Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të energjisë elektrike në shumë vende të Ballkanit Perëndimor.
Një grua humbi jetën në Sarajevë të Bosnje Herzegovinës, kur u godit nga një pemë që u rrëzua si pasojë e masivit të dëborës.
Në Mostar, shumë lumenj kanë dalë nga shtrati ndërsa në lindje të vendit është shpallur gjendja e emergjencës si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drina.
Reshjet e mëdha të shiun në 24 orët e fundit kanë rënduar situatën edhe në pjesën perëndimore të Kosovës. Malisheva është zona më e prekur nga vërshimet ndërsa situata është e rënduar edhe në Gjakovë, Juniku, Deçan, dhe Klinë, ku lumenj të shumtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë vërshuar në rrugë e banesa.
Si pasojë e vërshimeve të ujit janë shkaktuar probleme në komunikim, bllokime të sistemeve të kanalizimeve dhe vështirësi në trafik.
Në Serbi, dhjetëra fshatra janë pa energji elektrike si pasojë e reshjeve të dëborës ndërsa gjendja e emergjencës është shpallur në disa zona perëndimore të vendit.
Në Malin e zi, dhjetëra rrugë janë mbyllur ndërsa përmbytjet rrezikojnë shumë shtëpi. Zonat më të goditura nga moti i keq janë Ulqini, Podgorica, Kolashini e shumë të tjerë.
Ngricat dhe dëbora kanë shkaktuar viktima dhe probleme edhe në shumë shtete të Europës. Në Francë, 5 persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq ndërsa qindra fluturime janë anulluar. Të paktën 6 aeroporte janë mbyllur në veri dhe në perëndim të Francës.
Në Hollandë, 400 fluturime në aeroportin e Schipol në Amsterdam të Hollandës u anulluan si pasojë e ngricave në pistë, ndërsa pritet që reshjet e dendura të dëborës të vazhdojnë deri në fund të javës.
Autoritetet kanë këshilluar vendasit që të shmangin udhëtimet me të gjitha linjat rrugore dhe hekurudhore dhe të udhëtojnë vetëm në rast nevojë.
Në Romë, lumi Tiber doli nga shtrati si pasojë e shirave të dendur ndërsa kryebashkiaku Roberto Gualteri urdhëroi kufizimin e aksesit publik në parqe për shkak të rrezikut të lartë të përmbytjeve dhe rrëzimit të pemëve.
Temperaturat në Britaninë e Madhe kanë zbritur deri në 12.5 gradë Celcius. Dëbora e dendur shkaktoi pengesa në linjat hekurudhore, ajrore dhe rrugore. Dhjetra shkolla u mbyllën si pasojë e motit të keq.
Në Skoci situata është kritike sepse dëbora e dendur ka shkaktuar pengesa serioze në furnizimet me ushqime dhe ilaçe.
Komente









