Për kryeministrin Edi Rama situata e rëndë e përmbytjeve në vend ka si shkak edhe sjelljen e vetë qytetarëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama sjell me foto shembullin nga Shkozeti i Durrësit, kur kanali i kullimit është bllokuar nga shishet plastike.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrijnë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë”, shkruan Rama.
Deklaratat e opozitës për paaftësi të qeverisë Rama i ironizoi duke i kujtuar përmbytjet në rajon, ndërsa përgjigjen akuzave se përmbytjet erdhën nga mos funksionimi i hidrovorëve ia dha përmes Report Tv vetë ministri i Bujqësisë Andis Salla.
“Të gjithë hidrovoret kanë qenë me kapacitet të plotë, ne kemi qenë nga afër dhe në çdo hidrovor, në kohë reale dhe në koherencë ne jemi aktualisht në Durrës dhe aktualisht do të shkojmë edhe disa nga problematikat që janë në qytet, por hidrovoret janë në kapacitet të plotë”,- tha Salla.
Të njëjtin fakt e konfirmoi edhe ministri i Mbrojtjes Piro Vëngu pas mbledhjes së emergjencave civile në Durrës.
“Hidrovovet janë në funksionim të plotë madje ne kemi aktivizuar edhe hidrovorin e vjetër. 5 skuadra do të shkojnë shtëpi më shtëpi në zonën e kënetës dhe do të jemi në terren”, tha Vengu.
Vetë ministri më herët takoi 300 banorë, të akomoduar në kovaleshencën e Durrësit, ndërsa prej dy ditësh në qytetin bregdetar ndodhen forca të shumta të ushtrisë.
Ndërsa shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e përgjithshme, “Shqiponjat” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë siç njofton Kryeministri Rama janë në terren, në ndihmë të qytetarëve dhe për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve.
Kryeministri Rama ka publikuar pamje nga puna që po kryejnë ekipet e punës në disa qytete, veçanërisht në Vlorë dhe Durrës.
“Puna në terrenin e Vlorës, ku aktualisht situata e reshjeve paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll”, shkruan Rama, teksa ndan fotografi që tregojnë ekipe pune duke pastruar rrugët dhe zonat e përmbytura në Vlorë.
Ai publikoi gjithashtu pamje edhe nga Durrësi,duke shtuar se “strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për përballimin e situatës”.
Në Durrës, një nga qytetet më të prekura, Ministri Andis Salla, së bashku me Ministrin Pirro Vengu dhe Kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndoqën nga afër menaxhimin e situatës së krijuar.
“Po vijojmë të jemi pranë qytetarëve duke çliruar çdo banesë nga uji. Kemi bërë evakuimin e 300 banorëve dhe strehimin e tyre. Do të qëndrojnë të strehuar derisa të mund t’i rikthejmë në banesat e tyre”, u shpreh Vengu.
Edhe bashkitë e tjera kanë rritur gatishmërinë për tu ardhur në ndihmë banorëve.
Andis Salla, ministër i Bujqësisë, i ftuar në 'Sot Live në Shqipëri' me gazetarin Nertil Agalliu, foli për situatën kritike të krijuar në Durrës si pasojë e përmbytjeve.
Ai deklaroi se të gjitha hidrovoret janë në funksion të plotë dhe se situata po shkon gradualisht drejt normalizimit, duke hedhur dritë kështu mbi të vërtetën e akuzave të Partisë Demokratike, e cila pretendon se hidrovoret nuk janë aktive.
“Më problematike situata është në Qarkun e Durrësit, dhe në qytetin e Durrësit ku kemi patur një intensitet më të lartë reshjeve, dhe një problematikë në disa nga zonat e përmbytura. Ne kemi marrë masat e duhura nëpërmjet bashkisë, Forcave të Armatosura, bordeve të kullimit, të gjithë stafit të ministrisë, ku bëjnë pjesë në këtë proces, siç janë hidrovoret që janë në kapacitet të plotë në të gjithë Shqipërinë, gjithashtu në Durrës, por edhe ndaj mjeteve që kemi vënë në dispozicion, 29 eskavatorë krahëgjatë në të gjitha problematikat që ne kemi kryesisht në Durrës, në Lezhë, në Gjirolkastër ku pati një problematikë të shtuar mbrëmjen e djeshme, e cila kishte disa nga reshjet dhe prurjet goxha të dendura, por sot është normalizuar dhe uji është tërhequr. Është një proces ku kemi bërë ndërhyrje dhe është normalizuar tashmë”,- tha Salla.
“Të gjithë hidrovoret kanë qenë me kapacitet të plotë, ne kemi qenë nga afër dhe në çdo hidrovor, në kohë reale dhe në koherencë ne jemi aktualisht në Durrës dhe aktualisht do të shkojmë edhe disa nga problematikat që janë në qytet, por hidrovoret janë në kapacitet të plotë”,- tha Salla.
Gjithashtu, ministri i Bujqësisë garantoi bujqit dhe blegtorët se pas verifikimit dhe inventarizimit të plotë të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, do të dëmshpërblehen në masën e merituar.
“Ne jemi në verifikim e sipër për problematikat e përmbytjes së tokave bujqësore. Jemi në terren më të gjitha ekipet e ministrisë për të përballuar situatën dhe për të qenë pranë banorëve në mënyrë që ne të kemi një situatë sa më të lehtë, dhe duke qenë në verifim e sipër të çdo territori e sipërfaqe të mbjella”,- tha Salla.
“Në krerët e bagtive dhe pjesëve të kafshëve të imta mund të themi se do të bëjmë verifikimet e duhura. Si gjithmonë kemi bërë dëmshpërblimet në çdo rast që kemi pasur problematika të kësaj natyre.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga puna dhe prezenca e shtuar në terren e Policisë së Shtetit me qëllim zhbllokimin e trafikut dhe lehtësimin e qarkullimit rrugor, i cili është rënduar edhe për shkak të motit të keq.
“Policia e Shtetit gjithashtu vijon të jetë në gatishmëri
Shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e përgjithshme, “Shqiponjat” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë janë në terren, në ndihmë të qytetarëve dhe për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve”,- shkruan Rama në Facebook.

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi
Reshjet e forta të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje toke dhe dëme materiale në Selenicë të Vlorës.
Dy banesa janë shembur për shkak të shkarjes së dherave ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, së bashku me kryetarin e bashkisë Selenicë, inspektuan nga afër situatën në aksin rrugor Kotë–Sevaster, pranë fshatit Vajzë, ku është shënuar edhe dëmi më i madh.
“Banorët ishin të shqetësuar për situatën që po kalonin, ndërkohë që ishin larguar për t’u strehuar në shtëpitë e të afërmve të tyre. Iu bashkova shqetësimit të banorëve dhe kërkova nga bashkia dhe strukturat përkatëse që të jenë në shërbim të pandërprerë për çdo kërkesë të tyre, duke i siguruar për mbështetjen e prefekturës”, u shpreh Allushi.
Më herët, Allushi, në koordinim me kryetarin e njësisë administrative Novoselë, u takua edhe me kryetarët e fshatrave të zonës.
“Informuam për situatën dhe u kërkuam që të lajmërohen banorët për rrezikun e daljes nga shtrati të lumit. Prefektura është në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar në kohë reale strukturat, me qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të problematikave që mund të krijohen”, theksoi ajo.
Aktualisht në Qarkun e Vlorës situata e reshjeve paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa monitorimi i zonave problematike vazhdon.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me përmbytjet në vend. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama, teksa ka ndarë pamje të inerteve në Shkozet, ngriti shqetësimin për hedhjen e mbeturinave në rrugë.
Sipas Ramës, hedhja e plehrave dhe shisheve plastike në rrugë, krijon probleme kur bie shi i dendur, sikurse gjatë këtyre ditëve.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…, shkruan kryeministri në X.



Urgjenca Kombëtare
Moti i keq që ka përfshirë disa zona të vendit ka vënë në gatishmëri të gjitha shërbimet shëndetësore në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 36 njësi vendore dhe tre drejtori rajonale po punojnë në gatishmëri për të garantuar ndihmë mjekësore për banorët e prekur.
Në terren po kryhet monitorim i vazhdueshëm i situatës, ndërsa strukturat shëndetësore kanë kontrolluar pajisjet, infrastrukturën dhe rezervat e ilaçeve për rastet emergjente. Paralelisht, është siguruar edhe transporti i urgjencës, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave civile.
Në spitale, shërbimi i urgjencës funksionon pa ndërprerje, ndërsa çdo tre orë bëhet raportim mbi situatën dhe gjendjen e rezervave të nevojshme, nga medikamentet te uji dhe karburanti.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që në rast nevoje për ndihmë mjekësore, të telefonojnë numrin e urgjencës 127.
Në Gjirokastër ka filluar pastrimi i rrugëve nga inertet, pas reshjeve të dendura të shiut.
Kryebashkiaku Flamur Golemi deklaroi se më e keqja ka kaluar dhe se ka pasur evakuime të banorëve, por nënvizoi se nuk ka dëme një njerëz.
Golemi tha se janë zhbllokuar të gjitha fshatrat dhe pritet që nesër të pastrohet i gjithë qyteti. Sipas tij, rrugët në qytet ishin përmbytur nga inertet dhe zhavorri.
“Kemi kaluar orë të vështira gjatë gjithë ditës së djeshme. Patëm probleme në Njësinë Administrative Odrie, por gjatë mbrëmjes situate u përkeqësua shumë. Nuk ishin thjesht reshje shiu, por reshje inertesh, të ardhura prej Malit të Gjerë në lagjet kryesore të qytetit. Kemi pasur evakuime banorësh, për fat të mire, më e keqja e madhe kaloi, nuk kemi pasur jetë të rrezikuara. Kemi filluar pastrimin e inerteve, fillimisht me lagjen “18 shtatori”, do vijohet edhe me lagjet e tjera. Na janë bashkuar edhe Forcat e Armatosura. Janë zhbllokuar të gjitha fshatrat, përveç fshatitn Dhoksak. Shumë shpejt do gjejmë një zgjidhje. Presim të vijnë edhe një grup gjeologësh, inxhinierësh. Deri ditën e nesërme do të pastrohet i gjithë qyteti. Sa i përket dëmeve, nuk kemi pasur shumë dëme në banesa. Në fazën e dytë do çohen grupet e monitorimit të dëmeve. Në këtë moment, Bashkia e Gjirokastrës ka qenë për të monitoruar situatën. Në fazën e dytë do merremi me këtë pjesë, do zbatohet ligji. Nuk besoj se do kemi atë situate reshjesh, që kemi pasur ditën e djeshme. Kemi dy shtëpi në pjesën informale këtu lart, të rrethuara nga inerte. Këtë herë, e gjithë jo rrugë ka qenë e përmbytur nga zhavorri, nga inertet. Masiv mali ka ardhur në pjesën e poshtme të qytetit”, theksoi ai.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e motit në vend duke e krahasuar Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, gjithashtu të prekura nga përmbytjet. Në postim Rama ka ironizuar opozitën, të cilët të gjithë problematikat e krijuara, ia kanë faturuar qeverisë si fajtorët kryesorë.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”, shkruan Edi Rama.
Reshjet e shiut në Durrës një ditë më parë shkaktuan përmbytje në të gjithë qytetin bregdetar.
Uji është tërhequr në disa zona, teksa në Unazën e qytetit ndodhen efektivët e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura, ku po punojnë për largimin e plotë të ujit nga zona.
Në terren ndodhet edhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ku është takuar edhe me banorët që janë prekur nga kjo situatë.
Ministria e Shëndetësisë thotë se ka marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.
Përmes një njoftimi, ministria deklaroi se po monitoron situatën në terren.
Njoftimi i ministrisë
Mbi gatishmërinë e strukturave të shëndetësisë dhe situatën në terren për shkak të kushteve të motit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren dhe funksionimin e strukturave shëndetësore në të gjithë vendin, për shkak të kushteve të motit.
Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me 36 NJVKSH-të dhe 4 Drejtoritë Rajonale, po sigurohet raportim i detajuar dhe i përditësuar mbi gjendjen e qendrave shëndetësore, pikave ambulatore dhe strukturave spitalore.
Ndërkohë, janë marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.
* Monitorim i pandërprerë 24/7 i situatës në terren
* Verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave bazë medikamentoze të emergjencës
* Sigurim i aksesueshmërisë së transportit të urgjencës dhe koordinim me autoritetet vendore dhe emergjencat civile
* Caktim i personave përgjegjës për monitorimin e situatës në çdo institucion shëndetësor
Masat në nivel spitalor
* Aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës me gatishmëri 24/7
* Forcim i koordinimit operacional me OSHKSH-në, pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave
* Monitorim i situatës çdo 3 orë dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës
* Verifikim i rezervave kritike: medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë një postim në rrjetet sociale lidhur me monitorimin e pasurive kulturore gjatë situatës së reshjeve.
Në Lezhë ka përkeqësim për shkak të daljes së lumit Drin nga shtrati që ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit dhe kjo ka prekur edhe zonën pranë mureve të Lisit e Memorialit të Skënderbeut. Nuk konstatohen problematika në pasuri të tjera, ndërsa vijon monitorimi në terren.
"Në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor.
Në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës. Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit.
Në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.
Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim.
Monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm”, shkruhet në postim.
Mbi 100 efektivë janë angazhuar në Lezhë, Durrës e Gjirokastër, pas përfshirjes nga mot i keq, sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu shprehet se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, forcat e Repartit të Gërhotit kanë luftuar me prurjet e vrullshme të reshjeve në Gjirokastër.
“Mirëmëngjes dhe mirënjohje për djemtë e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë luftuar me prurjet e vrullshme të reshjeve në Gjirokastër.
Mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në Lezhë, Durrës, Gjirokastër dhe kudo ku ka qenë e nevojshme, ndërsa përgatitemi për një tjetër ditë në vijë të parë, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe përballimin e çdo situate.”, shkruan Vengu në Facebook.
Komente










MOS HIDHNI LETRA E SHISHE NE TOKE O NDYRESIRA NJEREZ....
Përgjigju