalajmëruar, në një kohë kur Ukraina po përballet me sulme të vazhdueshme ruse me raketa balistike dhe dronë. Vizita vjen pas disa bombardimeve vdekjeprurëse që kanë goditur kryeqytetin ukrainas javët e fundit.
Gjatë qëndrimit në Kiev, Rutte pritet të zhvillojë një takim me presidentin Volodymyr Zelensky, i cili prej kohësh u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s të shtojnë mbështetjen për mbrojtjen ajrore të Ukrainës përballë sulmeve ruse.
Shpërthime të forta, flakë dhe shtëllunga të mëdha e të zeza tymi janë parë mbi Shën Petersburg pas sulmit me dronë ukrainas që goditi terminalin e naftës në qytet. Pamjet e publikuara nga banorët në rrjetet sociale tregojnë momentet e sulmit, i cili ndodhi pikërisht në ditën e hapjes së Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, ngjarja më e rëndësishme ekonomike e Rusisë.
Terminali i naftës në Gjirin e Finlandës, pjesë e Portit të Madh të Shën Petersburgut është një nga qendrat më të mëdha të Rusisë për magazinimin dhe eksportin e karburanteve. Objekti përpunon dhe transporton produkte të naftës përmes rrugëve ujore, hekurudhave dhe rrugëve automobilistike, me një kapacitet të vlerësuar prej rreth 12.5 milionë tonësh në vit.
Sulmi përkoi me nisjen e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, aktiviteti më i rëndësishëm ekonomik i Rusisë, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti Vladimir Putin.
Guvernatori i rajonit të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, deklaroi se gjatë orëve të para të mëngjesit janë rrëzuar 50 dronë në rajon, por nuk dha detaje për dëmet e shkaktuara nga zjarri në terminalin e naftës.
Pasojat e sulmit u ndjenë edhe në transportin ajror. Sipas mediave shtetërore ruse, në aeroportin Pulkovo pati ndërprerje të operacioneve, me gati 30 fluturime të vonuara për më shumë se dy orë dhe nëntë të tjera të devijuara drejt aeroporteve të tjera.
Komente








