TIRANE, 2 Shkurt/ATSH/- Ministria e Punëve të Brendshme informoi të hënën se të gjitha strukturat dhe mjetete e Policisë së Shtetit janë në gadishmëri të plotë dhe po i vijnë në ndihmë çdo banori në zonat e përmbytura në jug të vendit.
MPB këshillon qytetarët që t'u përgjigjen autoriteteve për evakuimin e banesave, kur paraqitet nevoja si dhe të evitojnë lëvizjet në zonat që janë të rrezikuara nga përmbytjet.
U kërkohet qytetarëve që në rast rrezku të telefonojnë në numrat 129 të policisë së shtetit dhe 125 të emergjencave civile.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme Florion Serjani, në qarkun e Fierit, lumi Gjanicë është kthyer në shtratin e vet dhe uji është larguar nga banesat e fshatit Sheq. Ndërsa prurjet në lumin Seman kanë shënuar ulje.
Në komunën Levan janë evakuuar 110 familje. Në operacionin Kthesa e Qarrit, pas mesnate janë evakuuar 30 familje, tre prej të cilave ishin të përbëra vetëm nga gra e fëmijë.
Serjani tha se operacionet për evakuimin e banorëve kanë qënë të përbashkëta me forcat e policisë dhe qendrat e emergjencave. Në komunën Frakull janë evakuuar 30 familje. Ndërsa stacioni i pompimit që furnizon me ujë qytetin e Fierit është rivënë në punë. Po punohet për pastrimin e inerteve që kanë dalë nga dy naët e shtratit të lumit në qarqet Fier e Vlore.
Qarku Vlorë. Në Novoselë janë evakuuar 70 familje që rrezikoheshin nga përmbytjet. Fshatrat Nifol dhe Isham kanë rrezik të shtuar për përmbytje. Drejtuesit e Komunës për shkak të mundësisë së daljes nga shtrati të lumit Vjosë kanë evakuuar 40 famije. Për të evakuar banorët nga komuna Novoselë janë angazhuar forcat e Delta Forcë.
Qarku Elbasan
Ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Për shkak të reshjeve, në digën e liqenit të Banjës ka prurje intensive të ujrave. Nëse prurjet vazhdojnë me këtë ritëm rrezikojnë digën e liqenit dhe mund të hapen portat e digës.
Qarku Korçë. Gjatë 24 orëve të fundit ka patur reshje dëbore. Rrugët janë të hapura. Në Qafën e Qarrit qarkullimi bëhet me vështirësi për shkak të borës që shkon në 20 cm.
Qarku i Kukësit. Autostrada e Kombit e kalueshme për mjetet. Akset nacionale qarkullohen pa zinxhirë. Mjetet borëpastruse janë në gadishmëri për të ndërhyrë me qëllim mbajtjen e hapur të akseve rrugore. Aksi nacional për në Lekbibaj mbetet i blokuar. Ka patur ndërprerje të enerjgisë elektrike. /a.gjonaj/ /a.g/










