VIDEO/ Moti i keq godet veriun e Italisë, një person i humbur në Torino, përmbyten dhe Milano e Veneto
Pamjet e frikshme nga veriu i gadishullit. Lumenjtë vërshuan pas ciklonit afrikan dhe stuhisë së rrëmbyeshme me erë dhe shi. Alarm në Piemonte, Lombardi, Veneto, Emilia-Romagna, Liguria, Toskanë dhe 16 rajone të tjera. Dhjetëra persona të izoluar nga uji
Itali- Alarmi i kuq për rrezikun hidrogjeologjik në veri të Italisë, përmbytje në Torino, Milano dhe Veneto, një i zhdukur dhe dhjetëra të izoluar, dëme dhe shkatërrime.
Më problematike situata e motit paraqitet në zonat e Piemontes, Lombardisë, Venetos, Emilia-Romagna, Ligurias dhe Toskana, në total 16 rajone. Cikloni afrikan me stuhi ere dhe shiu të rrëmbyeshëm shkaktoi panikun te qindra mijëra banorë të këtij rajoni.
Mbrojtja Civile paralajmëron se orët e ardhshme situata “do të shoqërohet me reshje të dendura shiu, rrufe, stuhi lokale breshëri dhe rrëqethje të forta ere”, raporton "La Repubblica".
Më e keqja do të mbërrijë gjatë mbrëmjes. Shkak ka qenë cikloni afrikan dhe vorbulla që ka shkaktuar, e kapur edhe me pamje satelitore dhe që përveç dëmeve miliona euro, ka shkaktuar edhe viktima. Në Valchisone (Torino) pati një përmbytje të shpejtë që lëshoi deri në 200 mm ujë brenda pak orësh gjatë natës.
Në Piemonte dëmi i parë u regjistrua në zonën Combe, në komunën Mattie, ku lumi Gerardo u derdh dhe shkaktoi shembjen e një ure. Do të ishin 30 persona të izoluar në rrethin Santa Petronilla të Bussoleno.
Sinoptikantët thonë se përmirësimi i motit mund të nisë gjatë ditës së nesërme (6 Shtator).
Në Milano, baseni Seveso është tejfryrë dhe ka shpërthyer gjithandej. Mbrojtja Civile bëri me dije se lumi Lambro, pas Seveso, ka arritur edhe në "pragun kritik".
Kurse rruga shtetërore Fadalto, në komunën e Vittorio Veneto, në Treviso, është bllokuar përkohësisht për shkak të motit të keq.
'Çmendet' moti në Itali, tornado fluturon çadrat dhe shezlongët në plazh
Stuhia e shiut dhe erës prej dy ditësh është rikthyer në Itali, duke shkaktuar dëme të shumta materiale, por edhe panik te qytetarët.
Vetëm një ditë më parë në zonën e Marina di Grosetto një tornado e ardhur nga deti ka fluturuar në ajër shezlonet dhe çadrat në plazh, duke krijuar pamje apokaliptike.
Mediat italiane raportojnë se moti nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq i egër.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme pjesa më e madhe e Italisë është pëfshirë nga stuhi shiu, ku në shumë zona ka patur përmbytje, ndërsa raportohet për një person të zhdukur.
Pritet që stuhia që ka goditur Italinë të prekë edhe Shqipërinë gjatë ditës së nesërme.