TIRANË- Këshilltari për median në ministrinë e Punëve të Jashtme, Glevin Dervishi konfirmoi të shtunën se "ka një shtim të forcave të sigurisë pranë ambasadës shqiptare në Beograd, Serbi, si dhe pranë stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Partizani- Crvena Zvezda.
Sipas tij, deri tani nuk ka kërcënim real për stafin diplomatik shqiptar në Beograd, Serbi.
Në një prononim për Ora News, Dervishi tha se jemi në dijeni të shtimit të forcave të sigurisë pranë ambasadës shqiptare në Beograd si dhe pranë stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Partizani- Crvena Zvezda. "Stafi i ambasadës shqiptare në Beograd është kontaktuar nga pala serbe, e cila ka dëshmuar gatishmërinë për të rritur sigurinë pranë ambasadës si dhe për tu njohur me situatën dhe planin e masave që po merren", tha Dervishi.
I pyetur nëse është i nevojshëm evakuimi i stafit diplomatik shqiptar, Dervishi tha se në vazhdim të zhvillimeve ne do të marrim edhe vendimin nëse do të jetë e nevojshme për të garantuar jetën e stafit diplomatik. "Nuk kemi një vendimmarrje pasi ende nuk kemi një kërcënim real ndaj stafit të ambasadës", deklaroi ai.
Ndërkohë edhe mediat kanë raportuar për shtim të forcave të sigurisë pranë ambasadës shqiptare në Beograd në prag të ndeshjes Partizani- Crvena Zvezda./ATSh/