TIRANE - Për gjithë besimtarët myslimanë kjo e shtunë shënon nisjen e muajit të Ramazanit. Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, ka uruar besimtarët për një agjërim të mbarë. “Të nderuar besimtarë, në emër të komunitetit mysliman dhe timin personal kam nderin t’ju uroj gëzuar Muajin e Ramazanit. Ky është muaji i paqes, solidaritetit dhe mirësisë hyjnore. Destinacioni final i agjërimit është fitimi i kënaqësisë së krijuesit. Ky muaj na kujton kujdesin që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, jetimët, për ata me aftësi të kufizuara dhe gjithë të tjerët, për përmbushjen e nevojave të tyre. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Bruçaj. Urime kanë ardhur edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Mondi.

“Kur shtrohet sofra e myslimanit ke dashuri, paqe dhe mbarësi. Se duke vepruar kështu në afrojmë më shumë Zotin. Me këtë rast unë uroj dhe u bekoj të gjithëve, paçim dashurinë, mirësinë; ka pohuar kryegjyshi i bektashinjve. Muaji i Ramazanit konsiderohet periudha më e veçantë në kalendarin islam. Për myslimanët ky është muaji i faljes së gabimeve, pranimit të lutjeve, shërimit të sëmundjeve dhe mirësive.

Besimtarët e devotshëm nga mëngjesi i sotëm nisin agjërimin dhe lutjet për një muaj të mbarë dhe të begatë. Në këtë periudhë myslimanët ndalojnë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet seksuale nga agimi deri në perëndimin e diellit. Këtë radhe, agjërimi llogaritet mbi 17 orë në ditë. Por ndryshe nga vitet e tjera, sipas kalendarit Muaji i Shenjtë përkon me muajin më të nxehtë të vitit për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë ka bërë publik edhe një set këshillash ku i kërkohet besimtarëve që të shmangin vendet e nxehta për të ruajtur lëngjet e trupit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)