Shqipërisë I duhet vetëm një mrekulli për të kaluar në fazën e një të tetave të Euro 2016, gjithsesi shanset të paktën ato matematikore janë. Kombëtarja mbrëmë priste një dhuratë nga Turqia dhe ajo dhuratë në fakt erdhi por jo për Shqipërinë por turqit i bënë një dhuratë vetes.

Ata fituan 2-0 takimin ndaj Republikës Çeke dhe na lanë pas në renditjen e vendeve të treta.

Ne na interesonte që Çeki-Turqi të përfundonte barazim ose skuadra e Fatih Terim të fitonte me rezultat minimal.

Kjo nuk ndodhi pasi turqit fituan 2-0 dhe falë golavarazhit më të mirë ose më saktë shënimit të një goli më shumë se ne,  janë ata që shpresojnë në një kualifikim. Me herët gjatë ditës së djeshme u dogj edhe një shans pasi as Gjermania nuk na ndihmoi.

Gjermanët duhet të fitonin me 4 gola diferencë që të na bënin punë. Rastet i patën por fituan vetëm 1-0 ndaj Irlandës së Veriut duke bërë që edhe kjo e fundit të kalojë më tej. Megjithatë asgjë nuk ka mbaruar edhe pse shanset janë minimale.

Sot zbresin në fushë edhe dy grupet e fundit E dhe F ku matematikisht kemi shanse. Në grupin E dy ndeshjet janë Itali-Irlandë dhe Belgjikë-Suedi, ku Shqipërisë i intereson që Italia dhe Belgjika favorite të mos humbasin, gjë që është edhe normale por malorja dhe rezultati më i vështirë që na duhet është në ndeshjet e grupit F që luhen në orën 18:00.

Dy ndeshjet që luhen janë Hungari-Portugali dhe Islandë-Austri dhe shqiptarëve në fakt vetëm një ndeshje u intereson ajo mes Hungarisë dhe luzitanëve por na duhet vetëm fitorja e hungarezeve, pra për të shpresuar deri në fund tek kualifikimi duhet të humbasë Portugalia e Cristiano Ronaldos.

Shumë e vështirë por jo e pamundur. Sa i përket fazës së një të tetave të Euro 2016 tashmë janë kualifikuar 12 skuadra dhe priten vetëm 4 të fundit për të plotësuar 16 më të mirat. Skuadrat e kaulifikuara janë: Gjermania, Anglia, Kroacia ,Spanja, Italia, Franca, Zvicra, Polonia, Uellsi, Hungaria, Sllovakia, dhe Irlanda e Veriut.

Megjithëse janë kualifikuar 12 skuadra deri tani vetëm dy çifte të fazës së një të tetave janë përcaktuar. Zvicër-Poloni e cila do të hapë fazën e një të tetave të shtunën në orën 15:00 dhe superpërballja Itali-Spanjë që do luhet të hënën në orën 18:00 në stadiumin ‘Saint Denis’ në Paris.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)