Dhjetëra motoristë të shpërndarjes së ushqimit delivery, pjesë e kompanisë “Wolt”, dolën në protestë për të dytën ditë radhazi, duke kërkuar plotësimin e disa kërkesave që, sipas tyre, janë të drejta dhe legjitime.

Në qendër të kërkesave qëndron rritja e vlerës së pagesës për çdo kilometër të përshkuar gjatë shpërndarjes së porosive nga restorantet deri në adresën e klientit. Motoristët thonë se shpesh porositë kërkohet të dorëzohen edhe në katet më të larta të pallateve, ndaj kërkojnë që për këto raste të parashikohet një pagesë shtesë.

Po ashtu, ata kërkojnë që në rastet kur klienti zgjedh opsionin e dërgesës më të shpejtë, edhe korrierët të përfitojnë pagesë ekstra. Një tjetër kërkesë lidhet me aplikacionin e kompanisë “Wolt”, ku motoristët kërkojnë që të shfaqet simboli i motorit dhe jo ai i motoçikletës, pasi dyshojnë se kjo mund të ndikojë në mënyrën e llogaritjes së pagesave. Sipas tyre, muajt e fundit kompania ka punësuar edhe shtetas të huaj nga vendet e Azisë me kosto më të ulët.

 Motoristët shqiptarë thonë se nuk e kundërshtojnë këtë, por kërkojnë që fillimisht të respektohen të drejtat dhe kushtet e tyre të punës. Ndër kërkesat e fundit është edhe sigurimi nga kompania i mjeteve dhe uniformave të punës. Sipas motoristëve, një pjesë e tyre, veçanërisht të rinjtë, detyrohen t’i paguajnë vetë këto pajisje. Kompania Wolt operon prej rreth dy vitesh në tregun shqiptar në fushën e shpërndarjes së ushqimeve dhe produkteve të tjera. Në një kohë të shkurtër ajo tërhoqi qindra të rinj që iu bashkuan si korrierë, por me kalimin e kohës kanë nisur edhe pakënaqësitë lidhur me nivelin e pagesave.