Problematikat në disa zona të vendit si pasojë e motit të keq vijuan edhe gjatë ditës së sotme. Argjinatura e lagunës së Vainit në zonën e Rriles, Lezhë, u mbyll mbrëmjen e sotme, pasi prej dy ditësh ishte shembur. Uji vërshoi në fshatrat Mylte, Barbullojë si dhe në fushën e Treshit dhe të Spitenit. Report Tv sjell pamjet dramatike, filmuar me dron, ku niveli i ujit shkon në 1 metër.
Disa banesa u përmbytën, ndërsa shumë të tjera janë rrethuar nga uji. Lëvizja e banorëve në Rrilë u krye vetëm me varka.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Çukë të Sarandës, ku argjinatura e lumit Bistrica u ça gjatë natës. Uji ka vërshuar në fushat përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Raportohet për 5 banesa të përmbytyra në Çukë, ndërsa banorët kërkojnë ndihmë për ushqime e veshje. Dëmet janë të mëdha, siç shihet në pamjet me dron që sjell Report TV.
Nga Saranda, Ministri i Mbrojtjes Piro Vengu tha se po bëhet evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, ndërsa janë evakuuar 25 familje.
Gjatë natës janë përmbytur dhjetëra banesa në Korçë, Pogradec, Devoll e Maliq. Prej 12 orësh, 76-vjeçarja Flora Hoxha, e sëmurë, ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer. Ka dyshime se mund të jetë mbytur në përroin e fshatit Proger në Devoll. Mesditen e kësaj të premteje ushtria dhe emergjencat nisen kërkimet. Situata është kritike dhe në Rrëmenj aty ku banorët u zunë në kurth nga uji i vurishëm dhe lanë shtëpitë në mesnatë me fëmijë në krah.
Situatë e rënduar paraqitet në fshatin Sheqeras në Maliq nga reshjet e dendura të shiut. Mësohet se fshati ka rrezik për tu përmbytur pasi rrezikohet të çahet argjinatura e lumit dytësor që vjen nga fshatrat Orman dhe Pojan.
Në Baçallëk, uji ka hyrë në disa banesa dhe toka bujqësore si pasojë e bllokimit të kanaleve. Në Gështenjas prurjet e përroit kanë përmbytur magazina, stalla dhe një park bletësh duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Në Buçimas dhjetëra dynymë tokë ndodhen nën ujë për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Lumi i Vërdovës ka marrë përpara ura dhe ka hyrë në disa banesa, duke bërë dëme të shumta.
Në Fier ka prezencë uji në 21 banesa, ndërsa dhjetëra dynymë tokë me ullinj u dëmtuan, për shkak të vërshimit të Vjosës. Në Vlorë u evakuuan 14 familje në Novoselë dhe Fitore. Janë përmbytur toka bujqësore dhe thertorja në Novoselë me rreth 70 cm ujë në ambientet e brendshme. Shirat intensive përgjatë ditës së sotme vijojné të mbajnë në nivele të larta prurjet në lumenjtë e qarkut Fier.
Megjithëse në Memaliaj raportohet për rënie të nivelit të lumit Vjosa, situata në Urën e Mifolit paraqitet krejt ndryshe. Matjet e fundit tregojnë se Vjosa ka arritur kuotën e 8.2 metrave, duke shënuar një rritje të konsiderueshme. Nëse prurjet vazhdojnë me këtë intensitet, pritet që niveli i lumit të rritet edhe më tej, çka mund të sjellë probleme shtesë në zonat e ulëta , tokat bujqësore përreth, por edhe në banesa. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe u bëjnë apel të vazhdueshëm banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.
Në Dropull u dëmtua rëndë ura e Glinës, duke izoluar 5 fshatra, ndërsa kolonat mbajtëse të urës janë goditur nga prurjet e lumit Drino.
Në Berat u përmbyt pedonalja me dhjetëra biznese, pasi Osumi doli nga shtrati, ndërsa në fshatrat e Dimalit, Kuçovës dhe Velabishtit ka presence uji ne disa banesa.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, Drejtorin e Ujitje-Kullimit Nikolin Prendi dhe ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), inspektuan nga afër situatën në argjinaturën e dëmtuar në Tale, pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet intensive gjatë natës.
Që prej mesnatës, ekipet e ujitje-kullimit dhe ato të bashkisë po punojnë pa ndërprerje për riparimin e segmentit të prekur, duke garantuar sigurinë e zonave dhe funksionimin e sistemit kullues.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, theksoi se ekipet janë në terren, duke monitoruar situatën orë pas ore dhe ndërhyrë aty ku shfaqen problematika. Ai siguroi se strukturat janë në gadishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e banorëve dhe funksionimin e sistemit kullues.
"Bashkia Lezhë, AKMC, Drejtoria e Ujitje-Kullimit dhe Ministria e Bujqësisë, me të gjitha mjetet në dispozicion, kanë rreth 24 orë që punojnë për riparimin e çarjes së argjinaturës. Jemi drejt mbylljes së problematikës. Dua të falënderoj Bashkinë, AKMC, Drejtorinë për gadishmërinë që kanë pasur gjatë gjithë këtyre orëve dhe shpresoj që problematika të tjera të mos na lindin gjatë 24 orëshit të ardhshëm. Megjithatë, jemi në gadishmëri të plotë bashkë me ekipin e Ministrisë së Bujqësisë, stafet e DUKT-ve dhe gjithë stafet që ka Ministria e Bujqësisë", deklaroi Ministri Salla.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, theksoi se falë ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të të gjitha institucioneve u parandaluan pasoja serioze dhe u bë e mundur mbrojtja e banorëve dhe tokave të zonës.
"Deri tani ne kemi bërë të pamundurën për të bllokuar çarjen e argjinaturës. Është një situatë që mund të agravonte me shpejtësi dhe falë ndërhyrjes së shpejtë ka mbetur nën kontroll. Presim që sonte ta mbyllim dhe situata të përmirësohet në zonat përreth", deklaroi Ndreu.
Prefekti i Korçës Nertil Jole thekson që është tejkaluar rreziku për përmbytjen e fshatit Sheqeras, aktualisht nuk ka rrezik që të bëhet shkak për evakuimin e banorëve pasi lumi Devoll në orët e fundit ka pësuar një ulje në 1 metër.
Jole thekson që janë 15 ura të dëmtuara në të gjithë qarkun e Korçës për të cilën pritet që të ndërhyjë Ministria e Mbrojtjes.
'Kemi bërë bisedime me banorët dhe shqetësimet që ata kanë, nuk ka rrezik për evakuim të banorëve. Në kushtet e motit aktual që jemi nuk ka ndonjë rrezik. Kemi pasur një numër të caktuar banesash që kanë pasur prani të ujit. Po ashtu është duke u asistuar për çdo banesë të prekur dhe më pas do të bëhet edhe evidentimi i dëmeve. Kemi 15 ura të dëmtuara në nivel qarku dhe do të bëhet një vlerësim', tha ai.
Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut kanë shtuar prurjet në rezervuarin e Çemerricës në Njësinë Lekas të Bashkisë Korçë. Sipas banorëve niveli i ujit në basenin e Hidrocentralit të Marjanit ka arritur në pikë kritike, ndërsa rrezikohet të çahet diga.
Autoritetet vendore kanë udhëzuar banorët e fshatrave Lekas, Xerje, Denas, Marjan, Gurrëmujas dhe Fshati i Ri të lajmërojnë për çdo situatë rreziku. Siç shihet përmes këtyre pamjeve të siguruara përgjatë ditës deri në këto orë të mbrëmjes po punohet për pastrimin e rrjedhës së lumit dhe rezervuarit.
Pas dy ditësh pune intensive, është mbyllur argjinatura e çarë në Rrile, Lezhë.
Mjete të shumta të ushtrisë, bashkisë dhe subjekteve private u bashkuan në ndërhyrjen emergjente për të vënë nën kontroll prurjet e ujërave të lagunës së Vainit, të cilat përmes çarjes kishin depërtuar duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe duke rrethuar dhjetëra banesa.
Ekipet e emergjencave civile po vijojnë punën në terren për ngritjen e mëtejshme të argjinaturës, me qëllim parandalimin e çdo rreziku të ri nga rritja e nivelit të ujërave në lagunë.
Ministri i Mbrojtjes Piro Vengu, nga Saranda pas mbledhjes së komitetit të emergjencave ka deklaruar se është bërë një evidentim i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.
Ai tha se në Sarandë janë evakuuar 25 familje, të cilët do të akomodohen në çadra përkohësisht.
‘Kemi bërë një mbledhje të komitetit të emergjencave për bashkitë Sarandë, Delvinë Finiq dhe Konispol. Në orët e para të mëngjesit patëm një çarje në argjinaturën e Bistricës në Çuk dhe patëm përmbytje masive të tokave bujqësore dhe stalla me bagëti. Bëmë një evidentim të dëmeve që janë shkaktuar. Kemi koordinuar edhe Forcat e Armatosura të cilat kanë qenë në terren sot për të evakuar banorët dhe bagëtitë.
Nuk ka persona që janë dëmtuar dhe as në kërkim dhe kjo është pozitive. Kemi pasur një vërshim të ujrave në zonën e Sarandës, Finiqit dhe të Delvinës. Kemi 25 familje të evakuara në Sarandë dhe do të akomodohen qoftë me çadra ose për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. Kemi një situatë më ndryshe në Finiq, e njëjta gjë vlen për Delvinën nuk i kemi lënë vetëm banorët’, tha ai.
Situatë e rënduar paraqitet në fshatin Sheqeras në Maliq nga reshjet e dendura të shiut. Mësohet se fshati ka rrezik për tu përmbytur pasi rrezikohet të çahet argjinatura e lumit dytësor që vjen nga fshatrat Orman dhe Pojan.
Prurjet e shumta të ujit kanë sjellë një problematikë të madhe për banorët e fshatit, ndërsa në terren ndodhet kryetari i bashkisë Maliq Gëzim Topçiu, policia e shtetit dhe dhjetëra forca të emergjencave dhe zjarrfikëses.
Krahas këtij problemi, mësohet nga banorët se janë përmbytur edhe tokat bujqësore dhe brenda në fshat ka pasur edhe banesa ku është futur uji në oborre.
Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, pasditen e sotme është takuar me banorët e Qendrës Administrative Novoselë, ku prej dy ditësh lumi Vjosë ka dalë nga shtrati, duke përmbytur 14 banesa – 3 në fshatin Mifol, 11 në Novoselë, si edhe stalla me bagëti në fshatin Bishan.
Gjatë bisedës me deputetin, një nga banorët shprehu shqetësimin për mungesën e mbështetjes dhe demshpërblimeve ndër vite:
“Nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim nga përmbytjet e kaluara. I kanë marrë ata që jetojnë në pallate. Argjinatura këtu është bërë me dhe. Ku shkuan fondet? Dy milionë euro u hodhën në letër, këtu s’janë përdorur më shumë se 100 milionë lekë. Të tjerat i vodhën. Ne rrezikojmë të mbytemi çdo vit.”
Deputeti Leskaj tha se "këtu bashkohet përmbytja natyrore me paaftësinë dhe korrupsionin qeveritar. Për vite me radhë nuk është përfunduar argjinatura e Vjosës, fondet për kullimet dhe kanalizimet vetëm janë abuzuar. Një pjesë e banorëve nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet e shkaktuara nga përmbytjet e mëparshme. Situata sot është kritike dhe mbetet të shpresojmë që niveli i ujit të bjerë.”
Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri të përforcuar për shkak të motit të keq. Shërbimet e Policive Vendore, Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat shkuan në ndihmë të banorëve, ku u kërkua ndihmë. Në zonat më problematike u angazhuan edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe të Delta Forcës.
Edhe gjatë ditës së sotme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, ndërmjet tyre një të moshuar 100-vjeçe nga fshati Çiflik.
Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje. Prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.
Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë. Gjithashtu, specialistët e Policisë në zona janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje. Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi, duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme.
Situata e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit paraqitet në përmirësim të gradualshëm në shumicën e zonave të prekura.
Ministëri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, ka bërë me dije se niveli i ujërave në sipërfaqet e përmbytura është në rënie, ndërsa rrjeti kullues dhe hidrovorët po funksionojnë me kapacitet të plotë.
Në disa prej lumenjve kryesorë, Vjosa, Semani, Shkumbini, si edhe në zonën e Maliqit, nivelet mbeten të larta, por aktualisht të qëndrueshme. Në fushën e Çukës, shkarkimi i ujit po kryhet me vetërrjedhje, ndërkohë që strukturat e ujitje-kullimit po vijojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e argjinaturave dhe forcimin e mbrojtjes lumore.
Prurjet e shumta të ditëve të fundit kanë sjellë depozitime dhe bllokime në portat e Rregullatorit të Ri të Maliqit, duke ndikuar në rritjen e nivelit të Devollit dhe Dunavecit. Ekipet teknike janë në punë të pandërprerë për pastrimin e depozitimeve dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të portave, si dhe për ndërhyrje në argjinaturë.
Stafet e DUK-ve të Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Korçës ndodhen në terren, duke monitoruar infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet dhe duke ndërhyrë në kohë reale, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave.
Ilir Xhakolli kryetar i bashkisë Pogradec ka folur për situatën në Pogradec pas reshjeve intensive të shiut të rëna orët e fundit.
Ai tha se bashkia do të sigurojë shtëpi me qira për ata banorë që u janë përmbytur shtëpitë.
Ka rreth 24 orë që e gjithë bashkia është në këmbë, grupet e emergjencave janë ndarë sepse nuk është vetëm Buçimasi pra kjo njësi administrative por në fakt kjo është prekur më shumë sepse ka edhe një pjesë të konsiderueshme në qytet, edhe në zonën e Mokrës por edhe në zonën e Gorës.
Sigurisht që këtu ndaj jam edhe sot ka më shumë probleme se në zonat e tjera, ne kemi vajtur me grupet e punës nëpër të gjitha shtëpitë e prekura nga përmbytja, patjetër që bashkia do marë në komsideratë kërkesën e tyre, kemi siguruar shtëpi me qera deri në momentin që do sigurohen shtëpitë, patjetër që bashkia do jetë në gadishmëri edhe sot sepse edhe parashikimet kështu janë.
Lajmërojmë edhe qytetarët të jenë të gatshëm dhe në bashkpunim me komunitetin bashkia mund të bëjë gjithçka. Ne jemi të gatshëm ndaj ftoj dhe qytetarët për çdo problem të marin kryetarët e njësive administrative, kordinatorët. Dy banesa janë jasht funksionit, të dyja familjet janë të sistemuara me bonus qeraje. Nesër vjen grupi i inxhinierve për të bërë projektin e ahtëpive të tyre për pjesën që do riparohet dhe besoj në një kohë rekord ata do kthehen në banesat e tyre. Dy lumenjtë i Vërdovës dhe i Rëmenjit janë më problematikët të dyja rjedhin në liqenin e Pogradecit, ne për to kemi hartuar projekte sepse në momente të tilla bëhen të rrezikshme për qytetarët', tha ai.
Rreziku nga reshjet e shumta të shiut dhe prurjet e lumenjve ende nuk ka kaluar. Kështu deklaroi nga Gjirokastra ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile në rang prefekture.
Sipas tij në terren janë në gatishmëri dhe punojnë të gjitha forcat dhe strukturat e pushtetit vendor. Lidhur me rrezikun e urës së Glinës në Dropull Ministri Vengu tha se është mundësuar kalimi për banorët nëpërmjet një rrugë alternative dytësore.
Ministri tha se lajmi i mire është që nuk kemi humbje jete, ndërsa vijojnë kërkimet për 76-vjeçaren e zhdukur në Korçë. Vengu theksoi se janë marrë masat që në rastet e nevojshme të gjithë qytetarët të furnizohen me medikamente, ushqime por edhe ndihmë financiare nëse do të konstatohen dëme.
'Vijojnë kërkimet për 76-vjeçaren në Korçë, bëhet fjalë për një person në moshë me problematika të shëndetit mendor, nuk dihen arsyet e zhdukjes së saj. Gjirokastra, Delvina dhe Saranda ka njohur reshje masive, në 48 orët e fundit kanë pasur reshjet me intensive të këtyre ditëve në rang vendi.
Rrëshqitje dherash në rrugët dytësore dhe në fshatra, rrezikohet për rrëshqitje dhe në vijim. Reparti i Gërhotit po funksionon si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut Gjirokastër, Delvinës e Sarandës. Po bëhen rehabilitime në nivelin e Qukës në mënyrë që të kufizohen pasojat e përmbytjes masive të orëve të para të mëngjesit Po verifikojmë edhe njëherë elementet e urave.
Po mundohemi të gjejmë rrugë alternative deri sa të kemi rehabilitim të plotë të infrastrukturës. Kemi informuar popullin për motin e keq dhe identifikuam elementët e basenit të Vjosës për problematikat që ndodhën. Ura e Glinës dhe ura e Isues midis Libohovë dhe Dropullit janë dëmtuar. Për Glinën është gjetur aksesi alternativ nga mbrapa nga Nepravishta. Për pjesën e Isues duhet të bëjmë një investim rehabilitues është një dëmtim domethënës. Kemi marrë masat në komunitet për mbështetje ushqimore apo bazë materiale e financiare për banorët e zonës', tha Vengu.
Reshjet e rëna gjatë ditëve të fundit kanë krijuar një situatë problematike në disa qarqe në vend, ku janë çarë argjinatura, janë përmbytur banesa dhe janë evakuar banorë.
Anira Gjoni, nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv tha se reshjet do të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme në të gjitha qarqet, ndërsa intensive do të jenë në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.
Gjoni nënvizoi se në këto qarqe mund të ketë edhe shtim të nivelit të ujit në lumenjë.
‘Reshjet do të jenë intensive në Qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës dhe mund të shfaqen problematika sa i takon shtimit të nivelit të lumenjëve që kalojnë në këto zona. Nesër do të ketë reshje mesatare të shiut në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan dhe do të jenë në formën e shtrëngatave, ndërsa në pjesën tjetër të qarqeve do të jenë mesatare’, tha Gjoni.
Gjoni bëri me dije edhe se cilët janë lumenjtë ku prurjet janë në pikë kritike.
‘Problematika sa i takon rritjes së prurjeve në lumenjë janë në lumin Shkumbin, Seman, Mat dhe Vjosë, situata mbetet kritike në këto lumenjë, pasi do të ketë rritje për shkak të vazhdimit të reshjeve në këto zona’, tha ajo.
Teksa tha se reshjet do të vijojnë edhe gjatë fundjavës, Gjoni informoi se më pas do të ketë një ndërprerje për të rinisuar nisin javën tjetër, por me një intensitet më të ulët.
'Reshjet do të vijojnë deri në datën 23 pastaj do të ketë ndërprerje dhe më pas do të nisin javën tjetër por jo me këtë intensitet që kanë qenë këto ditë’, tha Gjoni.
Në fshatin Xhyrë në Librazhd për të parë situatën e krijuar nga reshjet ka shkuar Ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Aktualisht qarkullimi në këtë fshat është i ndaluar, ndërsa të bllokuar janë rreth 2500 banorë.
Ministrja, së bashku me strukturat vendore, Policinë e Shtetit, forcat e armatosura dhe ekipet e Mbrojtjes Civile, po koordinojnë masat për ndërhyrje të menjëhershme dhe rikthimin sa më të shpejtë të aksesit në urë.
Deri në normalizimin e situatës, lëvizja e automjeteve po kryhet përmes rrugës së vjetër, e cila aktualisht shërben si alternativë. Ndërsa për fëmijët që ndjekin shkollën është siguruar transport nga të dy anët e urës, e cila kalohet vetëm në këmbë.
Ministrja Koçiu theksoi se angazhimi në terren vijon pa ndërprerje dhe të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i keq
Banorët e fshatit Borizanë të Krujës janë ngritur sot në protestë për shkak të situatës kritike të 72 orëve të fundit ku rrethi i Krujës është përfshirë nga reshje intensive shiu duke shkaktuar kaos e përmbytje në disa zona.
Në fshatin Borizanë, operojnë disa gurore, disa prej të cilave gjenden farë pranë banesave. Në rastin konkret një gurore, e cila ndodhet rreth 100 metra larg banesave, po ju shkakton banorëve mjaft dëme e shqetësime. Banorët shprehen se kjo gurore ka 20 vite që po iu shkatërron shtëpitë dhe pronat, pavarësisht se janë ankuar apo e kanë denoncuar disa herë në prokurori, polici e bashki.
Madje disa prej banorëve janë në proces gjyqësor me kompaninë që zotëron guroren. Gurorja sipas tyre është në pronësi të Shpresiona Shima, pronare e kompanisë ‘Shpresiona Albania shpk’ e cila operon në zonë përreth 20 vitesh. Banorët thonë se gurorja ka bllokuar përroin e Maçanës, i cili buron në mënyrë natyrore fare pranë gurores.
Përroi është ekzistues prej shekujsh thonë banorët dhe rridhte në rrjedhën e vet natyrore, të cilën gurorja e ka devijuar dhe bllokuar, duke bërë që sasi të mëdha uji të dalë nëpër rrugë, nëpër oborret e shtëpisë duke shkaktuar dëme të mëdha.
“Problem të madh e kemi sepse këtu nuk është zbatuar ligji. Shteti ka thënë që të shkojë 1700 metra larg banesave. Këto kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, janë vetëm 50 metra larg banesave. Ne e kemi bërë problem disa herë. Janë bërë shumë gurore e na kanë hedhur shumë mbeturina. Na kanë ndotur dhe pusin. Kemi bërë denoncim në gjykatë. Ka qenë në atë kohë Blendi Klosi tek Ministra e Mjedisit dhe asnjë gjë nuk është bërë”, tha njëri prej banorëve.
Janë rreth 1200 banorë të Borizanës, të cilët rrezikohen e dëmtohen në mënyrë të vazhdueshme nga shpërthimet e gurores, por dhe nga bllokimi i përroit. Në vitin 2018 Ministria e Mjedisit pas një peticioni të bërë nga banorët për mbylljen e gurores, i ka kthyer përgjigje duke u siguruar banorëve se gurorja do të mbyllet, por ende në vitin 2025 vendimi nuk është zbatuar.
“S’kemi lënë polici, bashki e njësi pa trokitur. Shpërthejnë minat, merr në telefon policinë, pyesin vetëm a ka vdekur njeri. Problemi i parë është këtu se është devijuar përroi. Më është tharë vreshti, kumbullat, mbolla ullinj, ka hyrë uji i ka prishur, më është prishur pusi, është ndotur. Këtu ka ardhur të fortit, nuk ka tjetër.”
“Prej shpërthimeve të gurores më është carë shtëpia. Më ka rënë guri në oborr, ka qenë duke më vrarë çunin.”
Ata bëjnë apel që shteti të marrë masa ndaj kësaj situate, e cila çdo ditë që kalon po kthehet në problem gjithnjë e më serioz për banorët. Sakaq, nga pamjet shihet sesi sasi të mëdha uji vërshojnë nëpër rrugë e banesa duke marrë çdo gjë përpara.
“S’kemi lënë polici, bashki e njësi pa trokitur. Shpërthejnë minat, merr në telefon policinë, pyesin vetëm a ka vdekur njeri. Problemi i parë është këtu se është devijuar përroi. Më është tharë vreshti, kumbullat, mbolla ullinj, ka hyrë uji i ka prishur, më është prishur pusi, është ndotur. Këtu ka ardhur të fortit, nuk ka tjetër.”
“Ka 20 vite që paguaj 1 milionë lekë në vit duke pastruar kanalet me inertet e gurores. Kemi gjithë këto vite, gurorja është shkaku.”

Sektori i Emergjencave Civile të Bashkisë Librazhd dhe salla operative e Komisariatit të Policisë Librazhd njoftojnë 2 probleme të shkaktuara sëfundmi në këtë bashki nga moti i keq.
Në Njësinë Administrative Mirakë është shembur mbrojtja lumore e Hotel Ballkan, ndërsa në Njësisë Administrative Hotolisht, konkretisht fshati Xhyrë, është dëmtuar këmba e mesit e një ure Bailey dhe si pasojë është ndërprerë qarkullimi.
Pushteti lokal ka ngritur 2 grupe punë të inspektuar nga afër situata e krijuara.
Edhe në Gramsh raportohen për dëme të shkaktuara nga shiu i dendur, ku një gropë e madhe është krijuar pranë një ure.
Në fshatin Rremenj të bashkisë së Pogradecit, 2 banesa janë shembur pjesërisht si pasojë e vërshimit të ujit brenda tyre dhe rrëshqitjes së dherave, Familjarët ngrejnë apel për strehim, pasi shtëpitë janë të pabanueshme dhe ata nuk kanë ku ta kalojnë natën.
Aktualisht pritet që të mbërrijë kryebashkiaku i Pogradecit. Dëmet më të shumta në Pogradec nga stuhia janë regjistruar në fshatin Rremenj.

Në bashkinë e Dimalit situata paraqitet alarmante kryesisht në lagjen e Dafinave dhe në fshatrat Çiflik dhe Arëz. Efektivë të Regjimentit të Këmbësorisë janë angazhuar në terren për evakuimin e banorëve të cilëve banesat u janë përmbytur.
Reshjet intensive të shiut kanë nxjerrë nga shtrati lumin Osum, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore.

Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut vijon operacionin në fshatin Progër për kërkimin e 76-vjeçares Flora Hoxha, e cila prej më shumë se 12 orësh është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.
Dyshimet janë se e moshuara mund të jetë mbytur në përroin e fshatit Progër, ndërsa zona është në kaos pas përmbytjeve masive nga reshjet e dendura të shiut. Në terren për gjetjen e 76-vjeçares janë angazhuar 15 efektivë dhe 1 mjet i kalueshmërisë së lartë.
Në segmentin e ri rrugor Qukës-Qafë Plloçë janë shfaqur sërish vështirësi, pasi për të disatën herë janë regjistruar rrëshqitje dherash.
Rrëshqitja e fundit ka sjellë grumbullim të madh inertesh mbi asfalt, duke bllokuar njërën prej korsive.
Firma përgjegjëse pritet të ndërhyjë për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.
Rruga, me një kosto rreth 260 milionë euro dhe me një periudhë ndërtimi që zgjati afro 14 vite, është prezantuar si një nyje e rëndësishme lidhëse midis lindjes dhe perëndimit të vendit por përsëritja e problemeve ka ngritur dyshime serioze mbi qëndrueshmërinë e saj.
Për shkak të reshjeve të dendura dhe prurjeve të mëdha të lumit Vjosë, situata në zonat përreth vijon të mbetet problematike.
Kryeplaku i Novoselës, Ilia Moçka, bëri të ditur se janë evakuuar gjithsej 11 familje nga zona poshtë argjinaturës.
Sipas tij, disa toka bujqësore janë nën ujë, po ashtu edhe një thertore në Novoselë. Pronarët e thertores, ku niveli i ujit ka arritur deri në 70 centimetra, kërkojnë ndihmë, veçanërisht ushqim për bagëtitë. Edhe pse kafshët janë larguar në kohë, ushqimet e tyre janë përmbytur, njësoj si banesa dhe ambientet e thertores.
“11 familjet në zonën e argjinaturës janë larguar. Shtëpitë e tyre janë përmbytur. Edhe një thertore është përmbytur. Ata kanë nevojë për ndihmë. Ne jemi në gatishmëri për çdo gjë”, tha Ilia Moçka.
Autoritetet janë duke ndjekur nga afër situatën dhe paralajmërojnë se rreziku nuk është kaluar plotësisht. Ata u kërkojnë banorëve të prekur të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës.
Prej 12 orësh, 76-vjeçarja Flora Hoxha, e sëmurë, ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer.
Paraprakisht dyshohet se mund të jetë mbytur në përroin e fshatit Proger në Devoll.
Mesditën e kësaj të premteje ushtria dhe emergjencat nisën kërkimet për gjetjen e saj
Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që shumë banesa në zona të ndryshme të vendit të përmbyten nga uji.
Një rast i tillë është shënuar edhe në fshatin Rrëmenj, ku kryefamiljari nxjerr fëmijët nga banesa gjatë orëve të natës pasi uji brenda saj arriti 30 cm.
Nga video e siguruar shihet edhe momenti kur njëri prej fëmijëve dëgjohet duke qarë.
Report Tv ka sjellë disa pamje me dron nga Lezha.
Siç shihet qindra hektarë tokë bujëqësore ndodhet nën ujë.
Uji gjithashtu ka hyrë në disa banesa duke shkaktuar dëme materiale.
Reshjet e dendura të shiut dhe rritja e nivelit të lumit Drino ka dëmtuar urën e fshatit Glinë, bashkia Dropull.
Ura lidh 5 fshatrat e njësisë administrative të Dropullit të Sipërm me pjesën e poshtme.
Si pasojë e kësaj situate të izoluar kanë mbetur banorët e fshatrave Radat, Glinë, Vrahogoranxi, Peshkëpi e Sipërme dhe Peshkëpi e Poshtme.
Në vendngjarje ndodhen ekipi i emergjencave civile për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.

Në Vlorë ka nisur tërheqja e ujërave të Vjosës, ndërsa ekipet po punojnë për hapjen e rrugëve, mbrojtjen e banesave dhe rikthimin e energjisë, veçanërisht në Llogara dhe Konispol. Ditën e djeshme u evakuuan 7 familje në Novoselë dhe 3 pranë Urës së Mifolit.
Në bashkinë Sarandë, në monitorim është aksi Sarandë–Delvinë në vendin e quajtur Shelegar, ku ka prani uji për shkak të daljes së lumit të Kalasës nga shtrati. Po ashtu, po punohet për të shmangur rrezikun në banesa në fshatin Çukë, ku është dëmtuar argjinatura e lumit Bistricë. Ministria thotë gjtihashtu se forcat në terren kanë bërë të mundur pastrimin e ujit në një banesë në Ksamil dhe në Metoq, ndërsa puna vijon në një banesë në fshatin Vrion ku ka prani të uji në një banesë.
Në Fier, 50–60 hektarë tokë janë nën ujë dhe një familje është evakuuar në Çerven, por situata në lumin Seman paraqitet pa rrezik për banesat. Ka prezencë uji në oborret e 30 ndërtesave në fshatrat Kashisht, Cerven, Ferras. Si masë paraprake, janë stakuar pompat në stacionin e ujësjellësit në Kafaraj.
Në Korçë dhe zonat përreth Dërsnik e Bulgarec po bëhen devijime provizore të ujërave, ndërsa po pastrohen rrugët Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë, të dëmtuara nga gurët. Është ndërhyrë edhe në një banesë në Sheqeras.
Në Berat vërehet rrezik i daljes së lumit Osum nga shtrati në lagjen Goricë, ndërsa në lagjen 28 nëntori është ndërhyrë nga UKT. Në Gjirokastër janë pastruar inertet në disa akse kryesore rrugore.
Në Lezhë, në njësitë Shënkoll dhe Zejmen vijon rritja e nivelit të ujit nga çarja e argjinaturës së lagunës së Vainit, duke kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme dhe evakuime me varka. Në bashkinë e Mirditës, situata është stabilizuar, ndërsa vazhdon rehabilitimi i rrugëve.
Në Durrës, Krujë dhe Dibër situata është më e qetë, me punime për pastrimin e kanaleve, hapjen e rrugëve dhe rikthimin e energjisë. Në Shkodër reshjet kanë qenë më intensive, me punime në disa zona për pastrim rrugësh.
Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që në fshati Rrile të jetë nën pushtetin e ujit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv evakuimi i banorëve bëhet me gomone.
Në fshatin Gështenjas të Pogradecit, uji i cili ka vërshyer nga një prrua i fshatit ka mbytur bazën ushqimore të bagetive në disa stalla si dhe ka përmbytur një park bletësh.
Banorët shprehen të shqetësuar nëse reshjet vazhdojnë edhe më tej.
“Kemi dëme në shtëpi, te bletët, ushqimet e bagëtive. Është hera e pestë që përmbytemi dhe nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti. Dëmi kap vlerën 2 milionë lekë”, tha një banor.
“Nga shirat e dendura, kanalet tona janë të ngushta dhe nuk e mban ujin. Kemi shembje avllish dhe rrugë të përmbytura”, tha një tjetër.
Në fshatin Sovjan, Maliq gjatë orëve të para të mëngjesit uji ka depërtuar në dhjetëra banesa. Dëme po ashtu ka pasur në zahiretë dhe gjënë e gjallë.
Sipas banorëve uji ka hyrë në oborret dhe katet e para të shtëpive dhe ata janë detyruar të dalin jashtë prej orës 3 të mëngjesit ndërsa është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të normalizuar situatën.
“Kam 150 kokë dhenë në haur. Na erdhëm emeregjencat na thanë merrni sendet dhe shpëtoni veten tuaj. Nuk dilnim dot nga banesa. Erdhi edhe zjarrfikësja. Duhen bërë pastrimet e kanaleve”, tha një banore.
“Uji është futur në shtëpi. Kam shumë dëme. Nuk dilje dot nga banesa, shkoi uji 1 metër”, tha një banor tjetër.
“Uji i gjithë në shtëpi. Kuzhina është dëmtuar. Nga ora 4 uji shpërtheu në banesë. U zgjova pas lehjes së qenit. Nuk iki prej shtëpisë”, tha një banore tjetër.
Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut.
Pas çarjes së argjinaturës së lumit Bistricë në Çukë të Sarandës, qindra hektarë tokë janë të përmbytura nga uji ashtu siç shihet edhe nga pamjet me dron të siguruara nga Report Tv.
Moti i keq i ditëve të fundit ka sjellë dëmtimin e urës së fshatit Qafzezë në Kolonjë, duke e bërë të pakalueshme për makinat.
Fshati Boshanjë dhe të gjithë fshatrat e ish-komunës Çlirim janë izoluar.
Në fshatin Turan të Korçës raportohen përmbytje në dhjetëra banesa për shkak të prurjeve të lumit të Dunavecit.
Sipas banorëve, ka dëme të shumta edhe në bujqësi.
Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit kanë bërë që përroi i Vërdovës në Pogradec të dalë nga shtrati.
Si pasojë e kësaj situate disa banesa janë përmbytur teksa janë dëmtuar trotuaret kanalizimet dhe rrjeti elektrik.
Në lagjen nr 1 të qytetit uji gjithashtu ka hyrë në disa oborre të banesave.
Ekipet e emergjencave ndodhen në terren.
Si pasojë e prurjeve të larta të lumit Vjosë, situata në qarkun Fier paraqitet e vështirësuar. Niveli i ujit ka arritur në 7.3 metra në urën e Mifolit, duke mbetur në pikë kritike, ndërsa lumi ka dalë nga shtrati në fshatrat Kashisht, Çerven dhe Ferras, por ende brenda argjinaturave.
Rënia e fuqisë tërheqëse të detit po pengon shkarkimin e ujit, çka sjell shtim të prezencës së tij në tokat bujqësore, ku në Kashisht dhe Çerven janë përmbytur rreth 50–60 hektarë. Në Çerven është evakuuar një familje me dy anëtarë, ndërsa uji ka hyrë në oborret e 30 ndërtesave në zonat brenda argjinaturës në Kashisht (5 banesa), Çerven (4) dhe Ferras (21).
Si masë paraprake, është bërë stakimi i pompave në stacionin e ujit të pijshëm në Kafaraj, prej nga furnizohet qyteti i Fierit. Edhe lumi Seman paraqet prurje të larta dhe ka dalë nga shtrati në fshatin Kallm, por gjithashtu brenda argjinaturave, pa rrezikuar banesa.

Prefektura e Korçës njofton se reshjet e dendura gjatë natës kanë shkaktuar probleme në disa zona të qarkut. Në Korçë, bodrumet dhe arkiva e Prokurorisë u përmbytën, por situata u stabilizua pas ndërhyrjes së ekipeve.
Në Maliq, reshjet shkaktuan defekt në një fider elektrik dhe mungesë energjie në një pjesë të qytetit, ndërsa në Sovjan u evakuuan banorë, bagëti dhe koshere bletësh. Raportohen bagëti të mbytura në Leshnjë, si edhe prezencë uji në oborre banesash pranë Vlocishtit. Lumi Dunavec është çarë në dy pika, duke përmbytur sipërfaqe bujqësore.
Në Pustec ka rrezik daljeje të përroit në rrugën Doganë–Goricë e Vogël dhe prezencë inertesh në aksin Zvezdë–Goricë. Në Devoll, situata paraqitet e rënduar në Progër, Mancurisht dhe Dobranj, ku është e nevojshme ndërhyrje urgjente për përroit që ka përmbytur tokat.
Rruga Miras–Arrëz ka pësuar shkarje dherash dhe gurësh, në Poloskë është përmbytur një banesë dhe në Qytezë raportohet tjetër shkarje dheu. Strukturat e emergjencave vijojnë punën në terren për normalizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Moti i keq i cili ka përfshirë vendin ditët e fundit ka bërë që lumi Osum të dalë nga shtrati në orët e para të mëngjesit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, pedonalja e Beratit është nën ‘pushtetin’ e ujit.
Niveli i ujit ka arritur në 20 cm, teksa rrezikohen bizneset aty pranë. Këta të fundit kanë vendosur dhe thasë me rërë para dyerve të subjekteve për të shmangur futjen e ujit.
Forcat zjarrfikëse po punojnë për heqjen e ujit.
Gjatë natës, qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje me intensitet të lartë, të cilat kanë shkaktuar prezencë uji dhe inertesh në disa akse rrugore kryesore.
Probleme janë shënuar në aksin Kardhiq–Delvinë, pranë tunelit të Skërficës, në aksin Tepelenë–Gjirokastër, pranë zonës së njohur si Shkalla e Zezë, si dhe në rrugën Gjirokastër–Kakavijë, përballë fshatit Bularat. Falë ndërhyrjes së firmave kontraktore, të gjitha akset aktualisht janë të qarkullueshme.
Po ashtu, është monitoruar edhe niveli i lumit Vjosë, i cili në orën 06:30 ka arritur në 6.2 metra në urën e Memaliajt dhe 4.4 metra në urën e Përmetit.
Situata e motit ka shkaktuar probleme edhe në rrjetin elektrik. Fshatrat e zonës së Luftinjës dhe Buzit në Memaliaj mbeten pa energji, pasi përcjellësit e fiderave Miniera 1 dhe Maricaj vazhdojnë të jenë në kontakt me rrjedhën e lumit Vjosë. Edhe në Gjirokastër raportohet problem me furnizimin me energji në fshatin Lazarat.
Niveli i Vjosës ka arritur në pikën 8.25 metra. 3 banesa në fshatin Fitore prane urës së Mifolit dhe 7 Novoselë janë përmbytur
Ndërkohë edhe tokat bujqësore në këtë zonë janë nën ujë.
Komente












Iku koha e PPSH hahahaha
Përgjigju