SHKODËR - 24-vjeçari Luigj Gjergji u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij sepse autori Eduard Hulej, tashmë i shpallur në kërkim, - e akuzonte se i kishte ngacmuar motrën disa vite më parë. Kjo është pista ku ka arritur policia e Shkodrës për vrasjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në aksin Vau i Dejës-Bushat, pranë fshatit Stajkë. Policia vuri sot në pranga 24-vjeçarin Akil Gradeci nga fshati Shkjezë i Vaut të Dejës, si bashkëpunëtor të Hulejt në vrasjen e të riut. Sipas burimeve pranë policisë, 32-vjeçari Eduard Hulej dhe Luigj Gjergji ishin grindur disa ditë më parë për të njëjtin motiv, duke përfunduar në ofendime të rënda mes tyre.
 
Kaq ka mjaftuar që 32-vjeçari të thur planin e hakmarrjes kundër 24-vjeçarit Gjergji, për të cilin kishte bindjen se i ka ngacmuar motrën. Së bashku me Akil Gradecin, tashmë në pranga, Hulaj organizoi pritën për të riun me banim në fshatin Pistull, pasi kishin marrë informacion për lëvizjet e tij.
 
Sipas hetimeve, i riu ka qenë duke u kthyer nga Rinasi me automjetin e tij tip Audi me targë greke NZP8147, pasi kishte përcjellë për në shtetin fqinj nënën e tij. Prej vitesh Gjergji jetonte në Greqi me familjen e tij.
 
Por, në aksin Shkodër-Vau i Dejës 24 vjeçarit i është zënë pritë nga automjeti tjetër ku ndodheshin Hulak dhe gradeci, nga ku është qëlluar me kallashnikov në drejtim të makinës së Luigj Gjergjit, duke e lënë atë të vdekur.

Pas të shtënave, si dhe nga breshëria e kallashnikovit, makina më të cilën i riu ka qenë duke udhëtuar ka dalë nga rruga dukë përfunduar në një kanal me ujë anës rrugës. Pas kësaj autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Për shkak të errësirës, autorët kanë mundur të largohen me lehtësi prej andej.

Të parët që kanë njoftuar policinë për ngjarjen kanë qenë banorët e zonës.

Sekuestrimet
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, grupi hetimor gjatë këqyrjes, në cilësinë e provës materiale gjetën dhe sekuestruan më shumë se 10 gëzhoja kallashnikovi. Burimet shtuan se gëzhojat janë gjetur përgjatë aksit rrugor ku ndodhi ngjarja, çka lë të dyshohet se autorët kanë qëlluar drejt makinës së 24-vjeçarit nga një distancë e konsiderueshme largësie.

Dëshmitë
Banorët e zonës ku ndodhi vrasja, të cilët kanë lajmëruar policinë kanë deklaruar se kanë dëgjuar breshëri të shtënash. Ata kanë shtuar më tej se ka qenë errësirë dhe nuk kanë mundur të shohin se kush kanë qenë autorët, por kanë dëgjuar vetëm zhurmën e makinës pasi janë larguar me shpejtësi prej andej.

“Dëgjuam breshëri të shtënash. Nuk arritëm të shihnim gjë, pasi ishte shumë errësirë. Dëgjuan vetëm zhurmën e një makine më të cilën autorët mund të jenë larguar”, kanë thënë banorët në polici.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)