Më shumë se gjysma e Amerikës po 'ngrin' së ftohti për shkak të një prej stuhive më të ashpra të dimrit në historinë e vendit.

Harta e shteteve të goditura nga stuhia
Stuhia që pritet të zgjasë deri gjatë javës, shoqërohet me dëborë dhe ngrica të paprecedenta në të 40 shtete, 17 prej të cilave kanë shpallur gjendjen e emergjencës. Deri më tani, sipas agjensisë Reuters, rreth 670 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa sipas Fox News numri i personave pritet të arrijë deri në 1 milionë.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, reshjet e dendura të borës, shiu i ngrirë dhe akulli po rrezikojnë seriozisht jetët e 180 milionë personave në Amerikë.

Pamje nga moti i keq në Nashville, Tennessee.
Sipas gazetës US Herald më shumë se 13 mijë fluturime u anuluan gjatë fundjavës, ndërsa e diela u shënua si dita me më shumë anulime që nga pandemia e COVID-19.
Guvernatorja e Nju Xhersit u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, duke e cilësuar situatën si një nga më të vështirat e viteve të fundit. Në disa shtete janë vendosur kufizime shpejtësie në autostrada për shkak të akullit.
Presidenti Donald Trump e quajti stuhinë si historike dhe aprovoi gjendjen e emergjencës në këto shtete: South Carolina, Virginia, Tennessee, Georgia, North Carolina, Maryland, Arkansas, Kentucky, Louisiana, Mississippi, Indiana, dhe Ëest Virginia.
Ndërprerje të shumta të energjisë janë raportuar në Luiziana dhe Teksas, ku stuhia ka shkaktuar rënie pemësh dhe dëme në banesa. Në Xhorxhia, meteorologët e kanë përshkruar situatën si stuhinë më të madhe të akullit në më shumë se një dekadë.
Autoritetet në disa qytete të mëdha, përfshirë Nju Jorkun, kanë angazhuar mijëra punonjës dhe mjete për pastrimin e borës, ndërsa paralajmërohet se temperaturat do të jenë ndër më të ulëtat e tetë viteve të fundit.
Komente










