Nis me fitore aventura e trajnerit Jose Mourinho në pankinën e Romës. Në ndeshjen e parë zyrtare zhvilluar në fazën play-off të Uefa Conference League verdhekuqtë triumfuan 2-1 në Turqi ndaj Trabzonspor.
Kalimi në fazën e grupeve të Conference League tashmë duket një formalitet për Romën, që mbrëmë në Turqi avantazhin e gjeti në fillimin e pjesës së dytë me Pellegrinin. Turqit nuk vonuan shumë dhe barazuan me Cornelius që me kokë mposhti Rui Patricion.
Sfida u vendos dhjetë minuta nga fundi falë golit të realizuar nga Shomurodov. Pas një jave ndeshja e kthimit por skuadra italiane hipotekon kalimin në fazën e grupeve. I kënaqur është shfaqur pas takimit trajneri portugez që ka thënë se futbollistët luajtën si një skuadër e bashkuar ndërsa për merkaton thotë se mungon ende diçka.
Tottenham ishte skuadra tjetër e madhe që zbriti në fushë në play-off e Conference League por që u shokua në Portugali. Modestët e Pacos de Ferreira triumfuan 1-0 ndaj londinezëve që duhet të përmbysin në ndeshjen e kthimit. Hipotekojnë grupet e Conference League Basel, Feynord e Rennes./ Përgatiti Andi Kapxhiu