Përmbytjet/ Vlora 'zgjohet' nën ujë, 33 familjet e evakuuara kalojnë natën në konvikt! Dëme në banesa e biznese, disa lagje pa energji

VLORË- Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë, pasi moti i keq goditi vendin tonë. Situata më alarmante ishte në qarkun e Vlorës ku reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha. 33 familjet e evakuuara kanë kaluar natën larg banesave të tyre, ndërsa Bashkia e Vlorës i strehoi në konvikt. Bëhet fjalë për të paktën 55 persona në total nga 33 familje.

Report Tv sjell sot pamjet nga situata në qytetin e Vlorës, ku rrugë e lagje janë ende nën ujë. Më problematike situata mbetet në disa lagje, ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagjja 'Kushtrim', lagja 'Rilindja', 'Skela', 'Pavarësia', rruga ‘Hasan Kushta’ rruga "Gjergj Araniti" aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’. Ende nuk ka një bilanc të dëmeve të shkaktuara në biznese e banesa, ndërsa autoritetet vendore pritet të nisin me një analizë.

Vlora dje ishte në pushtetin e ujit, ndërsa çarja e kanalit të ujërave të larta bëri që uji të vërshojë nëpër qytet, lagjet kryesore biznese e banesa duke shkaktuar edhe dëme. Si asnjëherë më parë, të gjitha rrugët e qytetit u pushtuan nga uji dhe lagjet u bllokuan ku niveli i ujit arriti deri 50-60 cm. Uji, si rrjedhë lumenjsh që kalonte nëpër rrugë, mori me vete çfarëdo i doli para, karriget dhe tavolinat e lokaleve, koshat e mbeturinave duke i spostuar në sheshin e Flamurit.

Në ndihmë të bashkisë Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, dërguan 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake. Reshjet pushuan në orën 19:00 por deri në këtë orë sipas autoriteteve, sasia e reshjeve ishte sa prurjet e shirave gjatë vjeshtë-dimër në Vlorë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:52
Përmbytjet në Vlorë/ Rënia e gurëve dëmton 2 banesa në zonën e Kalasë! Banorët: Jemi në qiell të hapur

1728117947_shkembishembshtepinenevlore.png

Në një ngjarje alarmante, rënia e gurëve nga një shkëmb në zonën e Kalasë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa, të cilat tashmë janë jashtë funksionit. Banorët e prekur raportojnë se gurët dhe balta kanë hyrë brenda, duke krijuar kushte të papërshtatshme për jetesë.

Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se në momentin e rënies, ata dolën jashtë për siguri dhe kërkuan ndihmë nga institucionet, por deri tani nuk kanë marrë asnjë reagim. Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente dhe mbështetje nga autoritetet.

“Nuk futem nuk kam ku të vete. Jam në qiell të hapur. Na janë tharë rrobat në trup”, ka thënë një nga banoret që i është dëmtuar shtëpia për Report Tv.

Ora 10:33
Përmbytjet në Vlorë, Vengu: Situata është përmirësuar pas ndërprejes së reshjeve! Kemi stakuar energjinë elektrike në disa zona

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar pas situatës problematike në Vlorë, ku reshjet e shumta të shiut përmbytën pjesën më të madhe të qytetit. Sipas Vengut situata është përmirësuar pas ndërprerjes së reshjeve. Ndërkohë disa në disa zona në Vlorë energjia është ndërprerë për shkak se gabinat elektrike kanë prezencë uji.

Deklarata e plotë:

Të gjitha strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme, për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë. Si pasojë e punës së bërë gjatë gjithë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata është përmirësuar.

Aktualisht, puna e të gjitha strukturave: Bashkisë së Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë, OSHEE, Prefekturës, është përqendruar në 4 kryqëzime ende të bllokuara në qytetin e Vlorës, i cili u prek më shumë nga situata e keqe e motit në 24 orët e fundit.

Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse.

Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit.

Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.

Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit.

Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku gabinat elektrike kanë prani uji.

Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gadishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC.

Ora 10:23
Përmbytjet në Vlorë, flet kryebashkiaku Dredha: Do bëjmë bilancin, dëmshpërblim për qytetarët që iu janë dëmtuar banesat

Kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha flet për situatën e përmbytjeve në Vlorë. Gjatë inspektimit në terren ka konfirmuar që situata mbetet problematike në disa zona, është duke u monitoruar situata për të llogaritur dhe dëmet e shkaktuara. 55 persona janë evakuaar dhe po shikohet mundësia menjëherë pas normalizimin e situatës për mbështetje financiare për familjet e dëmtuar me bashkëpunim me shtabin e emergjencave.

“Jemi në terren. Ka zona ku mund të ketë ankesa nga qytetarë, por reagimi ka qenë maksimal. Është edhe numri i mjeteve që na kufizon të reagojmë në moment në çdo segment, po e kemi marrë me prioritete, aty ku prezenca e ujit është më e madhe, aty ku ka akses më ët madh të qarkullimit të mjeteve duhet ët reagojmë më shpejt, një rast është edhe këtu ‘Albano dhe Romina’. Rast që përsëritet çdo vit sa herë ka prurje reshjesh më shumë se normale, ka rënë 1800 mm shi.

Janë gati 55 banorë që janë evakuuar, janë asistuar me veshmbathje dhe ushqime, jemi duke bërë database me informacionet për të marrë masat për suportin financiar për dëmet që janë shkaktuar në banesa.

Ora 08:49
Gazetari i Report Tv raporton situatën pas përmbytjeve në Vlorë: Pritet bilanci i dëmeve, disa lagje ende pa energji elektrike

Bashkia e Vlorës pritet të nisë bilancin e dëmeve pas përmbytjeve të shkaktuara ditën e djeshme pas reshjeve intensive dhe çarjes së kanalit të ujërave të larta. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili ka Vlora raportoi si paraqitet situata ditën e stome.

Dëme të mëdha raportohen në biznese e banesa që janë mbuluar totalisht nga uji, ndërsa në disa lagje dhe rrugë uji nuk është larguar ende. Makinat e qytetarëve shihen nën ujë.

Gazetari Xhelili raporton për disa lagje problematike  ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagja 'Rilindja', 'Skela', 'Pavarësia', rruga ‘Hasan Kushta’ rruga "Gjergj Araniti" aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’. 

Në lagjen Kushtrimi, banorët kanë qenë duke nxjerrë orenditë nga banesat e përmbytura. Ndërkohë, 33 familje kanë kaluar natën ne konviktin e qytezës studenti dhe atë të shkollës industriale ‘Pavarësia. Në disa lagje energjia vijon të mbetet e stakuar për të mos krijuar probleme pasi në disa kabina ka prezencë uji.

Ora 08:33
VIDEOLAJM/ Përmbytjet në Vlorë, makinat e zhytura nën ujë

Gjithçka nën ujë. Përmbytjet e djeshme në Vlorë kanë lënë pas dëme për banorët e qytetit bregdetar. Rrugët e lagjet janë zgjuar nën pushtetin e ujit.

Në këtë video që sjell Report Tv, dallohen disa rrugë të mbushura ende me ujë, ndërsa mjetet e qytetarëve janë të zhytura nën ujë.

Ora 07:54
PAMJET/ Vlora zgjohet nën ujë, rrugët e lagjet ende të përmbytura

Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë. Report Tv sjell pamjet nga qyteti i Vlorës, ku duket situata ditën e sotme.

Rrugë e lagje janë ende nën ujë, siç mund të shihni në këtë pamje, për shkak të reshjeve intensive dhe përmbytjeve pasditen e djeshme.  

Ora 07:02
Situata gjatë natës në Vlorë, qytetarët të mbuluar nga uji

 

Report Tv sjell pamjet nga situata e përmbytjeve në qytetin e Vlorës gjatë natës. Siç shihet edhe në pamje, niveli i ujit ka qenë goxha i lartë në lagjen Albano dhe Romina, një prej zonave me problematikave më të madhe.

Në video dallohen edhe qytetarët të mbuluar nga uji, të cilët përpiqen të ecin në zonën e mbushur me ujë. Ndërkohë, një 60-vjeçar që banon në këtë zonë ka kërkuar ndihmë për të marrë oksigjen, por ambulanca ka pasur vështirësi për t’u futur për shkak të situatës.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dëshmitë/ Vlora nën ujë, banorët me lot në sy rrëfejnë përmbytjet për Report Tv: Uji si vullkan, na u shkatërrua gjithçka! S’iu përgjigjen thirrjeve për ndihmë

Dëshmitë/ Vlora nën ujë, banorët me lot në sy rrëfejnë përmbytjet për Report Tv: Uji si vullkan, na u shkatërrua gjithçka! S’iu përgjigjen thirrjeve për ndihmë