Moza Hasa, 25 vite që kujdeset
për Tiranën: Puna nuk është turp

Moza Hasa, 25 vite që kujdeset<br />për Tiranën: Puna nuk është turp<br /><br>
Është ora 6 e 30, dita sapo ka hapur sytë. Kjo është koha që zgjohet çdo ditë zonja Moza. Report Tv gjendet këtu për të shoqëruar Mozën në një nga ditët  e saj të punës. Nga Shkoza drejt sheshit Shtraus për të pastruar rrugët e kryeqytetit.

Rruga për në sheshin Shtraus zgjat gati 30 minuta. Në orën 7 Moza Hasa, pasi ka veshur uniformën fillon pastrimin. Edhe pse nis shiu, punëtorët e qytetit të Tiranës nuk pengohen për të ndalur punën. Moza tregon për Report Tv se si është e programuar në përgjithësi një ditë pune për të dhe bashkëpunimin me shoqet e punës.

“Gjithmonë e fillojmë tek sheshi Shtraus, ora 7 na gjen këtu. Pastaj zonat me radhë.  Edhe me shoqet jam shumë e lumtur, me të gjitha shoqet. Edhe në vende të tjera ku kemi shkuar i kemi lënë vend vetes të gjithë si grup. Bëhemi në mëngjes, njëra merr fshesën ndërsa tjetra qesen e plehrave që mbledh prapa meje. Domethënë unë kam shoqen e krahut, që unë fshij ajo i mbledh plehrat e i fut në thes dhe i çon në koshat e plehrave.. Edhe unë e ndihmoj kur e ka thesin e mbushur plot, që ti hedhim plehrat bashkë”, tregon Moza.

moza

Dhe sa rrëmujaxhinj janë shqiptarët?
“Janë janë shumë rrëmujaxhinj, vetë banorët janë shumë. Këtu për shembull në sheshin Shtraus që kazanët janë për një qese molto apo çokollate, ata hedhin me shumicë plehrat e shtëpisë. Dje përshembull kemi qenë në një vend ku banorët i kishin grumbulluar plehrat në ferra, e kishin bërë pikë plehrash dhe ne jemi të detyruar që ta bëjmë ambientin e pastër”, rrëfen 46 vjeçarja.

Moza Hasa, sot 46 vjeç kthehet pas në kohë duke kujtuar momentin kur është bërë pjesë e Bashkisë së Tiranës.

moza

“Unë kam vite që kam filluar këtu, kam 25 vite që punoj. Si fillim isha shumë e re dhe kisha pak turp, por pastaj u mësova dhe tani se kam problem fare. 21-22 vjeç kam qenë kur kam filluar në Bashkinë e Tiranës. Ditën e parë të punës kisha shumë turp, se e re isha që të mblidhja plehrat... por pastaj me kalimin e kohës u mësova”, tha ajo.

Por si e kanë pritur familjarët e Mozës këtë?
“Burrin kisha dhe një fëmijë të vogël kisha, atëherë fëmija nuk kuptonte ndërsa tani e kanë pak problem por çfarë të bëjmë. Kjo na ka rënë që të punojmë, nuk është turp unë e kam për nder. Fëmijët e kanë problem me thënë të drejtën, por unë ju them ‘ky leku, s’kemi çfarë të bëjmë, mami këtë punë ka zgjedhur tani ju ecni më përpara për jetën tuaj se fëmijët janë me shkollë tani’. Në familje jemi shumë të lumtur, të katërt”, tregon 46 vjeçarja.

moza

Nga ana tjetër janë edhe kalimtarët... “  Na kanë falenderuar gjithmonë. Ju lumshin duart na kanë thënë, e shumta na kanë falenderuar. Ka raste dhe që janë mospërfillës .. Në reagime të tilla mërzitemi, por çfarë të bëjmë. Nuk e di, unë për vete nuk jam paragjykuese, për të tjerët nuk e di. Përderisa e kam pranuar vetë këtë punë, s’kanë pse të më paragjykojnë të tjerët”, tregon ajo.

Megjithatë Moza nuk shqetësohet për mendimet e tjetrit, ajo vërteton idenë se 'njerëzit na shohin ashtu si ne e shohim veten'. Si një grua tipike shqiptare, Moza nuk i thotë asnjëherë jo punës.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali