Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka qenë sot në Maliq, një nga zonat e prekuara si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit. Në një prononcim për mediat Vengu tha se argjinatura në Sheqeras ka patur dëmtime të konsiderueshme, teksa shtoi se po bëhen punime.

Jemi sot në zonën e Maliqit, në argjinaturën në Sheqeras ku ka patur dëmtime të konsiderueshme dhe në orët e para të shembjes së saj, drejtoritë rajonale të kullimit, bashkia Maliq, dhe forca të tjera që do shtohen në orët në vijim, janë duke bërë punime rehabilituese. Nga ana tjetër kemi dhe në zonën e Pyllit të Fazanëve një dëmtim argjinature, e cila vështirëson prurjet që vijnë nga Dunaveci në Devoll, ndaj po bëjmë një rishpërndarje të forcave duke kërkuar dhe angazhim shtesë nga forcat e armatosura.

Vengu gjithashtu përmendi edhe rënien e masivit shkëmbor në Qafë Plloçë, ku shtoi se ekipet e punës janë në gatishmëri. Ndër të tjera ai nënvizoi se do të jenë ditë të vështira për punime, pasi toka është shumë e pastabilizuar dhe e mbushur me ujë,

Po vijnë mjete vetëshkarkuese të ndihmojnë me volumet e mëdha që kërkohen për të mbuluar këto dëmtime. Jemi në gatishmëri, po shtojmë forcat, duhet të kuptojmë që kemi situata edhe të rrëshqitjes së dherave e masiveve malore, ku në Qafë Plloçë kishte një problematikë të madhe që na bëri të angazhohemi fuqimisht për të bërë një devijim përmes operatorëve të zonës. Do jenë ditë të vështira sepse rreshjet do rifillojnë, toka është si "sfungjer" praktikisht dhe është e vështirë të punohet në situata ku toka është shumë e pastabilizuar dhe e mbushur me ujë. Gjithsesi, po shtojmë forca në mënyrë që Maliqi mos të ketë problematikë në rreshjet që do pasojnë gjatë javës që vjen.

Sa i përket urave të dëmtuara si pasojë e reshjeve të shiut, Ministri tha se në të gjithë vendin janë dëmtuar 15 të tilla, teksa 1500 ha tokë ndodhet nën ujë. Për dëmshpërblimet e qytetarëve Vengu shtoi se është herët për të bërë një bilanc- megjithatë dëmshpërblimet do të bëhen sipas ligjit.

Ka në rang vendi 15 ura të dëmtuara, një pjesë prej tyrë është shembur dhe do kërkojnë investim domethënës. Qasja jonë është jo vetëm të qëndrojmë pranë banorëve pas kërkesave të kryetarëve të bashkive sa i përket rezervave materiale të shtetit, ka filluar shpërndarja e ndihmave në raste të caktuara.

Kemi kërkuar gjithashtu nga bashkitë që të bëjnë kërkesat për sa i përket ushqimeve për blegtorinë, koncentrat për blegtorët e prekur, dhe jemi në kushte ku po shpërndajmë në mbarë vendin edhe ushqime për blegtorinë. Këto janë dy grupet më të prekura dhe strategjia jonë është tu qëndrojmë pranë duke ditur që do kemi ende rreshje, nuk jemi jashtë rrezikut. Thjesht është një moment dielli që mundëson të vazhdojmë punën në terren. Presim prurje në mbarë vendin me intensitet shumë më të ulët se 3 frontet e para meteorologjike, por edhe jugun e presim të vijojë të ketë prurje dhe basenet ujore në jug të vendit do vijojnë të kenë prurje, ndaj jemi në gatishmëri të plotë.

Evidentime do bëhen dhe kemi mundësinë të bëjmë dëmshpërblime sipas parashikimeve ligjore. Është herët për një bilanc, kemi vetëm bilance paraprake dhe na rezulton që kemi rreth 1500 hektarë tokë nën ujë. Ujërat po ulen në nivel në mbarë vendin e kjo na jep mundësinë të rikuperojmë argjinaturat. Ka diferencë të madhe mes bashkive që kanë arritur të bëjnë investimet e nevojshme dhe atyre qe skanë patur mundësi të bëjnë investime. Në projektbuxhetin 2026 ne kemi një qasje të re sa i përket mbështetjes së bashkive sidomos atyre me më shumë risk për emergjencat civile duke i ardhur në mbështetje me fonde shtesë me një shpërndarje investimesh më të drejtë se në të kaluaren", tha Vengu.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Situata drejt normalizimit, ulet niveli i lumenjve, reshje bore nga veriu në jug! Masive shkëmbore bllokojnë aksin Qukës-Qafë Plloçë