/ATSH-AFP/ - Marka spanjolle e automjeteve, Seat, filial i grupit gjerman Volkswagen (VW), ka pajisur më shumë se 500 mijë vetura të prodhuara në Spanjë me motorë me mashtrim, shkruan sot e përditshmja "El Pais".
"Filiali spanjoll i prodhuesit gjerman ka instaluar më shumë se gjysmëmilioni nga këta motorë në automjetet e tij që prej vitit 2009", sipas "El Pais" që citon burime pranë kësaj ndërmarrje.
Grupi Volkswagen, që përmbledh gjithsej 12 marka veturash dhe kamionësh, pranoi se kishte instaluar një pajisje në motorët e tij diesel të tipit EA189, me të cilin janë pajisur 11 milionë vetura në të gjithë botën, që mundëson falsifikimin e testeve kundër ndotjes.